Kalo te përmbajtja

U japin zemër dhe ndihmë praktike të sëmurëve

U japin zemër dhe ndihmë praktike të sëmurëve

Njerëzit që kanë probleme të rënda shëndetësore mund t’i zërë kollaj ankthi, dhe nëse u duhet kujdes spitalor, rëndohen më shumë emocionalisht. Prandaj, siç thuhej në një botim periodik për specialistët e mjekësisë, «studimet tregojnë se plotësimi i nevojave emocionale dhe shpirtërore ndikon thellësisht te shëndeti i pacientëve». a

Për të plotësuar këto nevoja, Dëshmitarët e Jehovait u japin zemër nga Bibla dhe ndihmë praktike bashkëbesimtarëve që janë në spital. Pleqtë vendës marrin iniciativën të vizitojnë Dëshmitarët në kongregacionin e tyre që janë sëmurë. Po nëse një pacient Dëshmitar është në një spital shumë larg shtëpisë? Në qytetet e mëdha nëpër botë Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar Grupet e Vizitave te Pacientët (GVP). Pleqtë e kongregacionit që janë pjesë e këtyre grupeve, shkojnë rregullisht në spitale për të ndihmuar pacientët Dëshmitarë dhe familjet e tyre që kanë ardhur nga pjesë të tjera të vendit, a madje nga vende të tjera, që të marrin ndihmë mjekësore. Ka mbi 28.000 vullnetarë në rreth 1.900 GVP në 6 kontinente. b

Si japin zemër nga Bibla GVP-të?

Uilliami, pjesëtar i një GVP-je, thotë: «U kam dhënë zemër Dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre jo Dëshmitarë vetëm duke u treguar i gatshëm për të folur e për të dëgjuar. I siguroj që Perëndia Jehova e di çfarë situate po kalojnë dhe interesohet për ta. Pacientët dhe familjarët e tyre e vlerësojnë shumë kur lutesh për ta.»

Shumë veta kanë shprehur mirënjohjen për inkurajimin që kanë marrë nga vizitat e GPV-ve. Më poshtë tregohen disa shembuj nga Shtetet e Bashkuara, ku ka gati 7.000 vëllezër në Grupet e Vizitave te Pacientët.

  • Prishila thotë: «Faleminderit që ma vizituat babin në spital pasi pësoi iktus. Vizitat tuaja e prekën thellë. U mahnit që ekzistonte kjo masë. Mendoj se ato vizita e ndihmuan ta merrte veten më shpejt.»

  • Ofelia, mamaja e së cilës vdiq, i tha përfaqësuesit të GPV-së: «Mami i vlerësonte shumë vizitat tuaja. E dinte se ju kishte dërguar Jehovai. Faleminderit për kujdesin e dashur që treguat!»

  • Një pacient u pikëllua dhe e zuri ankthi kur i thanë se i kishin ngelur vetëm pak ditë jetë. Xhejmsi, një vëlla që shërben në GVP, qëndroi me të dhe i tregoi fjalët inkurajuese të Biblës që gjenden te Filipianëve 4:6, 7. Xhejmsi thotë: «Kur i shkova për vizitë të nesërmen, qëndrimi i tij kishte ndryshuar si nata me ditën. Pavarësisht nga prognoza, tani ishte optimist për ndihmën e Jehovait. Në të vërtetë më inkurajoi.»

Si japin ndihmë praktike GVP-të?

Paulina, që i vdiq bashkëshorti në një spital larg shtëpisë, shkroi: «Shumë faleminderit që na ndihmuat në kohën më stresuese që ka kaluar familja jonë! Vetëm dijenia se do të ishit në spital për të na takuar edhe në mes të natës, ndonëse të nesërmen do të iknit në punë, na jepte zemër. Faleminderit që i siguruat një vend për të fjetur të 11 pjesëtarëve të familjes sonë, dhe që u interesuat për ne në çdo moment! I jam mirënjohëse Jehovait dhe organizatës së tij që ka siguruar një masë të tillë për të na dhënë zemër!»

Niki, Gejli dhe Robin patën një aksident rrugor rreth 300 km larg shtëpisë. Karlosi, pjesëtar i GVP-së, mori vesh për këtë dhe i takoi në spital kur mbërritën. Ai thotë: «U ofrova t’i ndihmoja me çfarëdolloj gjëje, dhe si përfundim mbajta qenin e vogël të Nikit që ajo të hynte brenda e të merrte ndihmën e nevojshme mjekësore.» Më vonë mbërriti në spital Kërtisi, pjesëtar tjetër i GVP-së, bashkë me të shoqen. Ata qëndruan në spital disa orë, derisa mbërritën familjarët e vajzave. Një mik i familjes u shpreh: «Të tria morën shumë zemër nga kujdesi që iu tregua. Por Robin, motra e Nikit, që nuk është Dëshmitare e Jehovait, mbeti pa fjalë nga ndihma e pjesëtarëve të GVP-së.»

a «Plotësimi i nevojave emocionale dhe shpirtërore te pacientët», botuar te The Joint Commission Journal on Quality and Patient Safety, dhjetor 2003, vëllimi 29, nr. 12, faqja 661.

b Si të gjithë pleqtë e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait, edhe ata që janë pjesë e GVP-ve shërbejnë si barinj të krishterë, mësues dhe ungjillëzues në kongregacionet vendëse. Nuk paguhen për punën e tyre, por e bëjnë këtë vullnetarisht dhe me gatishmëri.​—1 Pjetrit 5:2.