Liridashësit takohen në Armada
Në datat 6 deri më 16 qershor 2013, miliona vizitorë nga e gjithë bota vërshuan drejt portit të Ruanit, në veri të Francës, që të merrnin pjesë në një nga organizimet më të mëdha dhe më të bukura që bëhen për anijet: Armada.
Pasi lundruan 120 kilometra përgjatë Senës, një lumë gjarpërues në Normandinë piktoreske, anijet më të bukura dhe më të larta në botë e hodhën spirancën përgjatë një skele shtatë kilometra të gjatë që ishte bërë gati për këtë rast festiv. Për më tepër se dhjetë ditë, vizitorët kishin mundësinë unike të hipnin dhe të vizitonin lirisht rreth 45 mjete lundrimi legjendare dhe anije të larta që erdhën në festë.
Çfarë i shtyu kaq shumë njerëz të moshave të ndryshme të vinin në Armada? Sipas organizatorit dhe themeluesit të këtij rasti, Armada na jep mundësi «t’u afrohemi këtyre ‘gjigantëve të detit’ që na bëjnë të ëndërrojmë». Vërtet, shumë veta, qoftë të rinj ose të moshuar, kur shohin anije të mëdha lundrimi, mendja u shkon tek udhëtimet e largëta dhe te liria.
Mijëra turistë kishin mundësi edhe të dëgjonin për një lloj tjetër lirie, atë që ofron e vërteta biblike. (Gjoni 8:31, 32) Teksa vizitonin Ruanin mesjetar magjepsës dhe rrugët e ngushta plot njerëz, vizitorët nuk mund të mos i vinin re stendat e lëvizshme të Dëshmitarëve të Jehovait. Kur turistët ose marinarët i afroheshin një stende, Dëshmitarët i ftonin të merrnin çfarëdolloj literature biblike të ekspozuar, pa pagesë. Shumë kalimtarë i tërhoqi artikulli «Një botë pa paragjykime—Kur?» te revista Kulla e Rojës. Gjithashtu morën ftesën për të dëgjuar një fjalim biblik në frëngjisht, anglisht ose spanjisht.
Vendësit shprehën vlerësimin e tyre për këtë iniciativë. Një burrë, i cili në fillim u habit kur pa Dëshmitarët në publik pranë një stende të lëvizshme, tha: «Jam i kënaqur që ju shoh në rrugë. Kam respekt për ata që i mbrojnë bindjet e tyre, edhe pse nuk kam të njëjtat bindje si ju.» Dy të moshuar që takuan të rinj Dëshmitarë, që po merrnin pjesë në këtë vepër publike, u thanë: «Duhet të jeni krenarë për atë që jeni!»