Kalo te përmbajtja

Të bashkuar nga dashuria​—Një kongres në Frankfurt, Gjermani

Të bashkuar nga dashuria​—Një kongres në Frankfurt, Gjermani

«Si një festë familjare!» Ky ishte titulli kryesor në gazetën Frankfurter Rundschau. Të pranishmit ishin dakord me këto fjalë.

«Më bënë të ndihesha si në shtëpi»,​—tha Karla, që kishte ardhur nga Porto-Riko.

«M’u duk sikur po vizitoja familjen time, por në anën tjetër të botës»,​—tha Sara nga Australia.

Çfarë i nxiti të shpreheshin kaq ngrohtë? Kongresi ndërkombëtar i Dëshmitarëve të Jehovait. Ai u mbajt më 18-20 korrik 2014, në stadiumin «Commerzbank-Arena», në Frankfurt, Gjermani. Kongresin e ndoqën thuajse 37.000 veta.

Të pranishmit u mblodhën për të mësuar nga Bibla. Programi arsimues përfshinte lexime të vargjeve biblike, këngë, lutje, dy pjesë teatrale dhe fjalime të gjalla rreth temave biblike.

Në auditor kishte Dëshmitarë vendës dhe mbi 3.000 delegatë nga Afrika e Jugut, Australia, Britania, Greqia, Libani, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara. Të pranishëm ishin edhe 234 Dëshmitarë nga 70 vende, të cilët shërbejnë në forma të veçanta, siç është vepra misionare.

Disa pjesë të programit u transmetuan live nëpërmjet Internetit në 19 vende të tjera të Gjermanisë, si edhe në vende të ndryshme të Austrisë e të Zvicrës. Gjithsej kishte 204.046 pjesëmarrës.

Kapërcehen pengesat

Në Frankfurt, programi u zhvillua në anglisht, greqisht dhe gjermanisht. Në vende të tjera, fjalimet u përkthyen njëkohësisht në 17 gjuhë, përfshirë gjuhën arabe, kineze, tamile, turke dhe dy gjuhë të shenjave.

Megjithëse Dëshmitarët flisnin gjuhë të ndryshme dhe vinin nga shumë vende dhe kultura të ndryshme, ata nuk ishin të përçarë​—i bashkonte dashuria. (Gjoni 13:34, 35) E konsideronin dhe e trajtonin njëri-tjetrin si vëllezër e motra.

«E pamë me sytë tanë se si vëllazëria jonë ndërkombëtare i kapërcen gjithë kufijtë»,​—tha Tobiasi nga Britania.

«Takova Dëshmitarë të tjerë nga më tepër se 20 vende. Na bashkon dashuria për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin»,—tha Davjana, e cila erdhi nga Porto-Riko.

«U bëra Dëshmitar i Jehovait në një qytezë të vogël,​—tha Malkomi, një delegat nga Australia.​—Kisha lexuar për vëllazërinë tonë mbarëbotërore unike, madje kisha parë edhe video për të. Por, këtu e përjetova personalisht. Kjo më ndihmoi ta kuptoja se çfarë është vërtet. Në këtë kongres m’u forcua shumë besimi.»

Mikpritje e paharrueshme

Dëshmitarë nga 58 kongregacione të Frankfurtit dhe të rrethinave të tij kishin përgatitur dhurata dhe, në mbrëmje, programe zbavitëse për delegatët.

«Na treguan mikpritje të jashtëzakonshme. Nuk do ta harroj kurrë sa të dashur, të mirë dhe bujarë janë vëllezërit»,​—tha Sinthia që kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara.

«Mbizotëronin dashuria, të qeshurat e hareshme dhe përzemërsia vëllazërore. Mund të mësojmë vërtet shumë gjëra nga njëri-tjetri»,​—tha Simoni, që jeton në Gjermani.

«Mbrëmjet zbavitëse më treguan se si Dëshmitarë të Jehovait nuk bëjmë një jetë pa pikë kënaqësie. Ne dimë si të zbavitemi​—zbavitemi vërtet dhe në mënyrë të shëndetshme»,​—tha Ajmi, një delegate nga Australia.

Kthehen me kujtime të ëmbla

Kongresi në Frankfurt ishte vetëm një nga seritë e kongreseve ndërkombëtare që u mbajtën në nëntë vende përreth botës.

Kur e pyetën një delegat se si u ndie në kongresin në Frankfurt, ai u shpreh: «Mendo sikur gjen një njeri shumë të afërt, për shembull një vëlla, që nuk e dije se e kishe. Sapo e takon, të hap dyert e shtëpisë dhe dyert e zemrës. Mbushesh me gëzim të papërshkrueshëm. Tani shumëzoje këtë ndjesi me 37.000. Kështu u ndjeva në këtë kongres.»