Vullnetarët transformojnë kompleksin në Tëksido
Ja një mëngjes tipik në Tëksido, Nju-Jork. Është ora shtatë pa një çerek e mëngjesit, qielli është i kaltër dhe një shtresë e hollë akulli mbulon liqenin e vogël pranë ndërtesës katërkatëshe ku po hyjnë gra e burra të rinj. Me veshje pune e çizme, këtë mëngjes kanë ardhur nga hotelet e rezidencat aty pranë dhe nga qytete të tjera, si Patterson, Uollkill, madje edhe nga Bruklini që gjendet rreth 80 kilometra larg.
Faktikisht pjesa dërrmuese e tyre jetojnë shumë më larg, në vende të tjera të Shteteve të Bashkuara e përtej. Por kanë dalë vullnetarë të vijnë e të punojnë këtu, disa për një ose gjashtë javë dhe të tjerë për më gjatë. I kanë hequr vetë shpenzimet e udhëtimit dhe nuk paguhen për punën që bëjnë. Gjithsesi janë shumë të kënaqur që kanë ardhur.
Sot janë rreth 120 vullnetarë, por në muajt vijues numri do të rritet. Hyjnë në dhomën e ngrënies dhe ulen nëpër tavolina me nga dhjetë veta. Shumë marrin kafe, ndërsa nga kuzhina ndihet aroma e bacon. Në orën 7 fiks të mëngjesit televizorët transmetojnë shqyrtimin e një vargu nga Bibla. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë kamerierët shërbejnë mëngjesin. Bashkë me bacon sjellin bukë, vezë dhe tërshërë. Ka ushqim me bollëk.
Pas lutjes mbyllëse në fund të vaktit, është koha për punë. Punëtorët e ndërtimit bisedojnë të qeshur teksa vënë kaskat, syzet mbrojtëse, jelekët fluoreshentë dhe pajisjet e rënda në brez.
Kompleksi që dikur përdorej nga International Paper Company në Tëksido, duhet transformuar në një kantier për ndërtimin e selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, e cila do të ngrihet pak kilometra larg, në Uoruik. Në godinat ekzistuese po ndërtohen zyra, dhoma banimi, punishte dhe depo. Të martën, më 12 mars 2013, bordi i urbanistikës së vendit dha leje ndërtimi me disa kushte për projektin në Tëksido.
Si mirëpriten vullnetarët e përkohshëm kur mbërrijnë në vendet që do të strehohen? William nga New Jersey thotë: «Kur hyn në recepsion, vëllezërit që punojnë atje të tregojnë gjërat kryesore: në cilën dhomë do të rrish, si të shkosh nga një godinë në tjetrën dhe si të përdorësh çelësat. Të gjithë të ndihmojnë. Kur arrin në Tëksido, pasi mbaron mëngjesin, takon drejtuesin e skuadrës që të shpjegon çfarë pune do të bësh.»
Si ndihen ata që punojnë këtu? Yajaira bashkë me burrin kanë ardhur nga Porto-Rikoja dhe ndihmojnë me skeletin e ndërtesës dhe muret e gjipsit. Ajo tregon: «Zgjohemi rreth orës 4.30 të mëngjesit. Pastrojmë apartamentin, marrim shpejt e shpejt një filxhan kafe dhe hipim në autobusin që na është siguruar. Jemi të lodhur në fund të ditës, por qeshim tërë kohën. Të gjithë janë shumë të lumtur.»
Tokën në Uoruik e rrethojnë pyjet. Zach dhe gruaja e tij, Beth, nga Minesota, ndihmojnë me përgatitjet e truallit në Uoruik. Kur i pyetën pse kanë ardhur, Beth pohon: «Besojmë se nuk ka qëllim më të mirë në jetë se t’i shërbesh Jehovait. Duam t’i përdorim aftësitë në shërbim të tij.»