Raport për mbledhjen vjetore
«Libri i Perëndisë—Një thesar»
Më 5 dhe 6 tetor 2013, 1.413.676 veta në 31 shtete ndoqën mbledhjen e 129-të vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Përveç atyre që ishin të pranishëm në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Xhersi Siti, Nju Xhersi, SHBA, shumica e ndoqi programin nëpërmjet transmetimit në web.
Guy Pierce, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait ishte drejtuesi i kësaj mbledhjeje. Ai u nxiti kureshtjen të pranishmëve kur tha se në këtë program do të merrnin përgjigje pyetje të rëndësishme biblike, drita frymore do të ndriçonte edhe më shumë dhe do të sigurohej ‘ushqim frymor në kohën e duhur’.—Mateu 24:45; Proverbat 4:18.
«Një ekspozitë për të nderuar Jehovain.»
Mark Sanderson i Trupit Udhëheqës shpjegoi disa hollësi për një ekspozitë të re në selinë botërore të Dëshmitarëve në Bruklin, Nju Jork, SHBA, të titulluar «Bibla dhe emri hyjnor». Në këtë ekspozitë tregohet shumë qartë vendi që zë emri i Perëndisë në Shkrimet Hebraike dhe Shkrimet e Krishtere Greke. Gjithashtu, paraqiten shumë Bibla të vjetra, riprodhime të punimeve artizanale të lashta dhe faqe të Biblës nga mesjeta.
Pjesë e rëndësishme e koleksionit janë faqet e një Bible të shekullit të 16-të të përkthyer nga Uilliam Tindali i cili ishte i pari përkthyes i Biblës që e përktheu emrin e Perëndisë në anglisht. Me rëndësi është dhe një faqe nga botimi i vitit 1602 i përkthimit në spanjisht, të njohur si Bibla Reina-Valera, në të cilin emri hyjnor është përkthyer vazhdimisht «Iehova». Po ashtu, në ekspozitë janë një version në anglisht i njohur si Bibla e Madhe (shtypur më 1549), një kopje e Biblës në 12 gjuhë e Elias Hutter (botim i vitit 1599, i njohur edhe si Shumëgjuhëshja e Nurembergut) dhe Bibla e Gjenevës (shtypur më 1603). Të gjitha këto përdorin emrin hyjnor.
Vëlla Sandersoni i ftoi të gjithë të vizitonin ekspozitën biblike. Ai tha: «Lutemi që . . . kjo t’i ndihmojë njerëzit me zemër të sinqertë, të çdo moshe dhe niveli arsimor, të duan dy gjëra që të gjithë ne i duam—Fjalën e çmuar të Perëndisë, Biblën, dhe emrin e tij të lavdishëm Jehova.»
Shkrimi i vitit për 2014-ën.
Pas përmbledhjes së studimit të Kullës së Rojës nga Gerrit Lösch i Trupit Udhëheqës, vëlla Pierce njoftoi shkrimin e vitit për 2014-ën, «Ardhtë mbretëria jote» (Mateu 6:10). Edhe pse ky do të ishte gjithmonë një shkrim viti i përshtatshëm për Dëshmitarët e Jehovait, për 2014-ën është i veçantë sepse përkon me njëqindvjetorin e vendosjes së Mbretërisë në qiell.
«Një dhuratë e çmuar nga Jehovai»
Më pas, auditori ndoqi një video për historinë e Përkthimit Bota e Re. Kjo Bibël e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait konsiderohet nga shumë njerëz si një ndër përkthimet më të mira që është botuar ndonjëherë. Kur Nathan Knorr prezantoi volumin e parë të këtij përkthimi në kongresin ndërkombëtar «Rritja e Teokracisë» të vitit 1950, u dha atyre në auditor këtë këshillë që është e vlefshme edhe për ne sot: Lexojeni këtë përkthim nga fillimi deri në fund. Studiojeni. Ndihmoni të tjerët ta studiojnë, sepse kështu do të kenë mundësi të thërrasin emrin e Jehovait.
