Kalo te përmbajtja

Diplomimi i 134-t i Galaadit—«Imitoni besimin e tyre»

Diplomimi i 134-t i Galaadit—«Imitoni besimin e tyre»

Të shtunën më 9 mars 2013, në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork, u diplomua klasa e 134-t e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Kjo shkollë stërvit Dëshmitarë të Jehovait me përvojë, që të bëjnë shërbim më të frytshëm. Ndër 9.912 të pranishmit në program ishin miq, familjarë e mysafirë të tjerë.

Programin e drejtoi Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai i kujtoi auditorit se Shkolla e Galaadit ka nisur 70 vjet më parë, më 1 shkurt 1943. Në atë rast, mbikëqyrësi i shkollës, Nathan Knorr, tregoi qëllimin e saj: «Ka qindra mijë njerëz që mund t’u predikohet [lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë], por punëtorët në fushë nuk mjaftojnë. Me hirin e Zotërisë, do të ketë më shumë punëtorë.» A ishte i kotë besimi i vëllait Knorr?

Ja një shembull. Pak pasi filloi shkolla, vëllai Knorr vizitoi Meksikën për të parë zona ku mund të caktoheshin misionarët e stërvitur në Galaad. Gjatë asaj vizite, të gjitha kongregacionet e qytetit të Meksikos, brenda një distance prej 240 kilometrash, u ftuan në një mbledhje ku morën pjesë 400 veta. Tani, thuajse shtatë dekada nga koha kur shkuan në Meksikë të diplomuarit e parë të Galaadit, po të ftoheshin në një mbledhje kongregacionet e së njëjtës zonë, do të ishin më tepër se 200.000 të pranishëm!

«Çfarë ke në dorë?» Kjo ishte tema që trajtoi Anthony Griffin, anëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, e bazuar te Dalja 4:2. Në atë tregim Perëndia e pyeti Moisiun: «Çfarë ke në dorë?» Përgjigjja e Moisiut ishte: «Një shkop.» Jehovai e përdori atë shkop si simbol të autoritetit dhe të emërimit që i dha Moisiut. (Dalja 4:5) Moisiu veproi mirë kur e përdori autoritetin në lavdi të Perëndisë, por Jehovait nuk i pëlqeu kur e përdori që t’i jepte lavdi vetes e për të qortuar vëllezërit, siç bëri në ‘Meribë’.​—Numrat 20:9-13.

Vëllai Griffin e krahasoi shkopin e Moisiut me stërvitjen frymore të studentëve të Galaadit, duke i nxitur të mos e përdornin për të ushtruar autoritet mbi të tjerët. Përkundrazi i këshilloi: «Përdoreni stërvitjen për t’i sjellë lavdi e nderim Jehovait, e kështu do të vazhdoni të jeni bekim për ata të cilëve u shërbeni.»

«Kujtoni manën.» Stephen Lett i Trupit Udhëheqës theksoi katër mësimet e mëposhtme që nxjerrim nga mana, të cilën Perëndia ua siguroi me anë të mrekullisë izraelitëve në shkretëtirë.

  • Vazhdoni të punoni fort. (Numrat 11:8) Që të ushqeheshin me manë, izraelitët duhej t’i futeshin punës: ta mblidhnin shpejt e ta përgatitnin për ta ngrënë.​—Dalja 16:21.

  • Kurrë mos murmuritni kundër gjërave që na jep Jehovai. (Numrat 11:5, 6) Izraelitët u ankuan për manën, por Perëndia i mori murmuritjet e tyre si të ishin kundër tij. Ashtu si mana, ushqimi frymor që marrim sot nuk është gjithnjë tërheqës, por ama është gjithmonë ushqyes. Duhet të jemi gjithnjë mirënjohës për çdo gjë që na jep Jehovai.

  • Besoni plotësisht se Jehovai do t’ju japë çfarë ju nevojitet. Perëndia s’la ditë pa ua dhënë manën, madje ditën para sabatit u jepte dy racione. (Dalja 16:22-26) Edhe ne, duhet të besojmë se Jehovai do të na i plotësojë nevojat.​—Mateu 6:11.

