Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait në Hungari lavdërohen për parandalimin e përmbytjeve

Dëshmitarët e Jehovait në Hungari lavdërohen për parandalimin e përmbytjeve

Në qershor të 2013-s, si pasojë e reshjeve të dendura, lumenjtë shkaktuan përmbytje në Evropën Qendrore. Në Hungari, lumi Danub, thuajse në gjithë gjatësinë e tij, arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në histori.

Për shkak të kësaj situate emergjente, Ministria Hungareze e Burimeve Njerëzore i kërkoi degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Hungari nëse Dëshmitarët mund të ndihmonin për parandalimin e dëmeve nga përmbytja. Dega iu përgjigj kësaj kërkese dhe ftoi kongregacionet përgjatë lumit Danub të ndihmonin autoritetet vendore për të parandaluar përmbytjet.

Përgjigjja e kongregacioneve ishte e jashtëzakonshme. Në ditët pasuese, më se 900 Dëshmitarë nga 72 kongregacione ndihmuan për përforcimin e brigjeve të lumit. Atyre iu kërkua të mbanin një distinktiv ku ishte shkruar «Dëshmitarët e Jehovait», si dhe emri i tyre e i qytetit nga vinin.

Në një qytet, një përfaqësues i Kryqit të Kuq i dërgoi këtë mesazh një kongregacioni: «I meritoni falënderimet dhe respektin tonë, pasi rrallë e shohim këtë lloj uniteti dhe gatishmërie për të ndihmuar​—pa llogaritur nga sa larg keni ardhur. E përmend tërë krenari në qytet shembullin tuaj të mrekullueshëm!»

Drejtuesi i një organizate që ndihmon në raste katastrofash, i cili është edhe anëtar i parlamentit hungarez, i dërgoi zyrës së degës një letër falënderimi për mbështetjen e tyre të shkëlqyer.