19.000 fluturime dhuratë
Në korrik të vitit 2013 Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait u dërgoi një letër emocionuese misionarëve dhe të tjerëve që janë në shërbimin e plotkohor special në një shtet tjetër. Letra përmendte një masë për të ndihmuar ata që shërbenin në një vend tjetër, që të ndiqnin kongreset rajonale dhe ndërkombëtare gjatë 2014-s e në fillim të 2015-s.
Qëllimi i kësaj mase nuk ishte vetëm t’i ndihmonte të ndiqnin një kongres, por edhe të kalonin pak kohë me familjarët ose me miqtë. Letra tregonte se biletat vajtje-ardhje të avionit do t’i paguante organizata.
Megjithëse masa të tilla ishin marrë edhe në të kaluarën, këtë vit do të ishte ndryshe. Nën drejtimin e Komitetit të Mësimit të Trupit Udhëheqës, rezervimet do t’i bënte një repart i sapoformuar, Zyra e Udhëtimeve e Selisë Botërore.
Me t’u dërguar ftesa, kërkesat për biletat e avionit që mori ky repart, ishin të pakta, si një rrëke e vogël uji. Kurse në janar 2014 kjo rrëke ishte bërë lumë i rrëmbyeshëm. Grupi që ishte caktuar të kujdesej për udhëtimin, kërkoi dhe prenotoi itineraret nga e gjithë bota.
Disa itinerare s’ishin aspak të lehta. Ata që do të udhëtonin nga Rejkjaviku, Islandë, duhej të shkonin në Koçabambë, Bolivi. Të tjerë duhej të udhëtonin nga Numea, Kaledonia e Re, për në Antananarivo, Madagaskar. Disa nga Port-Moresbi, Papua Guineja e Re, në Siatëll, Uashington, SHBA. Kurse të tjerë akoma, nga Ugadugu, Burkina-Faso, në Uinipeg, Kanada.
Skuadra e Zyrës së Udhëtimeve e Selisë Botërore, e përbërë nga pesë veta, prenotoi rreth 19.000 fluturime. Me fondet që kongregacionet kishin dhuruar apostafat për këtë qëllim, ata blenë dhe u dërguan biletat e avionit afërsisht 4.300 udhëtarëve në 176 vende.
Kjo masë u vlerësua jashtëzakonisht shumë. Një çift misionar shkroi: «Sot po kthehemi në caktimin tonë në Azinë Juglindore. Jemi vërtet mirënjohës që na ndihmuat të shkonim në Angli, në vendlindje, dhe të rrinim me familjet tona për herë të parë pas pesë vjetësh. Pa këtë ndihmë, do ta kishim të pamundur. Prandaj i falënderojmë nga zemra të gjithë ata që e bënë të mundur këtë.»
Një misionar që po shërben në Paraguai, shkroi: «Unë dhe gruaja ime duam të shprehim çmueshmëri të thellë që patëm mundësi të ndiqnim kongresin ndërkombëtar në Nju-Xhersi, SHBA. Në fillim të 2011-s nisëm të planifikonim një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, që të vizitonim selinë botërore. Kishim kursyer ca pará për këtë. Megjithatë, në qershor të atij viti morëm ftesën të vizitonim kongregacionet në gjuhën e shenjave në Paraguai. Si rrjedhojë, duhej të udhëtonim goxha. Pasi e menduam mirë e mirë, vendosëm ta sakrifikonim udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara dhe blemë një makinë që ta kryenim më me efektshmëri caktimin e ri. Më pas morëm ftesën për të ndjekur kongresin ndërkombëtar. Kështu, ëndrra jonë u bë realitet. I jemi shumë mirënjohës Jehovait për këtë mirësi dhe përzemërsi që na ka treguar.»
«Donim vetëm t’ju dërgonim një email të shkurtër për t’ju falënderuar tej mase,—shkroi një çift nga Malavia.—Kushedi sa punë, kohë dhe shpenzime janë dashur për t’u kujdesur për kaq shumë udhëtime. E çmojmë punën tuaj të palodhur, e mbi të gjitha, bujarinë e organizatës së Jehovait, falë së cilës mund të ktheheshim në vendlindje për të ndjekur një kongres ndërkombëtar e për të kaluar pak kohë me familjen dhe miqtë.»
Pjesëtarët e repartit që u kujdes për udhëtimet, e kishin për zemër caktimin e tyre. Mileva u shpreh: «Ishte diçka tepër e veçantë të ndihmoje misionarët të ktheheshin në vendlindje për të takuar familjen dhe miqtë.» «Më ndihmoi ta kuptoja sa shumë i do organizata ata që shërbejnë në vende të tjera»,—shtoi Dorisa. Kurse Rodni, mbikëqyrësi i repartit, tha: «Ka qenë kënaqësi për mua të përfshihesha në këtë projekt.»
Dëshmitarët e Jehovait përreth botës patën mundësi të kontribuonin për këtë dhuratë të dashur që iu bë vëllezërve e motrave të papërtueshëm e vetëmohues.