Si do të ndikonte një Sallë Mbretërie në lagjen tënde?
Për më se një shekull Dëshmitarët e Jehovait i kanë projektuar dhe i kanë ndërtuar vetë vendet e tyre të adhurimit. A po ndërtohet në zonën tënde ndonjë vend adhurimi, që quhet Sallë Mbretërie? Si mund të ndikojë për mirë në lagjen tënde një Sallë Mbretërie?
«Një dhuratë e këndshme për komunitetin»
Sallat e Mbretërisë janë projektuar për t’ia shtuar lezetin lagjes. Xhejsoni, që ndihmon me koordinimin e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Synojmë që çdo Sallë Mbretërie të jetë ndër ndërtesat më tërheqëse dhe dinjitoze në zonë.» Një arkitekt Dëshmitar, që punon me skuadrën e projektimit, shton: «Duam që në fund të jetë një dhuratë e këndshme për komunitetin dhe t’ua shtojë vlerën pronave përreth.»
Punëtorët që ndërtojnë Sallat e Mbretërisë, janë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët interesohen thellësisht që ndërtesat të jenë të një cilësie të lartë. Puna e tyre mjeshtërore bie shpesh në sy të të tjerëve. Për shembull, kohët e fundit në Riçmond, Teksas, SHBA, u ndërtua një Sallë Mbretërie. Një inspektor ndërtimi vendës tha se çatia e saj ishte ndër më cilësoret që kishte parë ndonjëherë. Në ishullin e Xhamajkës, një inspektor ndërtimi shoqëroi një grup me inspektorë të rinj për të vizituar kantierin ku po ndërtohej një Sallë Mbretërie, dhe u tha: «S’ka pse të shqetësoheni kurrë për këta njerëz. Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen me përpikëri projektit, madje bëjnë më shumë se ç’kërkojnë ligjet për ndërtimin.» Një inspektor ndërtimi në një qytet në Florida, SHBA, u shpreh: «Kam inspektuar spitale dhe projekte të mëdha qeveritare, mirëpo, asnjëra nuk kishte një organizim të tillë. Ju bëni një punë të shkëlqyer.»
Ndikojnë për mirë në lagje
Mbledhjet në Sallën e Mbretërisë ndikojnë për mirë në jetën e atyre që marrin pjesë. Ato i kanë ndihmuar pjesëmarrësit të bëhen baballarë, nëna dhe fëmijë më të mirë. Rodi, që punon në një skuadër projektimi të Sallave të Mbretërisë, shpjegon: «Çdo Sallë Mbretërie është një qendër arsimimi që nxit norma të larta morale, në dobi të gjithë banorëve të lagjes.» Ai shton: «Këtu mund të gjesh ndihmë kur has vështirësi në jetë. Brenda është një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, mikpritëse dhe që i sjell dobi gjithkujt që ka nevojë për ngushëllim e që i pëlqen të mësojë më shumë për Perëndinë.»
Ata që mblidhen në Sallat e Mbretërisë merakosen për të tjerët dhe u vijnë shpejt në ndihmë në rast katastrofash. Për shembull, më 2016, pasi uragani Methju goditi ishujt Bahamas, Dëshmitarët e Jehovait riparuan 254 shtëpi. Në një lagje, skuadrës së Dëshmitarëve që po ndihmonte pas katastrofës, iu afrua një e moshuar 80 vjeçare me emrin Violeta, së cilës iu përmbyt shtëpia. Ajo u tha se do t’i paguante për çdo lloj ndihme që mund të jepnin. Dëshmitarët nuk pranuan asnjë pagesë, por i riparuan çatinë që të mos i pikonte më. Më pas fiksuan pllaka gipsi në tavanin e dhomën së ndenjjes dhe i suvatuan. Kur mbaruan, Violeta përqafoi secilin, i falënderoi disa herë dhe tha me gjithë zemër: «Ju jeni vërtet njerëz të Zotit!»
‘Jemi të kënaqur që kjo Sallë Mbretërie është në komunitetin tonë’
Që t’i mbajnë në gjendje shumë të mirë Sallat e Mbretërisë, Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar një program që stërvit Dëshmitarët vendës për të mirëmbajtur sallat e tyre. Kjo ka sjellë rezultate të mira. Për shembull, në një komunitet të vogël në Arizonë, një grua pranoi ftesën për të ardhur në mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Ajo komentoi se sa e mirëmbajtur ishte salla dhe i bëri shumë përshtypje kur dëgjoi për programin e mirëmbajtjes, pasi godina ishte tashmë në gjendje shumë të mirë. Gruaja shkruante për një botim periodik të qytetit dhe më vonë në të u përfshi një raport për këtë Sallë Mbretërie kaq të mirëmbajtur. Artikulli përfundonte me fjalët: «Jemi të kënaqur që kjo . . . Sallë Mbretërie është në komunitetin tonë.»
Sallat e Mbretërisë mund t’i gjesh anembanë botës. Të ftojmë përzemërsisht t’i vizitosh. Ji i sigurt se do të të mirëpresim ngrohtësisht.