Kalo te përmbajtja

Diplomimi i klasës së 136-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Diplomimi i klasës së 136-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Të shtunën më 8 mars 2014, pas një kursi intensiv pesëmujor për studimin e Biblës, u diplomua klasa e 136-të e Galaadit. Në këtë shkollë, Dëshmitarë të Jehovait me përvojë mësojnë të jenë më të frytshëm në shërbim e t’u forcojnë besimin bashkëbesimtarëve. Programin e ndoqën gjithsej 11.548 veta, qoftë drejtpërdrejt në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork, qoftë nëpërmjet lidhjes video në vende të ndryshme të Kanadasë, Porto-Rikos, Shteteve të Bashkuara dhe Xhamajkës.

«Mbani po atë qëndrim mendor.» David Splane, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtues i programit, i bazoi komentet hyrëse te Filipianëve 2:5-7: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu.» Kur ishte në tokë, Jezui nuk e kishte hallin te pozita, por me përulësi punoi me gjithë forcat për veprën e Perëndisë.

Për shembull, Jezui hodhi poshtë çdo tundim të Djallit me fjalët «është shkruar», duke cituar nga një fjalim i Moisiut para kombit të Izraelit. (Mateu 4:4, 7, 10; Ligji i përtërirë 6:13, 16; 8:3) Jezui mund të kishte folur me fjalët e veta me autoritetin që kishte si Bir i mirosur i Perëndisë. Mirëpo, me përulësi tregoi vlerësim për punën e Moisiut. Njësoj si ai, duhet t’i pranojmë aftësitë që kanë të tjerët e të mos ua kursejmë lavdërimet.

Veç kësaj, vëlla Splane theksoi si shfaqi qëndrimin e duhur mendor Jezui në fund të stërvitjes në tokë. Jezui iu drejtua Jehovait në lutje: «Unë të kam dhënë lavdi në tokë, duke e mbaruar veprën që më dhe për të bërë. Tani, o Atë, jepmë lavdi, që të jem pranë teje e të kem atë lavdi që kisha pranë teje para se të ishte bota.» (Gjoni 17:4, 5) Jezui nuk kërkoi privilegje të tjera. Donte vetëm të bënte sërish ‘punën e mëparshme’ kur të kthehej në qiell. Po njësoj, të diplomuarit e Galaadit duhet të imitojnë Jezuin duke u përqendruar te puna, jo te pozita, e duke qenë të kënaqur edhe sikur të mos marrin privilegje të tjera kur të kthehen në caktimet e tyre.

«Mos u bëni pishman për sakrificat.» William Malenfant, ndihmës në Komitetin e Mësimit të Trupit Udhëheqës, i nxiti studentët të imitonin shembullin vetëmohues të apostullit Pavël. Ai nuk e mbante mendjen te gjërat që kishte braktisur për hir të shërbimit të Perëndisë. Përkundrazi, tha: «Po e lë pas të kaluarën dhe, me duart të zgjatura drejt çfarëdo gjëje që më pret, po shkoj drejt qëllimit.»​—Filipianëve 3:13, 14, Phillips.

Duke mos u bërë pishman për sakrificat, studentët do të imitojnë besnikët e Perëndisë në kohët e lashta dhe sot. Vëlla Malenfant citoi Clara Gerber Moyer, që nisi t’i shërbente Jehovait në vogëli. Ajo shkruante: «Çfarë privilegji kur kthej kokën pas e kujtoj ato 80 vite shërbimi që ia kam kushtuar Perëndisë. Nuk jam penduar fare! Po ta filloja nga e para jetën, nuk do të ndryshoja asgjë.»

«Predikoni për Mbretërinë me engjëjt dhe si engjëj.» Gerrit Lösch, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, i ndihmoi studentët të çmonin dy privilegje të veçanta të atyre që predikojnë. Së pari, shërbejnë si engjëj të Perëndisë kur u çojnë njerëzve lajmin e mirë për Mbretërinë, pasi fjalët hebraike dhe greke që përdoren në Bibël për «engjëll» mund të përkthehen edhe «lajmëtar». Së dyti, studentët e predikojnë lajmin e mirë nën drejtimin e krijesave frymore, engjëjve, ashtu si dishepulli Filip.​—Veprat 8:26-35.

