Një fushatë që shpëtoi jetë
Meqë në shtetin meksikan të Tabaskos numri i vetëvrasjeve është i lartë, Dëshmitarët e Jehovait organizuan një fushatë speciale dymujore në vitin 2017 që të rishpërndanin revistën Zgjohuni! të prillit 2014 me titull «Jo vetëvrasjes!—Tri arsye pse ia vlen të jetosh». Fushata u vlerësua pa masë.
Ndihmë në kohën e duhur
Faustinoja, një Dëshmitar i Jehovait, foli me një grua që ishte e shqetësuar për të birin 22-vjeçar. I riu vuante nga depresioni dhe kishte tentuar të vetëvritej. E ëma nuk dinte si ta ndihmonte. Mirëpo, kur Faustinoja i ofroi revistën, ajo i tha: «Kjo është tamam ajo që i duhet tim biri!» Të nesërmen ai takoi djalin e saj dhe folën për këshillat biblike që theksoheshin në revistë. Pas disa bisedave, pikëpamja për jetën dhe gjendja emocionale e të riut u përmirësuan dukshëm. Faustinoja u shpreh: «Tani duket më i qetë dhe më i lumtur.» Gjithashtu, gjërat që mëson, i riu ia tregon të vëllait, i cili po ashtu, vuan nga depresioni.
Karla, që jeton në qytetin e Huimanguilos, përdori revistën për të ndihmuar një shoqe klase. Ajo tregon: «Vura re sa e trishtuar ishte një vajzë 14-vjeçare në klasën time. Fola me të dhe më shpjegoi pak për situatën në familje. Ndërsa bisedonim, pashë që kishte vraga në dorën e majtë.» U kuptua se vajza e kishte zakon të bënte prerje te duart dhe te këmbët. Mendonte se ishte e shëmtuar dhe se jeta e saj s’kishte pikë vlere. Karla i dha revistën Zgjohuni! Pasi e lexoi, vajza i tha Karlës se i ishte dukur sikur ishte shkruar kastile për të. Duke buzëqeshur, tha se tani beson se ia vlen të jetosh.
Në qytetin e Vilahermosës, një burrë ishte i dëshpëruar pasi kishte humbur punën dhe e shoqja kishte braktisur atë dhe fëmijët. I ishte lutur Zotit për ndihmë, por ende ndihej i pashpresë. Ishte gati të vriste veten kur i trokitën në derë dy Dëshmitarë të Jehovait, Martini dhe Migeli. Ai hapi derën dhe Dëshmitarët i ofruan revistën Zgjohuni! Kur pa titullin, burrit iu duk se kjo ishte përgjigjja e lutjes së tij. Dëshmitarët i ofruan ngushëllim nga Bibla dhe, kur u kthyen pas ca ditësh, ai ishte më i qetë. Tani studiojnë Biblën së bashku dy herë në javë.
Të burgosurit marrin lajmin e mirë
Si pjesë e fushatës, Dëshmitarët vizituan disa burgje në shtetin e Tabaskos, për t’u treguar të burgosurve këshilla nga Bibla që t’i ndihmonin të kishin një qëllim në jetë. Dëshmitarët përgatitën një prezantim ku përfshiheshin video, një fjalim biblik, si edhe një diskutim për arsyet pse ia vlen të jetosh për të cilat flitej në revistë. Si të burgosurit, si personeli i burgut i çmuan këto vizita. Për shembull, një i burgosur, tha: «Tri herë kam tentuar të vras veten. Disa më thoshin se Zoti interesohej për mua, por kurrë nuk më treguan nga Bibla se kjo ishte e vërtetë. Fjalët tuaja më dhanë vërtet zemër.»
Fushata nuk kaloi pa u vënë re. Sekretari i shtetit për shëndetin i përgëzoi Dëshmitarët që përpiqen të ndihmojnë komunitetin, kurse një gazetë vendëse botoi një artikull për fushatën, me titull «Dalin që të luftojnë vetëvrasjen».