Të ftojmë të vizitosh komplekset e Bethelit në Shtetet e Bashkuara
«Kemi kujtime të mrekullueshme nga vizita në Bethel, kujtime që do t’i ruajmë në zemër përgjithmonë.» Kështu u shpreh një çift nga Vanuatu pasi vizitoi godinat e Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara. Po kështu ndihen edhe shumë nga mbi 70 mijë vizitorët e përvitshëm.
A i ke vizituar ndonjëherë komplekset e Bethelit në Shtetet e Bashkuara? Nëse jo, je i mirëpritur.
Çfarë do të shohësh në tri komplekset kryesore?
Selia Botërore, Bruklin, Nju-Jork. Mund të bësh një vizitë me ciceron e të mësosh për përpjekjet e bashkërenduara që po bëhen për të organizuar e për të mbështetur predikimin e lajmit të mirë në mbarë botën. Mund të shohësh edhe dy ekspozita pa ciceron. Ajo me temë «Një popull për emrin e Jehovait» përshkruan historinë e popullit të Jehovait që nga shekulli i parë deri tani. Kurse tjetra, «Bibla dhe emri hyjnor», paraqet shumë përkthime të Biblës që përmbajnë emrin hyjnor.
Arsimimi teokratik, Patterson, Nju-Jork. Mund të mësosh për shkollat që zhvillohen aty, si Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit dhe Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre. Do të shohësh edhe ekspozita e video që përshkruajnë punën që bëhet në zyra, si në Repartin e Artit, Repartin Audio/Video, Repartin Ligjor dhe Repartin e Shërbimit.
Shtypja dhe dërgimi i literaturës, Uollkill, Nju-Jork. Në vizitën me ciceron do të shohësh si shtypen, lidhen e dërgohen Biblat dhe botimet biblike nëpër kongregacione në Shtetet e Bashkuara, në Karaibe e në pjesë të tjera të botës.
Sa zgjatin vizitat në këto komplekse?
Një vizitë me ciceron në Bruklin zgjat rreth një orë, në Patterson rreth dy orë dhe në Uollkill rreth një orë e gjysmë.
Cilët zgjidhen si ciceronë?
Ata që punojnë në reparte të ndryshme në Bethel. Këtë e shohin si pjesë të punës për të mbështetur veprën e arsimimit biblik. Në maj të vitit 2014, në këto 3 komplekse punonin më se 5.000 veta, prej të cilëve më shumë se 3.600 ishin stërvitur për të bërë vizita. Këto vizita bëhen në rreth 40 gjuhë të ndryshme.
Sa kushton një vizitë?
Vizita është falas.
A duhet të jesh Dëshmitar i Jehovait për të bërë një vizitë?
Jo. Shumë nga vizitorët nuk janë Dëshmitarë. Pavarësisht nëse je Dëshmitar ose jo, mund të shohësh nga afër përpjekjet e organizuara që bëhen për të mbështetur veprën tonë mbarëbotërore.
Një grua myslimane nga India bëri një vizitë në Patterson. Pas vizitës, ajo u shpreh: «Do të doja shumë të isha edhe unë pjesë e gjithë kësaj. Ju falënderoj nga zemra për respektin e madh që më treguat!»
A mund të vijnë edhe fëmijët për vizitë?
Patjetër! Vizita mund të ketë ndikim të thellë te të vegjlit. Një vizitor nga Shtetet e Bashkuara me emrin John shkroi: «Që kur jemi kthyer, fëmijët që ishin në grup me ne nuk kanë pushuar së foluri për vizitën. Para vizitës, shërbimi në Bethel ishte një ide abstrakte për ta, ndërsa tani e kanë synim.»
A mund të bëhen vizita në godinat e Dëshmitarëve të Jehovait në shtete të tjera?
Po, mund të bëhen në dhjetëra shtete. Për të gjetur një nga këto adresa, shiko faqen Informacion për zyrën dhe vizitat. Me përzemërsi të ftojmë të vizitosh një nga zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait.