Diplomimi i klasës së 137-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Më 13 shtator 2014 u diplomua klasa e 137-të e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork. Në këtë shkollë marrin pjesë Dëshmitarë të Jehovait që tashmë kanë shumë përvojë dhe stërviten që të jenë edhe më të efektshëm për të forcuar kongregacionet dhe zyrat e degëve ku caktohen. Një auditor me 12.333 veta e ndoqi live programin, ose nga Patersoni, ose nëpërmjet lidhjes me video në vende të ndryshme, si: Kanada, Porto-Riko, Shtetet e Bashkuara dhe Xhamajkë.
Programin e drejtoi Samuel Hërdi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Në fjalët hyrëse, ai u përqendrua te mendimet e Jehovait, se sa të larta janë në krahasim me tonat. (Isaia 55:8, 9) Ai tha se edhe pse për pesë muaj kanë ushqyer mendjen me mendimet e Perëndisë, studentët e Galaadit thjesht kanë cimbisur sipërfaqen, vetëm sa kanë njohur «thekët e udhëve të [Perëndisë]». (Jobi 26:14) Gjithashtu, vëlla Hërdi tha se nxjerrim dobi sa herë që mblidhemi për të folur rreth mendimeve të Perëndisë, dhe se edhe ky program diplomimi do të ishte dobiprurës.
«Fryti i frymës është durimi.» (Galatasve 5:22) Xhon Larsoni, pjesëtar i Komitetit të Degës të Shteteve të Bashkuara, theksoi dy mënyra si mund të tregojmë durim, që është një aspekt i frytit të frymës së Perëndisë. Së pari, duhet të jemi të durueshëm me Jehovain, teksa na stërvit dhe na ndihmon të bëhemi të patundur në besim. (1 Pjetrit 5:10) Abrahami është shembull i shkëlqyer sepse tregoi durim gjatë gjithë kohës që Jehovai e stërviti e deri kur Ai e mbajti premtimin që i kishte bërë.—Hebrenjve 6:15.
Së dyti, duhet të jemi të durueshëm me veten. Pasi stërviten në Galaad, mbase studentët presin tepër nga vetja. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë menjëherë pasi mbërrijnë në caktimin e tyre, ndoshta pyesin veten: «Çfarë ka që nuk shkon tek unë?» Bazuar te përvoja e vet, vëlla Larsoni i siguroi se mund t’i kapërcejnë sfidat duke qenë të durueshëm me veten dhe duke qenë të papërtuar ndërsa Perëndia e çon deri në fund stërvitjen e tyre.—Hebrenjve 6:11, 12.
«Zemra juaj qoftë përherë e përulur dhe le të jetojë përgjithmonë!» Entoni Morisi nga Trupi Udhëheqës e bazoi këtë titull te Psalmi 22:26, ku pjesa e fundit e vargut fjalë për fjalë mund të përkthehet «zemra juaj le të jetojë përgjithmonë». Duhet të jemi të përulur që ta marrim këtë bekim. Vëlla Morisi theksoi se po të mos jemi të përulur, Jehovai mund të mos na përdorë më. Të gjithë ne, edhe ata që shërbejnë prej kohësh, mund të harrojmë sa e rëndësishme është të jemi si Jezu Krishti.—2 Pjetrit 1:9.
Në Bibël përmenden persona të përulur, por edhe persona arrogantë. Herod Agripa tërë arrogancë i pranoi lajkat e njerëzve që i dhanë lavdinë që i përkiste vetëm Perëndisë. Prandaj engjëlli i Perëndisë e goditi dhe atë ‘e brenë krimbat’. (Veprat 12:21-23) Nga ana tjetër, duket se Pjetri nuk qëndroi tërë hundë e buzë dhe as u zemërua kur Jezui e qortoi ngaqë ‘nuk mendonte si Perëndia, por si njerëzit’. (Mateu 16:21-23) Ai e pranoi disiplinën dhe u bë shembull i përulësisë.—1 Pjetrit 5:5.