  • Mosbindja nuk sjell asnjëherë bekime. (Dalja 16:19, 20, 25-28) Izraelitët që mblodhën manë në sabat nuk fituan asgjë veç mospëlqimit të Jehovait, dhe ata që e ruajtën gjatë pesë ditëve të tjera të javës, panë se kishte zënë krimba dhe mbante erë të neveritshme.

Vëllai Lett i nxiti studentët të kujtonin mësimet që nxjerrim nga mana, pasi atëherë Jehovai ‘do të hapë portat e qiejve dhe do të derdhë një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë’.​—Malakia 3:10.

«Përgatituni për jetën në botën e re.» William Samuelson, i cili mbikëqyr Repartin e Shkollave Teokratike, shpjegoi se, sigurisht jemi gati ose e duam me zjarr botën e re, por ajo që ka edhe më shumë rëndësi është të jemi të përgatitur. Kjo kërkon të jemi «me mendje të shëndoshë».​—1 Pjetrit 4:7.

Mendja e shëndoshë duket nga mënyra si i shohim të metat tona. Nuk duhet të fajësojmë Satanain ose botën nën sundimin e tij për të metat tona, mbase duke menduar se do t’i ndreqim papërsosmëritë në botën e re kur Perëndia t’i zhdukë ndikimet e tyre. Që tani mund t’i mposhtim tiparet e këqija si egoizmin, duke u përpjekur ‘të veshim personalitetin e ri’.​—Efesianëve 4:24.

«Lëre mënjanë stilolapsin.» Mark Noumair, instruktor i Galaadit, e krahasoi «prirjen që ta shkruajmë vetë skenarin e jetës» me një stilolaps. ‘E lëmë mënjanë stilolapsin’ kur e lejojmë Jehovain ta shkruajë skenarin e jetës sonë.

Mbreti Saul është shembull paralajmërues për këtë. Ai e nisi sundimin si mbret pa pretendime, i përulur e modest. (1 Samuelit 10:22, 27; 11:13) Por s’kaloi shumë dhe «po e shkruante vetë skenarin e jetës», duke bërë atë që sipas atij ishte e drejtë dhe duke i dhënë lavdi vetes. Perëndia e hodhi poshtë ngaqë nuk u bind.​—1 Samuelit 14:24; 15:10, 11.

Vëllai Noumair u kujtoi studentëve se deri tani ishin besnikë, por duhet ta vazhdonin veprën e Perëndisë siç do Ai. Noumair i këshilloi studentët: «Tregoni kujdes, sepse të përdoresh nga Jehovai nuk do të thotë medoemos se ke pëlqimin e tij.» Për shembull, Moisiu nuk i ndoqi udhëzimet e Perëndisë kur nxori ujë në mënyrë të mrekullueshme nga shkëmbi. Ai arriti rezultate, por jo bekimin e Jehovait.​—Numrat 20:7-12.

«Jehon zëri i fortë i engjëllit që fluturon në mes të qiellit.» Instruktori i Galaadit Sam Roberson i bazoi komentet te Zbulesa 14:6, 7. Më pas u paraqitën demonstrime nga vepra e predikimit për Mbretërinë që kishin bërë gjatë shkollës. Për shembull, teksa merrte veten nga operacioni, një student i dëshmoi një infermiereje në spital. Ajo ishte nga Peruja, prandaj biseda u nis duke i treguar foton për veprën e predikimit në Chachapoyas, Peru, në sitin jw.org. Kjo çoi në një studim biblik me të dhe bashkëshortin e saj.