Më tej, vëlla Lösch tregoi përvoja të Dëshmitarëve të Jehovait gjatë predikimit për Mbretërinë. Për shembull, Gabino, një Dëshmitar në Meksikë që e ka zakon të trokasë vetëm një a dy herë, te një derë trokiti katër herë. Burri që doli, i tha se për pak do të kishte vrarë veten. «Kur trokite për herë të katërt, kisha vënë lakun në qafë. Megjithatë e hoqa që të hapja derën. Faleminderit që ngulmove! Po të kishe hequr dorë, do të isha varur.»

Mbase nganjëherë përvoja të tilla janë rastësi, por e dimë mirë se shumë prej tyre nuk janë. Përkundrazi, japin dëshmi se veprën mbarëbotërore të predikimit po e drejtojnë engjëjt e Perëndisë.​—Zbulesa 14:6.

«Njeriu i nderuar do të bekohet.» Michael Burnett, instruktor i Galaadit, shtjelloi këtë temë duke përdorur shembullin e Jabezit, një pasardhës i Judës, që ishte «më i nderuar se vëllezërit e tij». Jabezi iu lut Perëndisë: «Sikur të më bekosh dhe ta zgjerosh territorin tim, sikur dora jote të jetë me mua dhe të më ruash nga gjëma!»​—1 Kronikave 4:9, 10.

Studentët mund të imitojnë shembullin e Jabezit të nderuar, duke bërë lutje specifike, sidomos duke i kërkuar ndihmë Perëndisë që të përmbushin qëllimin e stërvitjes në Galaad. Po ashtu, është me vend t’i kërkojnë Perëndisë t’i ruajë nga gjëma, jo t’i mbrojë plotësisht nga pasojat e saj, por t’i ndihmojë të mos i paralizojë dëshpërimi ose të mos i mbytë e keqja. Perëndia iu përgjigj lutjes së Jabezit, dhe do të bëjë të njëjtën gjë për studentët e Galaadit.

«Mos e shuani zjarrin.» Mark Noumair, instruktor i Galaadit dhe ndihmës në Komitetin e Mësimit, e bazoi fjalimin te 1 Selanikasve 5:16-19. Ashtu si zjarri mbahet gjallë kur ka karburant, oksigjen dhe ngrohtësi, studentët mund të përdorin tre elementë që të mbajnë ndezur entuziazmin për shërbimin.

Së pari, «gëzoni gjithmonë». (1 Selanikasve 5:16) Studentët mund të gjejnë gëzim, i cili është karburanti i entuziazmit, duke medituar për bekimin që janë të miratuar nga Jehovai. Së dyti, «lutuni pa pushim». (1 Selanikasve 5:17) Lutja është si oksigjeni që mban gjallë zjarrin. Duhet të bëjmë lutje më të gjata, t’ia zbrazim zemrën Perëndisë. Së treti, «falënderoni për çdo gjë». (1 Selanikasve 5:18) Një zemër plot mirënjohje ngroh marrëdhënien tonë me Jehovain dhe me vëllezërit. Vëlla Noumair tha: «Ushqeni ndjenjat e ngrohta të mirënjohjes që janë krejt e kundërta e frymës së kritikës.»

«Lëvdoni Jehovain tok me qiejt.» Sam Roberson, instruktor i shkollave teokratike, i bazoi komentet hyrëse në vargje biblike që tregojnë se dielli, hëna dhe yjet lëvdojnë Jehovain. (Psalmi 19:1; 89:37; 148:3) Ai tha se edhe studentët kanë pasur privilegjin ta lëvdojnë Jehovain dhe pastaj drejtoi demonstrime të përvojave të tyre nga predikimi gjatë shkollës. Për shembull, një student falënderoi një burrë që ishte në karrige me rrota ngaqë shprehu mirënjohje kur studenti ndaloi makinën që burri të kalonte rrugën. Nga kjo lindi një bisedë dhe burri pranoi të studionte Biblën falas me të. Ndërsa drejtonte studimin javë pas jave, studenti i Galaadit pati mundësi t’u jepte dëshmi mjaft njerëzve që shkonin për vizitë te burri. Përfundimisht, si rrjedhojë e asaj bisede të parë, u nisën edhe shtatë studime të tjera biblike.

