Libri Tregime biblike shkon në shkollë
Përkthimi në gjuhën pangasinane i botimit Libri im i tregimeve biblike, i cili doli në vitin 2012, po ndihmon nxënësit që flasin këtë gjuhë në Filipine. Botimi përputhet mirë me drejtimin e Seksionit të Arsimit në Filipine për përdorimin e gjuhës amtare në mësimdhënie në shkollat fillore.
Në Filipine fliten mbi 100 gjuhë dhe pyetja se cila gjuhë do të përdoret në klasë, ka qenë objekt debati për shumë kohë. Në vitin 2012, një urdhër nga Seksioni i Arsimit nxori në pah se «përdorimi i gjuhës që flasin në shtëpi», bën që «nxënësit të mësojnë më mirë dhe më shpejt». Si rezultat, u krijua programi «Arsimimi shumëgjuhësh me bazë gjuhën amtare».
Gjuha pangasinane ishte një nga gjuhët që u zgjodh të përdorej. Por kishte një problem. Thuhet se një drejtor shkolle pranoi se nuk ka shumë materiale shkollore për nxënësit e kësaj gjuhe. Kështu, erdhi koha e duhur që Dëshmitarët e Jehovait të nxirrnin botimin Libri im i tregimeve biblike në gjuhën pangasinane në kongreset e tyre krahinore në nëntor të vitit 2012.
Rreth 10.000 kopje të këtij libri u shtypën dhe u shpërndanë në kongrese. Fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre fluturuan nga gëzimi kur morën një libër në gjuhën amtare. Një çift tha: «Fëmijët tanë e duan shumë sepse arrijnë ta kuptojnë plotësisht.»
Fill pas kongresit, disa Dëshmitarë i morën me vete librat Tregime biblike në një shkollë në qytetin Dagupan. Mësuesve, të cilët po stërmundoheshin të gjenin materiale në gjuhën pangasinane, iu çel fytyra kur panë librin. U shpërndanë më tepër se 340 kopje. Mësuesit nuk humbën kohë dhe nisën ta përdornin librin për t’i mësuar fëmijët të lexonin në gjuhën amtare.
Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur që ky botim po i ndihmon fëmijët e vegjël të arsimohen. Një nga përkthyesit që ndihmoi për përkthimin e botimit Libri im i tregimeve biblike, tha: «Prej kohësh e kemi kuptuar sa vlerë ka të nxjerrësh botime në gjuhën amtare për t’u prekur zemrën. Ja pse Dëshmitarët përpiqen të përkthejnë Biblën dhe literaturë biblike në qindra gjuhë.»