Albumi i pestë me foto nga Britania (shtator 2017-shkurt 2018)
Shih në këtë album me foto sa ka përparuar ndërtimi i zyrës së re të degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Britani gjatë periudhës shtator 2017-shkurt 2018.
6 shtator 2017—Godina e banimit C
Pjesëtarë të skuadrës që punon në ambientet e jashtme përdorin mistri për fugat e pllakave që të heqin llaçin e tepërt mes tullave. Këto pllaka (që duken si tulla) ngjiten në një kornizë metalike për të mbuluar strukturën metalike të murit.
20 shtator 2017—Godina e banimit D
Një pjesëtar i skuadrës së arkitektëve përcakton vendndodhjen e mureve të jashtme të apartamenteve me anë të një lazeri nivelues me këmbalec dhe të një matësi topografik. Ndërkohë, në Godinën e banimit F, që duket në sfond, punimet kanë ecur goxha edhe në pjesën e brendshme.
27 shtator 2017—Godina e banimit F
Një motër spërkat lehtë me ujë murin e stukuar dhe përfundon finiturën me përdaf. Për të kursyer ujin, Reparti i finiturës e mbledh atë me anë të një thithësi lagështie dhe e përdor për të bërë gati stukon e bojakun për pllakat.
3 tetor 2017—Kantieri i degës
Jashtë Godinës së banimit E, kontraktuesit shtrojnë me asfalt një rrugë e cila lidhet me rrjetin rrugor.
10 tetor 2017—Godina e banimit F
Një murator 71-vjeçar ndërton murin e jashtëm të Godinës së banimit F. Që nga fillimi i projektit, më shumë se 100 Dëshmitarë mbi moshën 70-vjeçare kanë ndihmuar me mjeshtërinë dhe përvojën e tyre të çmuar.
16 nëntor 2017—Godinat e banimit
Pamje ajrore nga perëndimi. Të gjitha godinat e banimit do të kenë tarraca ekologjike. Pasi tarracat izolohen nga ana termike e hidraulike dhe përgatitet shtresa e drenazhimit, mbillen fara të bimëve tipike të zonës. Tarracat ekologjike ndikojnë për mirë te bota shtazore, reduktojnë koston e energjisë dhe ndihmojnë në menaxhimin e ujit të shiut. Në planin e parë të fotos, po punohet për themelet e Godinës së banimit A dhe për themelet e një pjese të kompleksit të zyrave.
21 nëntor 2017—Godina e banimit F
Dy vëllezër vendosin te hyrja e një apartamenti një kasë dere metalike të parafabrikuar. Një herë që dërgohen në kantier, kasat dhe dyert e parafabrikuara nuk kanë nevojë të lyhen e t’u vihen menteshat dhe fishekët e bravave. Kështu vendosen kollaj dhe shpejt.
28 nëntor 2017—Godina e zyrave
Teksa bie muzgu, kontraktuesit punojnë me kollonat e themeleve të kompleksit të zyrave. Në qendër të fotos, kontraktuesit vënë shufrat e hekurit në kanale që janë gati 20 m të thella dhe që sapo janë mbushur me beton. Në sfond duket Godina e banimit B.
5 dhjetor 2017—Godina e banimit E
Një punëtor monton mbajtëset e izoluara për tubat e kaldajës në tavanin e parkingut. Tavani është veshur me panele termoizoluese që mbrojnë katet e sipërme të banimit nga temperaturat e ulëta.
8 dhjetor 2017—Godina e banimit F
Një punëtor nga skuadra e finiturës smerilon muret e stukuara për t’i përgatitur që të vishen me vinil. Vrimat e vogla në diskun smerilues bëjnë të mundur që thuajse i gjithë pluhuri të thithet me vakum.
21 dhjetor 2017—Kantieri i degës
Dy punëtorë përgatisin sipërfaqen e një rruge kalimi që të çon te godina e impianteve. Me anë të një pistolete gazi profesionale djegin kallëpet prej materiali të lehtë rreth të cilëve ishte derdhur betoni, për të krijuar hapësira ku të mbijë bari. Kjo lloj sipërfaqeje ndihmon në menaxhimin e ujit të shiut.
26 dhjetor 2017—Godina e banimit F
Dy vullnetare përdorin pistoletë lyerjeje për t’i dhënë dorën e fundit të bojës kuzhinës së një apartamenti.
28 dhjetor 2017—Godina e banimit F
Skuadra e skelave çmontojnë një pjesë të tyre që të lirojnë hapësirën ku do të montohen ballkonet. Në qendër të fotos duken disa tuba të kuq ku kalon ajër i nxehtë gjatë dimrit që ndihmon në tharjen e dyshemeve të çimentos, të mureve të stukuara dhe të sipërfaqeve të lyera.
16 janar 2018—Godina e banimit F
Një punëtor i skuadrës së finiturës heq flluskat e ajrit nga shtresa e vinilit. Kjo sipërfaqe që mund të lahet është praktike dhe rezistente në zonat me trafik të lartë. Pas tij duken punëtorët e tjerë të skuadrës që lyejnë murin dhe puthitin skajet e shtresës së vinilit.
27 janar 2018—Godina e banimit E
Punëtorët marrin pjesë në një mbledhje me skuadrën përpara se të fillojnë punën për atë ditë. Kapiteni i skuadrës thekson rëndësinë e sigurisë në punë dhe identifikon rreziqet e mundshme. Punëtorë nga reparte të ndryshme u ofruan të punonin jashtë orarit për të pastruar apartamentet e Godinës së banimit F dhe zonën përreth, para se të vinin banorët e parë.
1 shkurt 2018—Godina e banimit F
Me anë të një vinçi me kosh, kontraktuesit mbarojnë montimin e ballkoneve në Godinën e banimit F. Kombinimi ngjyrave është përzgjedhur që godinat të identifikohen lehtë dhe që të shkojnë me ngjyrën e gjetheve gjatë vjeshtës. Në sfond po heqin mushamanë nga Godina e banimit E përpara se të çmontohen skelat.
3 shkurt 2018—Godinat e banimit
Jashtë orarit të punës, një çift transportojnë gjërat e tyre në një apartament në Godinën e banimit F që ka përfunduar një ditë më përpara. Duke strehuar përkohësisht punëtorët në këto blloqe apartamentesh të reja, janë ulur shpenzimet për qiranë e udhëtimin dhe punëtorët kanë më shumë rendiment.
12 shkurt 2018—Godina e banimit A
Kontraktuesit derdhin betonin e dyshemesë së parkimit gjatë natës. Në sfond duket Godina e banimit B.
15 shkurt 2018—Godina e banimit E
Burrë e grua, pjesë e skuadrës së marangozëve, presin suprinën prej kuarci të një kuzhine me sharrë elektrike, që ka edhe sistem për thithjen e pluhurit. Suprinat priten në kuzhinën ku do të montohen, dhe kjo redukton rrezikun e dëmtimeve gjatë transportit.