Kalo te përmbajtja

Një ish-i burgosur ndryshon mënyrën e jetesës

Një ish-i burgosur ndryshon mënyrën e jetesës

Në Spanjë, Dëshmitarët e Jehovait vizitojnë 68 burgje dhe rreth 600 të dënuar studiojnë Biblën me ta.

Një nga Dëshmitarët që bën vizita të tilla çdo javë, është Migeli, i cili kaloi 12 vjet pas hekurave të qelisë para se të bëhej Dëshmitar. Pse i bën këto vizita? Që të tjerët të mund të ndryshojnë mënyrën e jetesës, ashtu si ai.

Gjatë 8 viteve të fundit, Migeli ka ndihmuar shumë të dënuar të studiojnë Biblën. Ai shprehet: «Ndihem goxha mirë kur ndihmoj të dënuarit në burgun ku isha edhe unë. Gëzohem pa masë teksa shoh dëshirën e tyre për t’iu larguar botës së krimit.»

Kur Migeli ishte katër vjeç, i vdiq i ati sepse një i dehur e shtypi me makinë. E ëma duhej të punonte shumë për të mbajtur e vetme familjen.

Migeli me vëllanë e madh filluan të linin mësimin, të plaçkitnin shtëpitë dhe të thyenin xhamat e makinave për të vjedhur. Në moshën 12-vjeçare, tashmë Migeli njihej si kriminel. Kur ishte 15, po fitonte shumë pará si trafikant droge. Megjithatë, varësia e tij ndaj kokainës dhe heroinës i kushtonte aq shumë saqë i duhej të vidhte gjithnjë e më tepër. Që kur ishte 16 vjeç, hynte e dilte vazhdimisht nga burgu dhe shpejt u bë kriminel i regjur. Ai thotë: «Isha i bindur se, në mos në burg, do vdisja nga ndonjë mbidozë. Më dukej sikur kisha ngecur si miza në rrjetën e merimangës.»

Por në vitin 1994, një shok i Migelit i kërkoi një Dëshmitari që t’i shkruante një letër Migelit në burg. Nga ajo letër, Migeli mësoi se qëllimi i Perëndisë është që ta kthejë tokën në parajsë. Dëshmitari e inkurajonte të bënte ndryshime në jetë që të gëzonte përmbushjen e këtij premtimi. «Fjalët e tij më prekën thellë në zemër. Atë ditë ndryshoi gjithçka në jetën time dhe vendosa të studioja Biblën, ndonëse s’do ta kisha fare të lehtë»,—thotë ai.

E tha këtë ngaqë ishte tepër i varur ndaj drogës dhe duhanit. Mund t’i gjente fare kollaj. Shoku i qelisë i ofronte drogë çdo ditë. Migeli lutej vazhdimisht për forcë që të mposhtte vesin, dhe në fund ia doli.

Tre muaj më vonë, filloi të fliste me të dënuarit e tjerë për bindjet e tij. Vitin pasues doli nga burgu dhe u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Gjithashtu po planifikonte të martohej, por doli një e papritur. Një muaj para dasmës, gjykata e dënoi me 10 vite të tjera burg për disa çështje të ngelura pezull. Megjithatë, pas 3 vjetësh e gjysmë, u lirua për sjellje të mirë. Më në fund Migeli u martua. Ai e la përgjithmonë rrugën e krimit.