Një fushatë e suksesshme në Laponi
Në një territor të paanë që shtrihet përgjatë Finlandës, Norvegjisë dhe Suedisë jeton popullsia saami—banorë indigjenë që kanë kulturën, traditën dhe gjuhët e tyre. Kohët e fundit Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë dy hapa për të përhapur mesazhin e Biblës te popullsia saami.
Hapi i parë: në vjeshtën e vitit 2015 Dëshmitarët filluan të prodhonin literaturë dhe video biblike në gjuhën saami. a Hapi i dytë: gjatë dy fushatave speciale, më 2016 dhe 2017, Dëshmitarët e Jehovait udhëtuan në Laponi—zonë e largët me tufa drerësh polarë që «gjezdisin» andej-këtej—që t’ua jepnin popullsisë saami këto botime të përkthyera.
‘Punë e çmuar për komunitetin’
Më shumë se 200 Dëshmitarë nga Finlanda, Norvegjia dhe Suedia dolën vullnetarë për fushatën speciale në maj 2017 dhe predikuan në shumë fshatra të vogla të shpërndara në një sipërfaqe prej mijëra kilometrash katrorë në Laponi. Disa Dëshmitarë kishin mësuar shprehje në saami, që i prekën goxha vendësit. Denisi, që shkoi në Karigasniemi, tregon: «Banorët u kënaqën me përpjekjet tona modeste për të folur gjuhën e tyre dhe ndien interesin tonë të sinqertë.
Ngaqë vendësit i kanë për zemër natyrën dhe kafshët, u pëlqeu sidomos premtimi i Biblës për një parajsë në tokë. (Psalmi 37:11) Për shembull, kur një grua saami filloi të studionte Biblën me broshurën Një lajm i mirë nga Perëndia, dhe mësoi çfarë do të bëjë Perëndia për njerëzit, u çudit që pastori i saj nuk i kishte folur kurrë për parajsën në tokë.
Shumë veta i falënderuan Dëshmitarët që i vizituan. Një shitës lavdëroi dy Dëshmitare që kishte parë duke predikuar. U tha se po bënin «një punë të rëndësishme dhe të çmuar për komunitetin» dhe i ftoi të futeshin në dyqan e të merrnin çfarëdo ushqimi që u duhej. Pastaj nguli këmbë t’ua paguante ai.
Gjatë fushatës banorët panë rreth 180 video dhe morën mbi 500 botime. Shpesh kërkuan çdo botim që ishte në dispozicion në gjuhën e tyre. Gjithashtu, 14 saami filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.
«Punë profesionistësh»
Disa saami që lexuan botimet tona, vlerësuan cilësinë e lartë të përkthimit. Nil Tapiola, mësues dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Parlamentit Saami, tha: «Botimet tuaja janë përkthyer shkëlqyeshëm.» Ai shpjegoi se botimet «lexohen lehtë dhe kanë një strukturë gjuhësore fantastike». Një burrë saami që jeton në pikën më veriore të Finlandës, arriti në këtë përfundim: «S’kam pikë dyshimi se kjo është punë profesionistësh.»
Në Karigasniemi, në kufirin mes Finlandës dhe Norvegjisë, Dëshmitarët diskutuan me një mësuese saami mësimin e parë nga broshura Një lajm i mirë nga Perëndia. Ngaqë i bëri shumë përshtypje cilësia e përkthimit, mësuesja u kërkoi leje Dëshmitarëve ta përdorte në shkollë broshurën që t’u mësonte nxënësve gjuhën saami.
Në gjuhën saami janë përkthyer disa video e fletushka, si dhe një broshurë. Siti jw.org u vu në dispozicion në gjuhën saami më 29 shkurt 2016. Çdo muaj, ata që flasin këtë gjuhë, e vizitojnë sitin mbi 400 herë dhe shkarkojnë rreth 350 materiale elektronike, audio e video.
Kjo fushatë ishte një bekim si për popullsinë saami, edhe për vullnetarët që i vizituan. Henriku dhe Hilja-Maria që udhëtuan për në Utsjoki, thanë se vendësit «panë që Bibla mund t’i sjellë dobi komunitetit saami në shumë mënyra praktike». Lauri dhe Inga, që po ashtu ishin në Utsjoki, shtuan: «Kjo fushatë na kujtoi paanshmërinë e Perëndisë. Jemi të kënaqur t’ua pasqyrojmë dashurinë e tij banorëve në këto zona të largëta.»
a Ka disa gjuhë saami (që njihet edhe si sami). Encyclopædia Britannica thotë se «gjuha më e përdorur, sami e veriut, flitet nga rreth dy të tretat e gjithë popullsisë sami». Dëshmitarët e Jehovait i përkthejnë botimet në gjuhën saami të veriut. Për lehtësi, në këtë artikull do të përdoret fjala «saami» për t’iu referuar gjuhës që flet shumica.