Kongresi në gjuhën tagaloge në Romë—«Ribashkimi i një familjeje të madhe»
Me rastin e një kongresi unik që u mbajt më 24-26 korrik 2015, mijëra Dëshmitarë të Jehovait që flasin gjuhën tagaloge u mblodhën në Romë të Italisë, mbi 10.000 kilometra larg Filipineve, vendlindjes së popullit tagalog.
Sipas llogaritjeve, në Evropë tani jetojnë më shumë se 850.000 filipinas. Si rrjedhojë, rreth 60 kongregacione e grupe më të vogla të Dëshmitarëve të Jehovait në Evropë i mbajnë mbledhjet në gjuhën tagaloge dhe u predikojnë filipinasve të komunitetit të tyre.
Por, kongresi treditor i Romës, ishte rasti i parë që këto kongregacione e grupe u mblodhën të gjithë bashkë. Të 3.239 të pranishmit u emocionuan jashtë mase nga fjalimet që mbajti në fund të çdo dite vëlla Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, që më parë ka shërbyer në Filipine.
«Drejt e në zemër»
Ç’ndryshim ka nëse e ndjek kongresin në gjuhën e nënës ose në gjuhë tjetër? Një nënë e vetme me emrin Eva, shprehet: «Kuptoj pak anglisht, por falë këtij kongresi në gjuhën tagaloge, mësimet e Biblës më kanë shkuar drejt e në zemër.» Për të kursyer para për udhëtimin nga Spanja në Itali, ajo dhe dy fëmijët vendosën të mos hanin në restorante çdo javë, siç ishin mësuar, por vetëm një herë në muaj. «Ishte një sakrificë që ia vlejti, sepse në kongres kuptova gjithçka,—tha Eva.»
Jasmina, që jeton në Gjermani, kërkoi leje nga puna për të ndjekur kongresin. Ajo tregon: «Pikërisht para se të nisesha, më thanë se nuk mund të largohesha ngaqë kishte punë.» Ruajta qetësinë, iu luta Jehovait dhe fola me shefin. Mundëm ta riorganizonim punën në mënyrë që të shkoja në kongres. Nuk më besohej që pata mundësinë të bashkohesha me vëllezër e motra filipinas nga e gjithë Evropa.»
Sigurisht, shumë filipinas në Evropë i merr malli jo vetëm për vendlindjen, por edhe për miqtë që kanë emigruar në vende të tjera të Evropës. Falë këtij kongresi shumë nga këta miq u takuan sërish, ama kësaj radhe si motra e vëllezër në besim. (Mateu 12:48-50) Fabrisa thotë: «Më gufon zemra nga gëzimi ngaqë takova njerëz që i njihja!» Në fund të kongresit, një motër nuk reshtte së thëni: «Ishte ribashkimi i një familjeje të madhe.»