Punojnë krah për krah me Dëshmitarët e Jehovait në Uoruik
Fryma vullnetare në projektin e ndërtimit në Uoruik mahniti shumë vëzhgues. Drejtori i një firme që instalon ashensorët i tha një punëtori: «Skuadra juaj po bën një punë të jashtëzakonshme. Shumica e njerëzve sot nuk e shfrytëzojnë kohën për punë vullnetare.»
Në fillim, kur ai dhe të tjerët dëgjuan se punëtorët që do të ndërtonin selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, do të ishin kryesisht vullnetarë, menduan se do të ishin Dëshmitarë vendës që do të punonin vetëm në fundjavë. U habitën kur takuan persona që kishin lënë punën dhe kishin ardhur nga i gjithë vendi për të punuar me projektin për muaj, madje për vite.
Deri në fund të vitit 2015, rreth 23.000 vullnetarë Dëshmitarë kishin punuar në Uoruik përkrah anëtarëve të familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara. Përveç tyre, edhe rreth 750 punëtorë ndërtimi që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait, ndihmuan që projekti t’i përmbahej afatit. Puna nga afër me Dëshmitarët e Jehovait u la mbresa të thella dhe pozitive shumë prej këtyre ustallarëve.
Një ambient freskues
Menaxheri i një kompanie që prodhon dritare dhe mure, shkroi: «Të gjithë ata të kompanisë sonë që ishin përfshirë në këtë projekt, janë mrekulluar nga sjellja e atyre me të cilët kanë bashkëpunuar. Për këtë arsye shumë prej nesh duan të punojnë në këtë projekt.»
Një kompani tjetër siguroi personelin për të ndihmuar në ngritjen e karabinave të godinave të banimit. Kur përfundoi kontrata e kompanisë, tre nga punonjësit e saj ishin të vendosur të qëndronin në Uoruik. Lanë punën dhe iu bashkuan një kompanie tjetër që akoma punonte aty.
Cilësitë e krishtere që shfaqën Dëshmitarët patën ndikim pozitiv te disa nga punëtorët. Një burrë punonte në një kompani që hodhi themelet e ndërtesave. Pasi punoi në Uoruik për disa muaj, e shoqja dalloi goxha ndryshim te qëndrimi dhe gjuha që përdorte në shtëpi. E kënaqur tha: «Gati nuk po e njoh fare.»
‘Gratë Dëshmitare do të vijnë’
Shumë nga Dëshmitarët që punuan në kantier, ishin gra. Ato jo vetëm që ngisnin autobusët, pastronin dhomat dhe bënin punë sekretarie, por edhe drejtonin trafikun, vinin në punë makineri të rënda, lidhnin kabllo me fibra optikë, izolonin tuba, fiksonin dhe përfundonin mure me pllaka gipsi, instalonin sisteme hidraulike dhe derdhnin beton. Punonin fort.
Një jo Dëshmitar që punonte me çatitë, vinte re që kur çiftet zbritnin nga autobusi, disa prej tyre ishin të kapur prej dore ndërsa shkonin për të punuar. Kjo e preku. Gjithashtu pa që gratë punonin pa u lodhur për projektin. «Në fillim mund të mendoje se gratë thjesht po shoqëronin bashkëshortët,—tha ai.—Por, kur bëhet fjalë për punë, ato nuk përtojnë. Kam punuar në kantiere ndërtimi në gjithë qytetin e Nju-Jorkut, por kurrë s’kisha parë një gjë të tillë.»
Dimri i 2014-2015-s ishte jashtëzakonisht i ashpër dhe të tundonte ideja të rrije në shtëpi në vend se të punoje jashtë gjithë ditën në acar. Jeremia, një Dëshmitar që merrej me mbikëqyrjen e ndërtimit, kujton: «Gjatë ditëve veçanërisht të ftohta, një përgjegjës për themelet në një nga firmat e ndërtimit më pyeste ndonjëherë: ‘Edhe nesër do të punojnë gratë tuaja?’
—Po!
—Edhe ato që qëndrojnë jashtë për të orientuar automjetet?
—Po!
Më vonë tha se u kishte kërkuar punëtorëve të tij të vinin për të punuar meqenëse edhe gratë Dëshmitare do të vinin.»
Shoferëve të autobusëve u pëlqente shumë puna
Më shumë se 35 shoferë autobusësh ishin punësuar për t’i marrë dhe për t’i çuar vullnetarët e Uoruikut në vendet ku ishin strehuar.
Përpara një udhëtimi, një shofer u ngrit, doli para pasagjerëve dhe u tha. «Më pëlqen t’ju transportoj ju Dëshmitarë. Ju lutem çojini një email shefit tim që të vazhdoj të punoj këtu. Kam mësuar kaq shumë nga ju për Biblën. Para se t’ju takoja, nuk e dija emrin e Zotit ose që do të kishte një parajsë në tokë. Nuk kam më frikë nga vdekja. Kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ditën tjetër që do të kem pushim, do të më shihni në Sallën e Mbretërisë.»
Damiana, një Dëshmitare që punonte në Uoruik, tha: «Një ditë, pasi kishim hipur në autobus, shoferi na njoftoi se do na thoshte diçka. Na tha se kishte transportuar 4.000 Dëshmitarë duke i çuar dhe duke i marrë nga kantierë të ndryshëm në Nju-Jork. Ai u shpreh: ‘Të gjithë njerëzit kanë mendime të ndryshme, kurse ju i kapërceni ndryshimet dhe punoni krah për krah. Kjo është gjë e bukur.’ Na tha dhe se i pëlqente shumë të fliste me ne.
Pasi mbaroi së foluri, një nga Dëshmitarët në autobus e pyeti: ‘A të pëlqen kur këndojmë?’
Ai qeshi me gjithë shpirt dhe tha: ‘Po! Fillojmë me këngën 134?’» a
a Kënga 134 nga libri Këndojini Jehovait titullohet «Përfytyro çdo gjë të re». Aty përshkruhet gëzimi që do të ndiejnë ata që do të jetojnë në botën e re të Perëndisë.