Kalo te përmbajtja

U japin shpresë e ngushëllim të moshuarve

U japin shpresë e ngushëllim të moshuarve

Në Australi, si në shumë vende të tjera, po rritet popullsia e moshës së tretë. Disa prej tyre shkojnë të jetojnë në shtëpi të moshuarish, ku stafi kujdeset me përzemërsi për shëndetin dhe për nevojat e tyre përditshme.

Sigurisht, shumë prej banorëve në këto shtëpi të moshuarish nuk kanë nevojë vetëm për ndihmë fizike. Ndonjëherë mund të jenë të mërzitur, të ndihen të vetmuar a madje të paaftë. Dëshmitarët e Jehovait japin shpresë e ngushëllim teksa vizitojnë çdo javë dy prej këtyre qendrave në Portlend, një qytet në Viktoria, Australi.

Biseda biblike enkas për shtëpitë e të moshuarve

Dëshmitarët vendës takohen me një grup banorësh për të folur për tema biblike, si ngjarjet domethënëse nga jeta e Jezuit. Xhejsoni thotë: «Lexojmë me të moshuarit një pjesë nga Bibla dhe pastaj diskutojmë bashkë rreth tregimit.» Meqë shumë prej tyre kanë probleme shëndetësore, Dëshmitarët u japin edhe shpresë e inkurajim, duke u treguar se Perëndia premton t’i fshijë njëherë e mirë sëmundjet dhe vdekjen.

Toni, një Dëshmitar vendës, tregon: «Në fillim flisnim me ta për gjysmë ore, por banorët donin të rrinim më shumë. Kështu që tani bisedat tona zgjasin rreth një orë, edhe pse një prej të moshuarave na tha se do t’i pëlqente të qëndronim dy orë.» Meqë disa janë të verbër, të ngujuar në shtrat ose nuk mbajnë dot gjëra në dorë, gjatë bisedave Dëshmitarët i ndihmojnë në mënyrë praktike dhe i inkurajojnë të përfshihen sa më shumë të jetë e mundur.

Gjatë vizitës Dëshmitarët dhe banorët këndojnë disa këngë për të lëvduar Perëndinë. Shpesh të moshuarit kërkojnë më tepër. Xhoni, a një prej banorëve, tha: «Na pëlqejnë goxha muzika dhe këngët tuaja. Ato na ndihmojnë ta njohim e ta respektojmë Zotin.» Judita, një e moshuar e verbër, i ka mësuar përmendsh të gjitha fjalët e këngëve të saj të preferuara.

Dëshmitarët merakosen për mirëqenien e çdo të moshuari. Një vullnetar me emrin Brajan, tha se, nëse banorët nuk janë mirë, Dëshmitarët i shkojnë për vizitë te dhomat. Ai shprehet: «Bëjmë muhabet dhe i pyesim si ndihen. Disa herë kthehemi prapë një ditë tjetër që të shohim si është i sëmuri.»

«Ju ka dërguar Perëndia te ne»

Shumë prej të moshuarve kënaqen me këto biseda. Piteri, i cili merr pjesë çdo javë në këto diskutime, pohon: «Mezi pres të shkoj.» Judita i thotë stafit që kujdeset për të: «Është e mërkurë. Ju lutem më ndihmoni të bëhem gati për grupin e studimit të Biblës. Nuk dua të vonohem.»

Të moshuarve u pëlqejnë gjërat që mësojnë dhe ndihen afër Perëndisë më tepër se kurrë më parë. Pasi folën për një nga mësimet e Jezuit, Roberti tha: «Nuk e kisha kuptuar kurrë këtë pjesë të Biblës. Tani e kuptoj.» Davidi, i cili ka mësuar sa e rëndësishme është lutja, shprehet: «Më ka ndihmuar të lidh miqësi me Perëndinë dhe ta shoh si person real.»

Banorët janë entuziastë të mësojnë për shpresën e Biblës për të ardhmen. Një prej tyre, Lineta, u tha Dëshmitarëve: «Faleminderit që na jepni kaq shumë zemër nga Bibla!» Një tjetër u shpreh: «Ju ka dërguar Perëndia te ne.»

Margaretës i kanë pëlqyer pa masë këto biseda, sa tani i ndjek rregullisht mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në një Sallë Mbretërie vendëse. Për këtë bën përpjekje të stërmëdha për shkak të shëndetit dhe ngaqë mezi lëviz. Ajo u tha Dëshmitarëve: «Ju na keni dhënë të gjithëve një arsye pse të jetojmë.»

‘Po bëni diçka të mrekullueshme’

Edhe stafi i çmon vizitat e Dëshmitarëve. Ana, një Dëshmitare vendëse, tregon: «Stafi i inkurajon të moshuarit të marrin pjesë në këto biseda, sepse e dallon sa të lumtur duken më pas.» Brajani, i përmendur më lart, shton: «Pjesëtarët e stafit janë miqësorë dhe bashkëpunues. Ata bëjnë të pamundurën për të ndihmuar.»

Edhe familjarët e të moshuarve janë të kënaqur tek shohin sa u pëlqejnë bisedat njerëzve të tyre të dashur. Vajza e një të moshuare i lavdëroi kështu Dëshmitarët: «Kjo që po bëni për mamanë time, është diçka e mrekullueshme.»

a Emrat e të moshuarve janë ndryshuar.