«Ti më prishe mendjen . . . e unë nuk e kuptova.» (Jeremia 20:7) Allen Shuster, anëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, intervistoi dy çifte nga klasa. Studentët mendonin se Jehovai u kishte «prishur mendjen». Në ç’mënyrë? Fillimisht dyshuan nëse do të ishin në lartësinë e kursit. Por, me të filluar shkolla, u mahnitën nga ndihma që morën falë së cilës ia dolën mbanë. Motër Marianne Aronsson shprehu vlerësimin për stërvitjen e Galaadit me fjalët: «Nuk do ta kem asnjëherë problem se çfarë të zgjedh për të studiuar, pasi kam kuptuar se çdo varg biblik është thesar.»

«Imitoni besimin e tyre.» David Splane i Trupit Udhëheqës mbajti fjalimin kryesor të programit, duke e bazuar temën te Hebrenjve 13:7, ku thuhet: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, që ju kanë thënë fjalën e Perëndisë, dhe ndërsa shqyrtoni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.» Si treguan besim ‘ata që merrnin drejtimin’ në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait 70 vjet më parë?

Më 24 shtator 1942, Nathan Knorr bëri një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e dy korporatave të përdorura nga Dëshmitarët e Jehovait. Atje propozoi themelimin e një shkolle të re, shkolla e Galaadit, e cila do të stërviste misionarë që do t’i jepnin shtysë veprës së predikimit në territore të reja. Sidoqoftë, dukej sikur nuk ishin ende rrethanat e favorshme për këtë lloj shkolle. Lufta II Botërore po bënte kërdinë dhe ishte e vështirë ose e pamundur të dërgoheshin misionarë në shumë vende. Për më tepër, sistemi financiar botëror thuajse ishte përmbysur gjatë viteve 30 të shekullit të 20-të dhe organizata kishte para që shkolla të vazhdonte vetëm pesë vjet. Por vëllezërit treguan besim duke e miratuar unanimisht propozimin.

Edhe të diplomuarit e klasave më të hershme treguan besim të denjë për imitim. Ata kënaqeshin me aq sa kishin dhe nuk zhvilluan dashuri për para. (Hebrenjve 13:5, 6) Mjaft misionarë mendonin se ndoshta nuk do t’i shihnin më familjet, sepse familjet e tyre nuk kishin aq para sa t’ua paguanin udhëtimin e kthimit në shtëpi. Në fakt, shumë misionarë nuk i panë familjet për 10 deri në 15 vjet që kur shkuan në caktim. Por ishin të bindur se Jezui do të kujdesej për ta e për familjet e tyre, siç kishte bërë gjithnjë.​—Hebrenjve 13:8.

First class of Gilead, 1943

Pasi tregoi hollësi për ata që shërbyen në caktime të huaja sfiduese edhe para se të bënin Galaadin, vëllai Splane u tha studentëve: «Ju të rinj e të reja të shkëlqyer po bëheni pjesë e historisë së lavdishme që nisi 70 vjet më parë nga burra e gra studentë të Galaadit. . . . Shërbejini Jehovait me gëzim kudo që t’ju caktojnë.»

Vëllai Splane e përfundoi pjesën e tij me një video ku u paraqitën fotografitë e 77 të diplomuarve të Galaadit që tani shërbejnë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, përfshirë dy të diplomuar të klasës së parë në vitin 1943. Fotografitë u shoqëruan me interpretime vokale të këngëve të përdorura në adhurim nga Dëshmitarët e Jehovait gjatë 70 viteve të fundit.

Pasi studentët morën diplomat, një nga të diplomuarit lexoi një letër mirënjohjeje në emër të klasës. Më pas, vëllai Sanderson e mbylli programin duke theksuar se, ndonëse kanë kaluar 70 vjet, janë ende kuptimplotë komentet për klasën e parë të Galaadit nga vëllai Knorr: «Pavarësisht se ku ju dërgojnë, mos harroni se jeni . . . lajmëtarë të Mbretërisë; dhe është privilegji më i madh që i është dhënë ndonjë krijese në tokë që të jetë lajmëtar e të këndojë lavde tani, para Harmagedonit. . . . Për sa kohë të keni privilegjin të predikoni, atëherë predikoni.»