Disa nga studentët do të vazhdojnë të shërbejnë si bethelitë në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, dhe vëlla Morisi i paralajmëroi se po t’u mungojë përulësia, ata s’do të ndihen aspak të kënaqur në caktimin e tyre. Gjithsesi, dikush mund ta ketë të vështirë ta dallojë mungesën e përulësisë te vetja. Për të theksuar pikën, vëlla Morisi tha se shumë vite më parë, kur një plak e këshilluan për mungesë përulësie, ai i shkroi zyrës së degës dhe thoshte: «Unë jam personi më i përulur që njoh.» Vëlla Morisi i nxiti studentët ta shmangnin një qëndrim të tillë. Do të mbeten të përulur nëse nuk i japin tepër rëndësi vetes për autoritetin që kanë, por pranojnë se autoriteti i vërtetë i përket Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit.
«Ai ‘nuk e jep frymën me kursim’.» (Gjoni 3:34) Majkëll Bërneti, instruktor i Galaadit, u kujtoi studentëve se falë frymës së shenjtë do t’i kapërcejnë vështirësitë ose dyshimet në caktimet e tyre. Fryma e Perëndisë e ndihmoi Bezalelin t’i kapërcente vështirësitë e caktimit për ndërtimin e tabernakullit. (Dalja 35:30-35) Fryma e shenjtë jo vetëm që ia shtoi Bezalelit aftësitë e lindura si artizan, por edhe e ndihmoi të mësonte të tjerët. Ajo mund të bëjë të njëjtën gjë për të diplomuarit e Galaadit, sidomos kur i përmbahen modelit të mësimdhënies nga Shkrimet, të cilin e studiuan në shkollë.
Në kohën e Bezalelit, edhe gratë izraelite luajtën rol kyç në ndërtimin e tabernakullit. (Dalja 35:25, 26) Po ashtu, studentet kanë treguar se janë ‘gra të afta’, teksa mbështetin burrat e tyre. Në fund, vëlla Bërneti i këshilloi studentët: «Aftësitë e lindura ekuilibrojini me përulësinë dhe me frymën e bindjes. Nëse veproni kështu, Jehovai do t’jua japë pa kursim frymën e tij të shenjtë.»
«A do të kërcesh me mua?» Mark Numari, ndihmës i Komitetit të Mësimit, zhvilloi këtë temë duke përdorur shembullin e mbretit David kur solli arkën e besëlidhjes në Jerusalem. (2 Samuelit 6:12-14) Tërë përulësi, Davidi hodhi valle me gëzim bashkë me ‘skllavet e shërbëtorëve të tij’ teksa sillnin arkën. (2 Samuelit 6:20-22) Skllavet nuk do ta harronin kurrë ditën kur mbreti David kërceu me to. Më pas, vëlla Numari i nxiti studentët ‘të kërcenin me skllavet’. Ai i pyeti: «A do të njihesh si person që ndihmon edhe ata që kanë pak ose aspak përgjegjësi? . . . A do t’i çmosh të tjerët për cilësitë frymore?»
Të diplomuarit do të imitojnë Jehovain nëse vazhdojnë të tregojnë dashuri besnike si ai. (Psalmi 113:6, 7) Edhe nëse dikush nuk tregohet i përulur, studentët nuk duhet të lejojnë të ndikohen nga këto papërsosmëri. Vëlla Numari tha: «Konsiderojeni veten si askushi.» Më pas, shtoi: «Trajtojini delet e Jehovait ashtu si do t’i trajtonte Ai.»
«Të japim dëshmi në çdo rast të përshtatshëm.» Uilliam Samuelsoni, i cili mbikëqyr Repartin e Shkollave Teokratike, përmendi apostullin Pavël si shembull që shfrytëzoi çdo mundësi për të predikuar lajmin e mirë. (Veprat 17:17) Pastaj, vëlla Samuelsoni drejtoi demonstrimet e përvojave që kishin pasur studentët në shërbim gjatë kohës që ndiqnin Galaadin. Për shembull, një çift takoi një shitëse në një dyqan ushqimesh. Ata pritën derisa s’kishte shumë njerëz dhe i treguan videon Pse ta studiosh Biblën? Gjithashtu, ia drejtuan vëmendjen te siti jw.org, ku mund të gjente informacione në gjuhën laosiane, gjuhën e saj amtare. U kthyen sërish që të ndiqnin interesin e gruas.