«Kujtime të bukura nga e kaluara.»
Samuel Herd i Trupit Udhëheqës mbajti këtë pjesë që përfshinte intervista të regjistruara më parë me katër anëtar të familjes Bethel të SHBA-së. Ata ishin të pranishëm kur doli Përkthimi Bota e Re në gjashtë vëllime të ndara, nga viti 1950 deri në vitin 1960.
Eunice Timm tregoi si e kishte përdorur Përkthimin Bota e Re në mbledhjet e krishtere. Ajo vlerësonte mjetet ndihmëse të kërkimit si listën e referimeve dhe referimet në mes të çdo faqeje. Pasi e kishte të vështirë t’i merrte të gjitha vëllimet me vete në mbledhje, ajo tregoi se merrte vetëm ato vëllime që i duheshin bashkë me versionin King James të madhësisë së xhepit, në rast se do të lexoheshin shkrime të tjera.
Përkthimi i ri ndikoi edhe në aspekte të tjera të adhurimit. Për shembull, Fred Rusk tha se para vitit 1950, ata që përfaqësonin në lutje familjen Bethel përdornin shprehje të vjetra nga përkthimi King James, si shprehja «thy kingdom come». Por, sapo doli Përkthimi Bota e Re, ata nuk i përdorën më shprehjet e gjuhës së vjetër dhe filluan të përdornin shprehje nga i foluri i përditshëm në lutjet publike.
John Wischuk tregoi se i bëri shumë përshtypje jo vetëm cilësia e përkthimit, por edhe përulësia e Komitetit të Përkthimit të Biblës Bota e Re. Ai tha: «Ata donin të mbeteshin anonimë edhe pas vdekjes sepse kërkonin që gjithë lavdia t’i shkonte Perëndisë Jehova». Charles Molohan u shpreh në emër të grupit: «Përkthimi Bota e Re na ka ndihmuar të rrënjosim në zemër të vërtetën dhe të forcojmë besimin. Kështu jemi më të pajisur për t’i ndihmuar edhe të tjerët të kenë besim.»
«Ne i dëgjojmë të flasin në gjuhët tona për gjërat madhështore të Perëndisë.»
(Veprat 2:11) Geoffrey Jackson i Trupit Udhëheqës mbajti fjalimin gjatë të cilit u prezantua botimi i rishikuar i Përkthimit Bota e Re i vitit 2013. Në fund të fjalimit të tij, të gjithë në auditor dhe ata që ishin lidhur me anë të transmetimit në web morën një kopje të Biblës.
Vëlla Jackson tregoi se kanë kaluar më shumë se 60 vjet që kur doli vëllimi i parë i Përkthimit Bota e Re. Që nga ajo kohë, gjuha angleze ka ndryshuar, por jo qëllimi ynë për përkthimin e Biblës. Duam ta përkthejmë Fjalën e Perëndisë fjalë për fjalë për aq sa është e mundur dhe pa e shtrembëruar kuptimin e saj.
Në vitin 2005, Trupi Udhëheqës i kushtoi vëmendje të veçantë nevojës për të përkthyer Biblën në shumë gjuhë. Që nga ajo kohë, numri i gjuhëve në të cilat është botuar Përkthimi Bota e Re është rritur nga 52 në 121 dhe është në përkthim e sipër në 45 gjuhë të tjera. Gjatë përkthimit të Botës së Re në gjuhë të tjera, përkthyesit kanë pyetur për të sqaruar fjalë dhe shprehje të veçanta. Deri tani, u është dhënë përgjigje mbi 52.000 pyetjeve të tilla. Shumë prej këtyre pyetjeve nxorën në pah disa aspekte ku teksti në anglisht mund të rishikohej ose të modernizohej.
