Në Uoruik mbrojnë gjallesat dhe mjedisin
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të ndërtojnë selinë e re botërore afër Liqenit të Pyllit Sterling (Liqeni i Kaltër) në zonën rurale të shtetit të Nju-Jorkut. Si po i mbrojnë gjallesat dhe habitatin atje?
Dëshmitarët ngritën një gardh të përkohshëm përqark kantierit, që gjarpërinjtë me zile dhe dy lloje breshkash toke (Terrapene carolina carolina dhe Clemmys insculpta) të mos hyjnë në zonën ku mund të dëmtohen. Gardhi kontrollohet rregullisht për t’u siguruar që kafshët nuk mund ta kalojnë dhe nuk ngecin aty ku bëhen punimet. Pasi të mbarojë ndërtimi dhe të hiqet gardhi, çdo gjarpër me zile që gjendet tepër afër ndërtesave do ta çojë në një shtëpi të re një ekspert në këtë fushë.
Pemët u prenë muajve të dimrit, për të mos shqetësuar një lloj mëllenje blu (Sialia sialis) gjatë sezonit kur ndërton çerdhen. Kur të mbarojë ndërtimi në këto zona, Dëshmitarët do të vënë fole prej druri si një ftesë që zogjtë të kthehen.
Veç kësaj, nivelimi i truallit e pastrimi i disa hapësirave nga bimët bëhet në periudhën tetor-mars, që të mos pengohen përhapja dhe mugullimi i farave të hisopit lulekësulë (lloji i rrezikuar Scutellaria integrifolia). Ky program po ndiqet edhe pse në zonën e projektit në Uoruik nuk është gjetur asnjë bimë e tillë që nga viti 2007.
Në Liqenin e Pyllit Sterling, në kufi të kantierit, ka një larmi shpendësh uji, si edhe peshq, si: troftë, levrek, mlysh dhe sharrmak. Për të mbrojtur liqenin, projektuesit zgjodhën një sërë teknikash ndërtimi që nuk dëmtojnë natyrën. Këto përfshijnë mbjelljen e bimëve në çatitë e ndërtesave, që të zbutet derdhja e ujit të shiut dhe të pastrohet nga lëndët ndotëse. Po mbrohet edhe bimësia që rritet në brigjet e liqenit.
Një Dëshmitar që merret nga afër me këto aspekte të projektit, thotë: «Paçka se e gjithë kjo kërkon planifikim dhe kohë shtesë, jemi të vendosur ta mbrojmë ekosistemin në Uoruik.»