Një ekspozitë unike për Biblën në Francë
Në 2014-n, mijëra vizitorë që erdhën në Panairin Ndërkombëtar të Ruanit, në veri të Francës, ndeshën një pavijon tërheqës ku binte në sy tema «Bibla—Dje, sot dhe nesër».
Monitorët me ekran të sheshtë jashtë pavijonit shfaqnin një videoklip rreth dorëshkrimeve biblike të lashta, i cili ua tërhoqi vëmendjen shumë vizitorëve. Kur futeshin brenda, vizitorët mësonin për këshillat praktike të Biblës, për saktësinë historike e shkencore dhe për shpërndarjen e saj të gjerë.
Gjithashtu, ekspozita tregonte si ka mbijetuar Bibla ndër epoka dhe se tani është në dispozicion për miliarda lexues në një larmi formatesh të shtypura dhe elektronike. Vizitorët morën falas një kopje të Biblës Përkthimi Bota e Re që Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar në më tepër se 120 gjuhë.
Mjaft vizitorë shprehën vlerësim për nismën e marrë nga Dëshmitarët që Bibla të jetë në dispozicion të publikut. Një punonjëse sociale që po shihte stendën me disa adoleshentë, tha: «Bibla është pjesë e trashëgimisë sonë. Është një libër i gjallë. Sa herë e lexoj, gjej zgjidhjet e problemeve të mia.»
Një gjyshe 60-vjeçare u habit kur mori vesh se mund të merrte falas një Bibël. Ajo u shpreh: «Duhet të fillojmë ta lexojmë sërish, sepse të gjithë kemi nevojë për të!»