Prani që ngjall siguri gjatë garave të Tour de France
Edicioni i 103-të i garave të famshme me biçikleta, Tour de France, u zhvillua në datat 2-24 korrik 2016, gjatë një atmosfere të tendosur. Një vit më parë, disa sulme terroriste në Francë u kishin marrë jetën më tepër se 100 vetave. Në atë kohë, gjatë një feste kombëtare më 14 korrik 2016, një terrorist u fut me kamion mespërmes një turme me njerëz që po shihnin shfaqjet me fishekzjarrë në qytetin e Nisës. Si pasojë e këtij sulmi vdiqën 86 persona, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.
Në këtë atmosferë frike dhe vajtimi, Dëshmitarët e Jehovait u treguan më se të gatshëm t’i jepnin shpresë e ngushëllim popullit francez të tronditur. Prandaj, ata ngritën stenda të lëvizshme me literaturë gjatë fazave të ndërmjetme të garave të Tour de France. Më shumë se 1.400 Dëshmitarë u treguan të gatshëm t’i bashkoheshin kësaj nisme, ku u dhanë mbi 2.000 botime biblike njerëzve që kërkonin përgjigje për disa nga pyetjet më të rëndësishme të jetës.
‘Jeni në çdo cep!’
Fansat që i ndoqën garat qytet më qytet u habitën kur panë Dëshmitarët e Jehovait të shpërndarë në kaq shumë pika të ndryshme. Në më shumë se një rast, stafi administrues i Tour de France i lavdëroi Dëshmitarët për organizimin e tyre efikas, duke thënë: «Dukej sikur ishit në çdo cep, në çdo fazë të garës!» Shumë fansa thoshin: «Dëshmitarët e Jehovait qenkan edhe këtu!» Disa ditë pasi kishte filluar gara, një shofer autobusi nuk e pranoi me mirësjellje një fletushkë që i ofruan, duke thënë se tashmë kishte marrë katër fletushka.
Të çuditur ngaqë Dëshmitarët ishin të pranishëm gjithë kohës, disa morën literaturë te stendat për herë të parë. Kështu ndodhi me një punonjës të një rrjeti televiziv sportiv, i cili e mbante mend se edhe vitin e kaluar Dëshmitarët kishin ardhur te Tour de France. Këtë vit, ai vendosi t’i afrohej stendës dhe mori librin Sekreti i lumturisë familjare ngaqë përmbante një temë që e kishte për zemër. Pasi e lexoi një pjesë të librit në automjetin e tij, u foli kolegëve për stendat e literaturës. Edhe ata shkuan të merrnin botime me tema të larmishme.
Ngjallin shpresë e siguri
Disa vizitorë kërkuan Dëshmitarët e Jehovait gjatë këtij evenimenti dhe i hapën zemrën. Një e re tha se ndihej e pashpresë. Madje kishte menduar që po atë ditë të kryente vetëvrasje duke u hedhur në shinat e trenit. Por, pasi dëgjoi mesazhin shpresëdhënës për një të ardhme paqësore nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë, ajo u inkurajua dhe vendosi të mos i jepte fund jetës. Një grua tjetër u tha Dëshmitarëve: «Vazhdojeni punën tuaj të mirë!»
Një burrë me paterica, i cili tha se zakonisht tregohej skeptik ndaj atyre që s’i njihte, e pranoi ndihmën e një zonje me një veshje modeste, pasi i tregoi se ishte Dëshmitare e Jehovait. Ai tha: «Faleminderit për buzëqeshjen tënde dhe për mënyrën si je veshur. Ti të ngjall siguri.»