Parandalohet një vetëvrasje në ndërtesën Sky Tower
Graham Browne, një 80-vjeçar Dëshmitar i Jehovait, ndihmoi një burrë me çrregullime mendore që të mos hidhej nga ndërtesa Sky Tower, 328 metra e lartë, në Oklend të Zelandës së Re. Graham tha: «Kur ai kërkoi të fliste me një Dëshmitar të Jehovait, policia më pyeti nëse mund të bëja diçka.
Stafi i godinës më vuri rrip sigurimi, kurse Biblën time e lidhën me një litar të gjatë. Më pas policia më nxori në ballkonin e godinës, 192 metra i lartë. Atje frynte një erë e acartë. Burri që po kërcënonte të hidhej, ishte ulur jo shumë larg meje në skajin e ndërtesës me këmbët varur poshtë.
I thashë se isha Dëshmitar i Jehovait dhe se doja ta ndihmoja. Më vonë, pasi bëra një lutje në heshtje, hapa Biblën dhe nisa t’i flitja.
I fola për shenjtërinë e jetës, tema e një fjalimi që kisha mbajtur kohët e fundit në Sallën e Mbretërisë.
I thashë: ‘Je i çmuar për Perëndinë, i cili të ka dhënë një dhuratë të mrekullueshme, jetën. Pse nuk i tregon se e vlerëson shumë këtë dhuratë? Të lutem, hajde te zona e sigurt.’
Gjithashtu i lexova disa vargje biblike, përfshirë Gjonin 3:16 ku thuhet: ‘Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.’
I thashë: ‘Pra, Perëndia të do dhe dëshiron që të jetosh.’
Në fillim, dukej sikur burri nuk po dëgjonte. Kështu, iu luta në heshtje Jehovait të më ndihmonte që ta bindja të mos hidhej. Më në fund, u ngrit ngadalë dhe u afrua drejt meje. Dukej tepër i shqetësuar.
Ai tha: ‘Kohët e fundit, Dëshmitarët e Jehovait më erdhën në shtëpi, por i dëbova. Ndihem shumë keq për këtë. A mund të më falësh, të lutem?’
E qetësova me fjalët: ‘Edhe disa nga ne kanë bërë si ti para se të ishim Dëshmitarë. Të jesh i sigurt se Jehovai do të të falë.’
Ai u përgjigj: ‘Faleminderit! Më lehtësove shumë.’
Vazhdova: ‘Jam vërtet në merak për ty. Unë kam rrip sigurimi, por nëse ti rrëshqet, do të humbësh jetën e çmuar. Kjo do ta trishtonte Jehovain. Prandaj, të lutem hajde te zona e sigurt.’
E pashë që ndryshoi çehre dhe u përgjigj me qetësi: ‘Mirë, po vij.’
Ai bëri ca hapa në brendësi të ballkonit dhe, sakaq, policia e çoi në zonën e sigurt. Kishim folur për rreth një orë.»
Dëshmitarët e Jehovait interesohen sinqerisht për njerëzit, sidomos për ata që janë të dëshpëruar. Anekënd botës, ata përdorin Shkrimet e Shenjta për t’u dhënë shpresë e ngushëllim njerëzve. I sigurojnë se Perëndia interesohet vërtet për ta.