«Vazhdoni të jeni në dispozicion për Shërbimin e Mbretërisë.» Uilliam Nonkësi, i cili punon në Repartin e Shërbimit në degën e Shteteve të Bashkuara, intervistoi katër studentë. Në frymën e Isaisë 6:8, tashmë ata ishin vënë në dispozicion për shërbimin e Mbretërisë, por shkolla i përgatiti të vazhdojnë edhe më tej. Motër Snolia Maseko shpjegoi se në Galaad zbuloi pika ku duhej të përmirësonte, veçanërisht në përdorimin e mençur të kohës edhe pas një dite të plotë në shërbim. Ajo tha: «Më përpara mendoja se ‘deri këtu’ e kisha kufirin për gjërat, por falë shkollës kam kuptuar se mund të bëj më shumë.» Vëlla Denis Nielseni mësoi si mund ta ndihmonte Sofonia 3:17 që të mos shkurajohej në shërbim. Ai tha: «Nëse jam në shërbim dhe nuk kam kushedi se çfarë rezultati, duhet të kujtoj se Jehovai po brohoret nga gëzimi, dhe po njësoj duhet të bëj edhe unë.»
«Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit.» (Mateu 6:26) Stivën Leti nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin kyç të programit. Bazuar në mësimin e Jezuit se duhet ‘t’i vështrojmë me kujdes’ ose t’i vëzhgojmë tërë vëmendje zogjtë, vëlla Leti përmendi disa mësime që mund të nxjerrim prej tyre.—Jobi 12:7.
Për shembull, ashtu si Jehovai ushqen zogjtë, do të na sigurojë edhe neve gjërat e nevojshme. Ne jemi pjesëtarë të ‘shtëpisë së Perëndisë’, dhe ai na garanton se ‘do t’i sigurojë gjërat e nevojshme për të vetët’. (1 Timoteut 3:15; 5:8) Patjetër, ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Ashtu si zogjtë duhet ta kërkojnë ushqimin që siguron Perëndia, edhe ne duhet të vazhdojmë ‘të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’ që të fitojmë bekimin e tij.—Mateu 6:33.
Gjithashtu, vëlla Leti tha se shumë zogj nxjerrin një zë paralajmërues kur pikasin një rrezik. Në mënyrë të ngjashme, ne i paralajmërojmë të tjerët kur është e përshtatshme, për shembull, kur një vëlla ‘hedh një hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm’. (Galatasve 6:1) Dhe, me anë të predikimit tonë, i paralajmërojmë njerëzit për ‘ditën e Jehovait’ që po afrohet me të shpejtë. (Sofonia 1:14) Në një shembull tjetër, vëlla Leti shpjegoi se, ashtu si zogjtë shtegtarë fluturojnë mbi male të larta, me ndihmën e Jehovait edhe ne kapërcejmë pengesa në dukje të pakalueshme.—Mateu 17:20.
Mbyllja. Pasi morën diplomat, njëri nga studentët lexoi një letër mirënjohjeje në emër të klasës. Në fjalët mbyllëse, vëlla Hërdi tha se të ngulitësh në zemër mendimet e Jehovait është njësoj si të ngulësh gozhdët e mëdha në traversat e hekurudhës. Nevojiten disa goditje me çekiç për ta ngulur mirë një gozhdë. Po ashtu, të diplomuarit duhen të vazhdojnë të mendojnë për gjërat që mësuan në Galaad. «Rezervoni kohë për t’i ngulur thellë në zemër»,—tha vëlla Hërdi. Më pas, shtoi: «Lejoni t’ju prijnë mendimet e Perëndisë dhe do të jeni një bekim.»