Dëshmitarët e Jehovait ndihmojnë për zbukurimin e qytetit Rostov-mbi-Don
Më 20 maj 2015 shefi i administratës i Rostov-mbi-Donit, qytetit më të madh në jug të Rusisë, u dorëzoi një letër mirënjohjeje Dëshmitarëve të Jehovait, ku i lavdëronte «për pjesëmarrjen aktive në zbukurimin pranveror të qytetit».
Duke mbështetur komunitetin për të pastruar e për të zbukuruar Rostov-mbi-Donin, Dëshmitarët e Jehovait nga katër kongregacione mblodhën plehrat dhe mbeturinat nëpër trotuare dhe buzë lumit. Vetëm në pak orë mbushën rreth 300 qese të mëdha plehrash, të cilat më pas i mblodhi një kamion.
Pse Dëshmitarët ishin kaq të gatshëm të ndihmonin komunitetin? Rajsa 67-vjeçare thotë: «S’mund të rri duarkryq. Dua që qyteti im të jetë i pastër, që çdokush të jetojë në një ambient të pastër. Edhe pse pak veta e dinë çfarë kemi bërë, prapëseprapë më pëlqen puna. Në fund të fundit, Perëndia Jehova e ka parë punën tonë.» Aleksandri shton: «Ne jo vetëm u predikojmë të tjerëve, por bëjmë edhe punë praktike për ta. Ndihem i lumtur dhe i kënaqur kur mund të bëj diçka për komshinjtë.»
Vëzhguesit vlerësuan frymën e gatishmërisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Një banor mbeti pa fjalë kur mori vesh se Dëshmitarët nuk paguheshin për punën, dhe vendosi të pastronte bashkë me ta. Më pas tha: «S’e kisha imagjinuar kurrë se do të më pëlqente të pastroja dhe se do të kënaqesha kaq shumë!» Ai shtoi: «Disa nga ju as që jetojnë këtu, por prapë erdhët të pastronit për ne.»
Një zyrtar i qytetit vuri re se një grusht Dëshmitarësh mblodhi një sasi mbeturinash jashtë mase të madhe. Ai u bëri një foto pranë qeseve që kishin mbushur, që «t’u tregonte të tjerëve si punohet».