Për shembull, vëlla Jackson shpjegoi se në botimin e mëparshëm të Përkthimit Bota e Re në anglisht, te 1 Samuelit 14:11 thuhej se Jonatani dhe shqytari i tij «u ekspozuan para pararojës së filistinëve». Për të shmangur ndonjë keqkuptim, botimi i rishikuar thotë se ata «u shfaqën». Po ashtu, Mikea 2:6 më parë ishte përkthyer fjalë për fjalë «Mos lëshoni fjalë. Ata lëshuan fjalë» Ky varg tani është përkthyer: «Mos predikoni, por ata predikojnë.»
Pesë vjet më parë, Trupi Udhëheqës caktoi një komitet për të rishikuar Përkthimin Bota e Re dhe tani kemi në dispozicion rezultatet e punës së tyre. Bibla e rishikuar është tërheqëse, e lehtë për t’u lexuar dhe është rezistente ndaj përdorimit të vazhdueshëm. Vëlla Jackson njoftoi se botimet në anglisht me germa të mëdha dhe botimet me madhësinë e xhepit do të dalin së shpejti.
‘E përdorim drejt fjalën e së vërtetës.’
Stephen Lett i Trupit Udhëheqës e bazoi temën e fjalimit te 2 Timoteut 2:15 dhe foli për veçoritë ndihmëse të botimit të ri të rishikuar të Biblës. Shprehja «përdor drejt» e këtij vargu fjalë për fjalë do të thotë «të presësh drejt». Duam ta përdorim «shpatën e frymës» drejt dhe saktë. (Efesianëve 6:17) Më pas, vëlla Lett tregoi se si mund ta bëjmë këtë me anë të veçorive të reja të Biblës.
Pjesa e parë e titulluar «Hyrje për Fjalën e Perëndisë», përmban vargje biblike që iu përgjigjen 20 pyetjeve për mësimet bazë të Biblës.
Shtojca A përshkruan aspekte të botimit të ri të rishikuar, si stilin e tij, ndryshimet në fjalor dhe përkthimin e emrit hyjnor.
Shtojca B, përmban 15 pjesë me ngjyra, harta dhe diagrame që do të na ndihmojnë për studim personal dhe për të mësuar të tjerët.
Në fillim të çdo libri të Biblës, ka një «Përmbajtje» e cila bën një përmbledhje të librit që e ndihmon lexuesin të gjejë menjëherë pjesën që kërkon. Kjo veçori zëvendëson frazat në krye të faqeve të botimit të mëparshëm.
«Fjalorth i termave biblikë» jep përkufizime të shkurtra të qindra fjalëve të përdorura në Bibël.
«Renditja e fjalëve biblike» është reduktuar në një masë të madhe. Tani ajo përfshin vetëm ato fjalë dhe shkrime që përdoren më shumë në shërbim dhe mësimdhënie.
Po ashtu janë reduktuar edhe referimet te kolonat në mes të faqeve. Tani në to përfshihen vetëm ato referime që na ndihmojnë në shërbim.
Shënimet japin përkthime të ndryshme, përkthime fjalë për fjalë dhe informacione shtesë.
JW Library.
John Ekrann, anëtar i Komitetit të Degës të Shteteve të Bashkuara tregoi aplikacionin e ri JW Library për pajisjet dixhitale si celularët smartphones dhe tabletat. Ky aplikacion ka Përkthimin Bota e Re bashkë me pesë përkthime të tjera të Biblës. Nga 7 tetori 2013 mund të shkarkohet falas në shumicën e app stores.
«Përkthejnë Fjalën e Perëndisë duke përcjellë kuptimin e saktë.»
Anthony Morris i Trupit Udhëheqës shpjegoi më tej parimet që ndoqi Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re kur përgatiti botimin e ri. Në punën e tyre ata zbatuan shkrimin e 1 Korintasve 14:8, 9 sepse donin të siguroheshin që Bibla e rishikuar të kuptohej lehtë. U shmang përkthimi fjalë për fjalë aty ku mund të shtrembërohej kuptimi origjinal.
