Kalo te përmbajtja

Albumi i katërt me foto nga Britania (mars-gusht 2017)

Albumi i katërt me foto nga Britania (mars-gusht 2017)

Shih në këtë album me foto sa ka përparuar ndërtimi i zyrës së re të degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Britani gjatë periudhës mars-gusht 2017.

28 mars 2017—Vendi i degës së re

Duke përdorur një kamion me vinç, një firmë kontraktuese dorëzon një kabinë të parafabrikuar, me vetrata në pjesën e përparme. Kabina është pjesë e një platforme të ngritur nga ku mund të vrojtohen punimet dhe gjendet në një zonë të sigurt të kantierit. Qendra për vizitorët dhe pika e vrojtimit u hapën në maj 2017 dhe, deri në gusht, mbi 17.000 veta prenotuan vizita për të parë nga afër projektin.

29 mars 2017—Godina e banimit F

Punëtorë të një firme kontraktuese përdorin një vinç-kullë për të vendosur në godinën e banimit F një pllakë betoni të parafabrikuar. Kjo godinë banimi është planifikuar të mbarojë e para. Meqë përreth godinave ka goxha hapësirë, armaturat mund të ripozicionohen me shpejtësi pa pasur nevojë të çmontohen.

7 prill 2017—Godinat e banimit

Pesë godinat e banimit po ndërtohen njëkohësisht. Në plan të parë, punëtorët e firmës kontraktuese po lidhin hekurat e armaturës para se të derdhin beton për themelin e godinës së banimit B. Në sfond djathtas, kontraktuesit po hedhin beton për dyshemenë e katit të parë të godinës së banimit D. Në sfond majtas, vinçi-kullë vendos një panel betoni për hapësirën ku do të vendoset ashensori dhe shkallët e godinës së banimit E.

19 prill 2017—Vendi i degës së re

Një punëtore heq pjesën e tepërt të materialit aty ku bashkohen dy tuba plastikë të impiantit kundër zjarrit. Duke përdorur nxehtësi, plastika shkrihet dhe dy pjesët ngjiten bashkë. Pastaj hiqet plastika e tepërt dhe testohen vendet e bashkimit për fortësinë dhe cilësinë. Për impiantin kundër zjarrit u shtruan afro katër kilometra (2 milje) tuba.

25 prill 2017—Godinat e banimit

Një punëtor pastron një kanal të ri për shkarkimin e ujit. Falë këtyre kanaleve, uji i shiut kalon poshtë rrugëve dhe derdhet në liqenet e vogla, duke parandaluar kështu përmbytjet.

28 prill 2017—Godina e banimit F

Burrë e grua, pjesë e skuadrës së arkitekturës, shënojnë pozicionin e mureve të korridorit të katit të parë.

5 maj 2017—Godinat e banimit

Pamje nga lart drejt lindjes e pesë godinave të banimit në ndërtim e sipër. Deri në shtator kishte përfunduar skeleti prej betoni i të gjitha godinave, po vazhdonte puna për muret e brendshme të godinës së banimit F (godina e fundit djathtas) dhe kishte nisur suvatimi dhe lyerja e kësaj godine. Ndërkohë punëtorët filluan të punonin për muret e jashtme dhe për të instaluar dritaret e godinës së banimit E (godina e fundit majtas). Godinat e banimit B, C dhe D (në plan të parë) u bënë gati për skuadrat që merren me pjesën arkitekturore, elektrike, mekanike dhe me skelat.

18 maj 2017—Kantieri mbështetës

Robert Lusioni, ndihmës i Komitetit të Botimit të Trupit Udhëheqës dhe mbikëqyrës i Repartit Botëror të Projektim/​Ndërtimit (BPN), po inkurajon skuadrat e ndërtimit me një fjalim biblik. BPN-ja mbikëqyr projektimin dhe ndërtimin e godinave të reja të degëve e sigurohet që puna të bëhet në mënyrë sa më efikase dhe ekonomike.

25 maj 2017—Vendi i degës së re

Punëtorët përgatitin soleta prej betoni për godinat ku do të vihen impiante gazi, elektrike dhe serverë kompjuterikë. Në të djathtë, punëtorët përdorin një pompë betoni portative për të hedhur themelet e një barriere akustike, e cila do të pakësojë zhurmën e pajisjeve.

7 qershor 2017—Godina e banimit E

Pjesëtarë të skuadrës së arkitekturës kontrollojnë skicat para se të përcaktojnë në dysheme vendin ku do të fiksohen profilet e çelikut.

13 qershor 2017—Godina e banimit F

Një punëtor fikson profile çeliku për muret e jashtme.

22 qershor 2017—Godina e banimit E

Përgjatë perimetrit të godinës së banimit E, po ngrihet një skelë që punëtorët ta kenë më të lehtë të punojnë për muret e jashtme.

11 korrik 2017—Godina e banimit F

Një punëtore lyen me një bojë të veçantë mbrojtëse dritaret e sapoinstaluara. Kur thahet, boja formon një cipë të hollë plastike që mbron dritaret nga dëmtimet gjatë ndërtimit dhe hiqet kur s’ka më nevojë.

13 korrik 2017—Godina e banimit F

Dy punëtorë bëjnë prova presioni të sistemit ngrohës të vendosur nën dyshemenë e dhomës. Pas rregullimeve të nevojshme, hidhet shtresa e fundit e betonit për të mbuluar tubat e impiantit ngrohës.

19 korrik 2017—Vendi i degës së re

Një kopshtar pret një pjesë të tapetit me lule vendëse në një rrethrrotullim, jashtë hyrjes kryesore të pronës së degës. Ky tapet lulesh nuk lejon të rriten barërat e këqij, duke kursyer kohë dhe energji për mirëmbajtjen mjedisit të gjelbër që gjendet pranë një autostrade me goxha trafik.

1 gusht 2017—Godina e zyrave

Duke përdorur një pajisje GPS, një gjeometër vendos një shenjë te vendi ku do të jetë hyrja e kompleksit të zyrave, pastaj e lyen që të duket më qartë. Në këtë pjesë të kompleksit do të jetë kuzhina dhe një ambient që do të përdoret si sallë ngrënieje dhe si auditor. Në sfond shihen godinat e banimit.

8 gusht 2017—Godinat e banimit

Burrë e grua përgatitin kallëpe prej betoni për një rezervuar të vogël uji, pjesë e sistemit të drenazhit. Në sfond shihen godinat e banimit E dhe F të rrethuara me mushama që puna të vazhdojë në çdo stinë, madje edhe në dimër.

9 gusht 2017—Vendi i degës së re

Një punëtor po stërvitet si të përdorë një pajisje me vakum për ngritje peshash. Me të transportohen dhe vendosen pjesë bordure me peshë afro 70 kilogramë secila. Kur pjesët vendosen aty ku duhet, për t’i fiksuar, hidhet beton në të dyja anët.

16 gusht 2017—Vendi i degës së re

Një punëtor mban bashkuesin T në këndin e duhur teksa tërhiqet një tub uji. Për zyrën e re të degës nevojiten afro pesë kilometra (3 milje) tuba uji.

22 gusht 2017—Godina e banimit E

Një pjesëtare e skuadrës që merret me fasadat pret tulla me një sharrë elektrike për beton. Gjysmëtullat përdoren për të krijuar një fasadë tërheqëse pasi në skajet e godinave tullat vendosen njëra pas tjetrës, njëra për së gjati dhe tjetra për së gjeri (e njohur si metoda Flemish). Për të veshur godinat e banimit, do të përdoren mbi 300.000 tulla.