Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët në Itali u japin një dorë fqinjëve

Dëshmitarët në Itali u japin një dorë fqinjëve

Shirat e rrëmbyera që përfshinë Italinë Veriore në fund të nëntorit 2016, përmbytën disa fshatra në jug të qytetit të Monkalierit. Në disa vende uji arrinte në mbi gjysmë metri. Një gazetë raportonte: «Uji nuk kurseu asnjë dhe asgjë.» Rreth 1.500 banorë u evakuan menjëherë nga autoritetet vendëse dhe, falë shkathtësisë së skuadrave të shpëtimit, askush nuk humbi jetën. Gjithsesi, shumë familje pësuan humbje materiale.

Ndihmojnë duke punuar si skuadër

Skuadrat me Dëshmitarë vendës iu përveshën punës menjëherë. Ato ndihmuan familjet e prekura duke hequr me lopatë baltën dhe mbeturina të tjera nga shtëpitë e tyre, e duke shpëtuar ç’të mundnin: mobilie dhe zotërime personale. Në një rast, një skuadër që kishte me vete pajisje dhe ushqim të ngrohtë, u gjend përballë një rruge ku ndalohej kalimi, megjithatë, autoritetet i lanë të kalonin që t’i vinin në ndihmë një familjeje në nevojë. Dëshmitarët u dhanë një dorë si bashkëbesimtarëve, edhe fqinjëve që u përkitnin besimeve të tjera.

Për shembull, kati nëntokësor i një pallati ishte përmbytur plotësisht. Pasi skuadrat e shpëtimit hoqën ujin, një skuadër e madhe me Dëshmitarë ndihmuan një bashkëbesimtar me emrin Antonio dhe familjen e tij për të pastruar bodrumin nga mbetjet. Pastaj, vullnetarët ndihmuan edhe banorë të tjerë të pallatit. Ata u vendosën zinxhir njëri pas tjetrit dhe boshatisën të gjitha bodrumet në vetëm pak orë. Të gjithë e çmuan thellësisht ndihmën e tyre. Viviana, banore e pallatit, iu afrua gruas së Antonios dhe me lot në sy i tha plot mirënjohje: «Të lutem, falënderoji vëllezërit e tu nga ne—jeni vërtet të jashtëzakonshëm!»

Në një fshat goxha të dëmtuar nga përmbytja, banorët vërejtën skuadrat e Dëshmitarëve që po ndihmonin pas katastrofës. Aq shumë u prekën, sa disa dolën vullnetarë t’u bashkoheshin këtyre skuadrave dhe, të kënaqur, ndoqën udhëzimet e drejtuesit të skuadrës.

Çmueshmëri për ‘ndihmën që s’ka të çmuar’

Shtëpia e një burri ishte dëmtuar rëndë, ndërsa garazhin ia kishte mbuluar balta. Ai s’po u besonte syve kur pa tetë Dëshmitarë që punuan pa pushim për katër orë që të pastronin garazhin nga mbeturinat. Plot mirënjohje, përqafoi disa prej punëtorëve dhe postoi një mesazh në median sociale për t’i falënderuar «për ndihmën që s’kishte të çmuar».

Një Dëshmitar tregon: «Ndihmuam disa nga fqinjët që nuk janë Dëshmitarë, shumë prej të cilëve janë te të 80-at. Disa ishin kaq mirënjohës sa, me lot në sy, na falënderuan për ndihmën që u dhamë.» Një nga fqinjët që është goxha aktiv në kishën katolike vendëse, u tha Dëshmitarëve se e vlerësonte jashtë mase ndihmën e tyre, dhe shtoi: «Ishte e mrekullueshme që ndonëse pikëpamjet fetare nuk na përputhen, i dhamë një dorë njëri-tjetrit.» Një burrë tjetër tha: «Më vjen keq që njerëzit ju njohin vetëm si ata që trokasin derë më derë të dielave paradite, dhe jo për ndihmën që jepni.»