Kalo te përmbajtja

Kongresi «përreth botës»

Kongresi «përreth botës»

Pesëdhjetë vjet më parë, 583 Dëshmitarë të Jehovait nisën një udhëtim dhjetëjavor që do t’i çonte anekënd botës. Por nuk ishin turistë. Qëllimi i tyre kryesor ishte të gjenin shoqëri inkurajuese të krishterë në kongreset e vitit 1963, me temë «Lajmi i mirë i përhershëm». Ngaqë delegatët udhëtonin që të takoheshin me Dëshmitarë në mbi 20 vende, këto kongrese u quajtën kongresi «përreth botës».

Një pjesë e rëndësishme në çdo kongres ishte fjalimi me titull «Kur Perëndia të jetë Mbret në mbarë tokën». Në shumicën e kongreseve këtë fjalim e mbajti Nathan Knorr nga selia botërore e Dëshmitarëve. Ai foli për kushtet që përkeqësoheshin në botë dhe i krahasoi me premtimin e bukur biblik për rivendosjen e Parajsës në tokë. Anembanë botës, numri i të pranishmëve në këtë fjalim ishte 580.509.

«Përreth botës» për dhjetë javë

Kongreset nisën në Milwaukee, Wisconsin, SHBA. Që atje, delegatët udhëtuan drejt lindjes. Pas kongresit në Nju-Jork, shkuan në Angli, Suedi, Gjermani dhe Itali. Në secilin vend folën për lajmin e mirë të Biblës.

Mjaft vendës e çmonin faktin që Dëshmitarët gjenin kohë për t’i vizituar. Një e re nga Stokholmi, Suedi, tha: «Do ta kujtoj gjithë jetën vizitën tuaj. . . . Vërtet erdhët deri këtu që të më flisnit për besimin tuaj te Zoti? Jeni njerëz të mrekullueshëm!»

Delegatët u zhgënjyen disi kur arritën në Athinë, Greqi. Nën presionin e udhëheqësve fetarë vendës, qeveria e anuloi lejen që kongresi të mbahej te stadiumi Panathinaikos. Por Dëshmitarët e zellshëm nuk u sprapsën. Nga fundi i gushtit, afro 10.000 veta e ndoqën programin që u mbajt në shtëpi private dhe në kongregacionet vendëse.

Pas Athinës delegatët shkuan në Liban, Jordani, Izrael dhe Qipro. Bashkëbesimtarët e tyre i mikpritën ngrohtësisht, e ndonjëherë me pak humor. Në Nikosia, Qipro, një delegat tregoi diçka të mistershme për këpucët e tij: «Sa herë që kthehesha në shtëpinë [e mikpritësit] dhe hiqja këpucët . . . , ato zhdukeshin . . . , dhe sakaq shfaqeshin të pastra xixë!»

Pjesa e fundit e udhëtimit i çoi delegatët e kongresit nëpër Azi e në Paqësor. Atyre dhe mijëra Dëshmitarëve vendës iu hapën dyert në Indi, Birmani (tani Mjanmar), Tajlandë, Hong-Kong, Singapor, Filipine, Indonezi, Australi, Tajvan, Japoni, Zelandën e Re, Fixhi dhe në Kore. Shumë veta i rregulluan gjërat që të ndiqnin kongresin, por asnjë nuk u përpoq aq sa një çift të fejuarish nga Yokosuka, Japoni. Kur burri i kërkoi punëdhënësit leje që të ndiqte kongresin në Kyoto, punëdhënësi i tha se leja ishte vetëm për funerale dhe dasma. Meqë tashmë po planifikonin të martoheshin, çifti mori masa që të martoheshin pak më herët nga ç’kishin menduar. E kaluan muajin e mjaltit në kongres.

Në fillim të shtatorit, udhëtimi iu afrua fundit me kongreset në Havai dhe Kaliforni, SHBA. Në Pasadena, Kaliforni, që ishte ndalesa e fundit, pjesëmarrja i kaloi tej mase parashikimet. Si rezultat, pas sesionit të fundit, trafiku u rëndua. Pavarësisht nga kjo, një gazetë vendëse citonte shefin e policisë, i cili e quajti «kongresin më të madh që kishte parë, ku njerëzit silleshin aq mirë».

Dobi afatgjata

Edhe sot e kësaj dite ndihen dobitë e atyre kongreseve. Atje doli libri biblik «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», të cilin Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë ta përdorin edhe tani në mbledhje.

Harold King pas lirimit nga burgu në Kinë

Në kongresin e Nju-Jorkut u prezantua një këngë e re. Atë e shkroi Harold King, një Dëshmitar që ishte liruar nga një burg kinez në vitin 1963. Kënga titullohej «Derë më derë». Harold King e kompozoi këtë këngë kur ishte në izolim dhe Dëshmitarët e Jehovait ende këndojnë një version të kësaj kënge me titullin «Shtëpi më shtëpi».

Në ditët tona, kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait janë krejt ndryshe. Për grumbullimet e vogla, gjejnë vende të vogla. I mbajnë në shumë vende që pjesëmarrësit ta kenë më kollaj vajtjen. Këto dhe lehtësira të tjera nënkuptojnë më shumë njerëz të përqendruar në program. Çdo vit, kongreset i ndjekin më tepër se shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait e të ftuarit e tyre. A dëshiron të bashkohesh me ne këtë verë? Gjej vendin e kongresit më të afërt.