Për shembull, me një përkthim ngushtësisht fjalë për fjalë Zanafilla 31:20 do të ishte: «Jakobi i vodhi zemrën Labanit.» Megjithatë, shprehja idiomatike e gjuhës hebraike që është përdorur këtu ka kuptim ndryshe nga ajo në anglisht, prandaj në Përkthimin Bota e Re tani është përkthyer: «Jakobi ia hodhi Labanit.» Ngjashëm kësaj, një përkthim fjalë për fjalë i 1 Korintasve 7:39 do të linte të kuptohej se një grua mund të martohej me një burrë tjetër nëse i shoqi ‘bie në gjumë’. Meqenëse në Shkrime ndonjëherë fjala «gjumë» i referohet gjumit të vdekjes, atëherë për të shmangur keqkuptimet nga ana e lexuesve, në Përkthimin Bota e Re është përdorur shprehja «bie në gjumin e vdekjes».
Vëlla Morris tha: «Bibla u shkrua në gjuhën e zakonshme, të përditshme të njerëzve të thjeshtë—bujqve, barinjve dhe peshkatarëve... Një përkthim i mirë i Biblës bën që mesazhin e saj ta kuptojnë njerëzit e sinqertë pavarësisht nga prejardhja.»
«Përdorin ‘fjalë të këndshme’ dhe ‘fjalë të sakta të së vërtetës’ »
David Splane i Trupit Udhëheqës zhvilloi këtë temë të bazuar te Eklisiastiu 12:10. Shkrimtarët e Biblës treguan shumë kujdes kur shkruan mendimet e Perëndisë dhe të njëjtin kujdes tregoi dhe Komiteti i fillimit i Përkthimit të Biblës Bota e Re gjatë punës së tij. Botimi i fundit i Përkthimit Bota e Re vazhdon të ndjekë parimin: «Shkruaj ‘fjalë të sakta të së vërtetës’ dhe bëje sa më të qartë mesazhin e Perëndisë.»
«Shumë fjalë të anglishtes kanë më shumë se një kuptim»,–u shpreh vëlla Splane. Për shembull, botimi i mëparshëm i Përkthimit Bota e Re, te 2 Timoteut 1:13, duke folur për ‘fjalët të shëndosha’ përdorte shprehjen «pattern». Fjala «pattern» në anglisht ka disa kuptime, një prej të cilëve është «vizatim. . . artistik». Nisur nga ky kuptim, disa kanë menduar se shprehja i referohej bukurisë së mësimeve të Biblës. Megjithatë, përkufizimi sipas gjuhës origjinale është «një model. . . i dhënë për t’u ndjekur». Prandaj në botimin e rishikuar në anglisht është përdorur fjala «standard».
Vëlla Splane shpjegoi gjithashtu disa rishikime që janë bërë për të pasqyruar ndryshimet e anglishtes. Për shembull, shprehja në anglisht «impale» e përdorur në botimet e mëparshme të Përkthimit Bota e Re për të përshkruar mënyrën se si u ekzekutua Jezui, kryesisht nënkupton të shposh tejpërtej me një dru të mprehur trupin e viktimës dhe ta mbërthesh në të. Meqenëse Jezui nuk u shpua tejpërtej me një shtyllë torture, botimi i rishikuar përdor shprehje të tilla si «nailed to the stake» për të përshkruar ekzekutimin e Jezuit.—Mateu 27:22, 23, 31.
Vëlla Splane përfundoi: «Lutemi që leximi dhe studimi i botimit të rishikuar Përkthimi Bota e Re, t’ju afrojë edhe më shumë me Jehovain. Dhe qoftë ai përgjithmonë Ati, Perëndia dhe Miku juaj.»
Mbyllja.
Vëlla Pierce e krahasoi botimin e rishikuar të Biblës me pjatën kryesore në «gostinë me gjellë plot yndyrë» të përgatitur nga Jehovai (Isaia 25:6) Më pas ai e mbylli programin duke ftuar auditorin të këndojë këngën me numër 114 e titulluar «Libri i Perëndisë:Një thesar», nga libri Këndojini Jehovait.