«Bëhuni më të fuqishëm nëpërmjet arsimimit hyjnor.» Donald Gordon, ndihmës në Komitetin e Botimit, intervistoi dy çifte nga klasa. Një nga vëllezërit e intervistuar kujtoi se gjatë gjithë kursit u vu theksi tek Efesianëve 3:​16-​20. Kjo i ndihmoi studentët ‘të bëheshin të fuqishëm’, duke qenë të përulur e të afrueshëm dhe duke pranuar se Jehovai ka akoma shumë punë për çdo Dëshmitar. Njëra nga motrat tha se vlerësoi inkurajimin e një instruktori të Galaadit që i nxiti studentët të mos ishin si një peshk i madh në një akuarium të vogël pa hapësirë për t’u rritur, por si një peshk i vogël në një oqean të madh. Ajo u shpreh: «Mësimi që nxora është se, po të sillem si më e vogla në organizatën e Jehovait, ai do të më ndihmojë të rritem frymësisht.»

«Jehovai ju kujtoftë për mirë!» Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin kryesor të programit të diplomimit. Tema ishte marrë nga lutja e Nehemisë: «Më kujto për mirë, o Perëndia im!» (Nehemia 5:19; 13:31) Nehemia nuk kishte frikë se mos Jehovai e harronte atë vetë dhe shërbimin ndaj tij. Përkundrazi, i kërkoi Perëndisë ta kujtonte me dashuri e ta bekonte.

Po njësoj, studentët mund të kenë besim se Jehovai do t’i kujtojë për mirë nëse zbatojnë thelbin e mësimeve që morën në Galaad. Për shembull, duhet të lejojnë që motivi kryesor pse e adhurojnë Jehovain të jetë dashuria me gjithë zemër për të. (Marku 12:30) Abrahami e deshi Jehovain me gjithë shpirt, dhe Ai e kujtoi me dashuri. Edhe një mijë vjet pasi Abrahami kishte vdekur, Perëndia e quajti ‘miku im’.​—Isaia 41:8.

Më pas vëlla Sanderson u kujtoi studentëve se duhet të duan edhe njerëzit, sidomos vëllezërit e motrat. (Marku 12:31) Ashtu si samaritani i mirë, i cili «u bë i afërm i njeriut që ra në duart e kusarëve», ata duhet të marrin iniciativën e të jenë të gjindshëm ndaj atyre që duan ndihmë. (Luka 10:36) Për ta ilustruar, përdori shembullin e Nicholas Kovalak, një i diplomuar i Galaadit që kishte shërbyer si mbikëqyrës krahinor. Vëllai Kovalak njihej për ngrohtësinë dhe dashurinë. Një herë nxiti një mbikëqyrës udhëtues dhe gruan e tij të ishin të zellshëm në shërbim, t’i përvisheshin punës «në fillim të ditës, në fillim të javës, në fillim të muajit, në fillim të vitit». Mirëpo, pasi vëzhgoi për disa ditë shërbimin e motrës, i tha: «Harroje atë që të thashë! Tashmë po punon jashtë mase. Ule ritmin, që të vazhdosh të shërbesh gjatë.» Këshilla e tij e dashur dhe e dhembshur e ka ndihmuar motrën të vazhdojë shërbimin e plotkohor për dekada të tëra.

Në fund, vëlla Sanderson i nxiti studentët të përmbushin qëllimin e arsimimit të tyre duke mësuar e stërvitur të tjerë. (2 Timoteut 2:2) Ndërsa shërbejnë në caktimet e tyre, mund t’i japin forcë e stabilitet vëllazërisë, të sigurt se Jehovai do t’i kujtojë për mirë.​—Psalmi 20:​1-5.

Përmbyllja. Pasi studentët morën diplomat, një nga të diplomuarit lexoi një letër mirënjohjeje në emër të klasës. Pastaj 15 veta nga klasa e mbyllën programin me një interpretim a cappella të këngës 123 «Barinjtë, dhurata në njerëz», nga libri Këndojini Jehovait.