Ndihmojnë refugjatët në Evropën Qendrore
Vitet e fundit në Evropë ka vërshuar një numër i madh refugjatësh nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia Jugore. Agjencitë shtetërore dhe vullnetarë vendës po përpiqen t’u sigurojnë ushqim, strehim dhe kujdes mjekësor.
Sigurisht, refugjatëve nuk u duhet vetëm ndihmë materiale. Shumë vuajnë nga trauma, ndaj kanë nevojë edhe për ngushëllim e shpresë. Dëshmitarët e Jehovait në Evropën Qendrore po përpiqen fort t’ua plotësojnë këto nevoja, duke i dëgjuar dhe duke u dhënë zemër nga Bibla.
Ngushëllim nga Bibla
Që nga gushti 2015 Dëshmitarë nga mbi 300 kongregacione në Austri dhe Gjermani kanë bërë përpjekje të veçanta për t’u dhënë zemër refugjatëve. Ata kanë vënë re se refugjatët kënaqen kur marrin përgjigje nga Bibla për këto pyetje:
Nga gushti deri në tetor 2015 Dëshmitarët vendës porositën mbi katër tonë literaturë biblike nga zyra e degës në Evropën Qendrore dhe ua dhanë falas refugjatëve.
Kapërcehet hendeku i gjuhëve
Shumë refugjatë flasin vetëm gjuhën amtare. Prandaj, Dëshmitarët përdorin sitin jw.org, që përmban artikuj dhe video në qindra gjuhë. Matiasi dhe Petra, vullnetarë nga Erfurti, Gjermani, thanë: «Ndonjëherë komunikojmë me gjeste, figura ose vizatime.» Dëshmitarët përdorin edhe JW Language, një aplikacion për të mësuar një gjuhë, që i ndihmon t’u japin refugjatëve mesazhin biblik në gjuhën e tyre. Të tjerë përdorin aplikacionin shumëgjuhësh JW Library për të lexuar shkrime e për të treguar video.
Një reagim befasues
Një çift Dëshmitarësh nga Shvajnfurti, Gjermani, tregon: «Përreth nesh u mblodhën turma njerëzish. Vetëm për dy orë e gjysmë refugjatët morën gati 360 botime. Disa falënderonin duke ulur pak kokën.» Ndërsa Volfgangu, një vullnetar nga Diezi, Gjermani, tha: «Refugjatët kënaqen që dikush interesohet për ta. Ndonjëherë kërkojnë literaturë në pesë ose gjashtë gjuhë.»
Mjaft veta fillojnë ta lexojnë botimin menjëherë, ndërsa të tjerë kthehen për t’i falënderuar Dëshmitarët. Ilonka, një Dëshmitare në Berlin, tregon: «Dy të rinj morën disa botime dhe pas gjysmë ore u kthyen që të na sillnin pak bukë si dhuratë. Kërkuan të falur që nuk kishin gjë tjetër për të shprehur mirënjohjen.»
«Faleminderit! Shumë faleminderit!»
Përpjekjet e Dëshmitarëve vullnetarë çmohen edhe nga punonjësit socialë, autoritetet dhe fqinjët. Një punonjës social që kujdeset për gati 300 refugjatë, u shpreh gjithë vlerësim: «Faleminderit! Shumë faleminderit që merakoseni për mirëqenien e emigrantëve!» Një tjetër punëtor social në një kamp u tha Dëshmitarëve se bëjnë mirë që u japin refugjatëve diçka domethënëse për të lexuar në gjuhën e vet, «meqë në këtë moment jeta e tyre s’është veçse tri vakte në ditë».
Marioni dhe i shoqi, Stefani, që jetojnë në Austri, i shpjeguan qëllimin e punës së tyre vullnetare dy policëve që po patrullonin. Policët i falënderuan dhe u kërkuan dy libra. Marioni vëren: «Policët na lavdërojnë shpesh për punën që bëjmë.»
Një grua në Austri që rregullisht i jep ndihma një kampi, shihte se, pavarësisht nga moti, Dëshmitarët ishin aty që të ndihmonin refugjatët. Një ditë u tha: «S’ka dyshim se refugjatët kanë nevojë për ndihmë materiale, por ajo që u duhet më shumë, është shpresa. Dhe ju po u jepni pikërisht këtë.»