Kalo te përmbajtja

Trupi Udhëheqës u jep zemër Dëshmitarëve në Rusi dhe Ukrainë

Trupi Udhëheqës u jep zemër Dëshmitarëve në Rusi dhe Ukrainë

«Dashuria e tyre na e mbushi zemrën plot!» Kështu u shpreh një ukrainase pasi dëgjoi një letër të rëndësishme të lexuar nga Stephen Lett, pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo ishte një prej 165.000 Dëshmitarëve që dëgjuan fjalimet e vëllait Lett gjatë vizitës së tij në Ukrainë fundjavën e 10 dhe 11 majit 2014.

Fjalimet biblike dhe letra u përkthyen në pesë gjuhë dhe u transmetuan në 700 Salla Mbretërie në mbarë Ukrainën.

Po atë fundjavë, Mark Sanderson, gjithashtu anëtar i Trupit Udhëheqës, e lexoi letrën gjatë një programi që u mbajt për vëllezërit në mbarë Rusinë. Ky program u përkthye në 14 gjuhë dhe u ndoq në lidhje direkte nga 180.413 veta në më se 2.500 kongregacione në Bjellorusi dhe Rusi.

Letra që vinte nga Trupi Udhëheqës, u drejtohej të gjitha kongregacioneve në Rusi dhe Ukrainë. Ngaqë vëllai Sanderson e lexoi në rusisht, zyra e degës e Rusisë shkroi: «Vëllezërit e motrat u prekën thellë nga interesimi i madh i Trupit Udhëheqës për kongregacionet në këtë pjesë të botës. Të gjithëve na u duk sikur Trupi Udhëheqës na përqafoi fort.»

Qëllimi i letrës ishte të ngushëllonte e të forconte Dëshmitarët në zonat ku ka pasur trazira politike. Ajo i nxiste vëllezërit që të vazhdonin ‘të mos ishin pjesë e botës’ duke qëndruar asnjanës në çështjet politike.—Gjoni 17:16.

Ja pse Trupi Udhëheqës i inkurajoi Dëshmitarët të mbanin një marrëdhënie të fortë me Jehovain nëpërmjet lutjeve, studimit dhe meditimit për Fjalën e Perëndisë. Ai u kujtoi edhe një herë të pranishmëve se, pavarësisht nga çdo lloj sprove, mund të kenë besim te premtimi i sigurt që Perëndia bën te Isaia 54:17: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»

Trupi Udhëheqës e përfundonte letrën me fjalët: «Të jeni të sigurt se ju kemi vazhdimisht në mendje dhe i përgjërohemi Jehovait për ju.»

Në lidhje me këto vizita, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë shkroi: «Vëllezërit u mahnitën nga kujdesi i dashur dhe vëmendja e Trupit Udhëheqës. Ardhja e vëllezërve Lett dhe Sanderson në Ukrainë e Rusi atë fundjavë theksoi edhe një herë unitetin e popullit të Perëndisë dhe u tregoi vëllezërve sa shumë i duan Jehovai dhe Jezui. Të gjithë ishim dakord se ishte momenti i duhur për një vizitë të tillë. Tani ndihemi më të vendosur që t’i shërbejmë Jehovait pavarësisht nga çdo lloj vështirësie.»