Një transmetim online në gjithë botën
Të shtunën, më 5 tetor 2013, një auditor me 257.294 veta në 21 vende ndoqi mbledhjen e 129-të vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Ata ishin të pranishëm në sallë ose e ndoqën drejtpërdrejt nëpërmjet një transmetimi online. Po atë fundjavë, Dëshmitarë të tjerë panë një ritransmetim të programit. Gjithsej, programin e ndoqën 1.413.676 veta në 31 vende. Mbledhja e këtij viti ishte mbledhja më e madhe e Dëshmitarëve të Jehovait deri më sot, duke ua kaluar 1.327.704 të pranishmëve që ndoqën një program të veçantë në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore më 28 prill 2013.
Që nga vitet 20 të shekullit të kaluar, Dëshmitarët e Jehovait i transmetojnë kongreset e tyre për auditorë ndërkombëtarë nëpërmjet linjave telefonike dhe rrjeteve të mëdha radiofonike. Tani, falë teknologjisë së Internetit, edhe njerëz nga vende të largëta mund t’i dëgjojnë ose t’i shikojnë aktivitetet në kohë reale ose pak më vonë. William, një Dëshmitar i Jehovait në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1942 ndoqi një kongres në Richmond, Virxhinia, duke e dëgjuar programin në linjë telefonike. Duke e krahasuar këtë përvojë me prezantimin e mbledhjes vjetore të këtij viti, ai thotë: «Nxjerr shumë më tepër dobi nga programi kur e sheh. S’ka të krahasuar.»
Anëtarë të disa zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait punuan mijëra orë për më tepër se një vit për të bërë gati transmetimin. Në fundjavën e transmetimit, teknikët e mbikëqyrën programin nga një qendër kontrolli në Bruklin, Nju-Jork, dhe qëndruan në krye të detyrës gjithë kohën, derisa programi u transmetua në vende të 15 zonave orare. Ryan, i cili ndihmoi në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e transmetimit, tha: «Nuk fjetëm mjaftueshëm, por duke ditur sa shumë veta nxorën dobi nga programi, ia vlejti barra qiranë.»