Kalo te përmbajtja

Fushata globale nxit interesin për JW.ORG

Fushata globale nxit interesin për JW.ORG

Gjatë gushtit 2014, Dëshmitarët e Jehovait shpërndanë në mbarë botën një fletushkë që nxiste interesin për sitin jw.org. Si rezultat, gjatë muajit, siti u vizitua gati 65 milionë herë, një rritje prej më shumë se 20 për qind. Në mbarë botën, pothuajse 10.000 njerëz kërkuan nëpërmjet sitit studime biblike falas në shtëpitë e tyre​—67 për qind më tepër se muajin e mëparshëm. Kjo fushatë ndihmoi njerëz anembanë.

Ndihmë për ata që kërkojnë përgjigjet për pyetjet e rëndësishme të jetës

Një Dëshmitare në Kanada përshëndeti Madelinën në një ashensor dhe i tregoi fletushkën Ku mund t’i gjejmë përgjigjet për pyetjet e rëndësishme të jetës? Madelina tha se një natë më parë i ishte përgjëruar Perëndisë në ballkon që ta ndihmonte të gjente përgjigjet e pyetjeve të tilla. Më parë ajo u kishte telefonuar disa kishave që t’u kërkonte një studim biblik, por askush nuk ishte kujtuar më për të. Shpejt ajo nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.

Ndihmë për ata që nuk e njohin Biblën

Në Filipine, Rouena foli me një kinez që po qëndronte përballë një restoranti fast-food. Ajo i dha fletushkën dhe i shpjegoi se Dëshmitarët e Jehovait duan t’i ndihmojnë njerëzit të nxjerrin dobi nga arsimimi falas rreth Biblës.

Burri tha se nuk kishte parë kurrë një Bibël. Nga biseda u nxit të ndiqte një asamble të Dëshmitarëve të Jehovait. Më pas tha se donte të dinte më shumë rreth Biblës dhe se kishte ndër mend ta shkarkonte nga siti ynë.

Ndihmë për ata që nuk dëgjojnë

Gijermo, një Dëshmitar nga Spanja që nuk dëgjon, takoi Horhen, një ish-shok shkolle që nuk dëgjonte si ai. Horhe tha se kohët e fundit i kishte vdekur e ëma dhe se kishte mjaft dyshime e pyetje. Gijermo i dha fletushkën e fushatës dhe i shpjegoi si mund të gjente në sitin jw.org informacione në gjuhën e shenjave që do t’u përgjigjeshin shumë pyetjeve të tij. Gjithashtu, Gijermo e ftoi Horhen në mbledhjen që do të mbahej në Sallën e Mbretërisë. Ai shkoi, dhe që atëherë nuk ka munguar në asnjë mbledhje, ndonëse banon 60 kilometra larg.

Ndihmë për ata që banojnë në vende të largëta

Me goxha shpenzime, dy çifte Dëshmitarësh në Grënlandë bënë gjashtë orë udhëtim me një barkë të vogël për te një komunitet me 280 banorë. Atje predikuan, shpërndanë fletushka dhe u treguan banorëve një video nga siti jw.org në gjuhën grënlandeze. Po ashtu, nisën një studim biblik me një çift që takuan. Tani e bëjnë studimin dy herë në javë me telefon.

Përpjekje të tilla nuk u bënë vetëm në Veriun e Largët. Dëshmitarët në Nikaragua u organizuan për t’u shpërndarë fletushkën personave që flitnin gjuhën mayangna në xhunglën e Karaibeve. Pasi udhëtuan pa ndaluar për 20 orë me një autobus rrangallë nëpër një rrugë plot gropa, ecën në këmbë 11 orë, ndonjëherë edhe përmes llucës së thellë, që të arrinin në ato zona. Atje u shpërndanë fletushka dhe u treguan video në gjuhën mayangna banorëve, të cilët u habitën dhe u kënaqën shumë njëkohësisht.

Estela i dha fletushkën një burri që po kalonte përmes një qyteze në pyjet e shiut të Amazonës, Brazil. Burri e pranoi fletushkën, por e futi në xhep pa treguar shumë interes. Kur po kthehej në shtëpi, iu prish motori i barkës dhe ngeli në mes të lumit. Ndërsa priste ndihmë, lexoi fletushkën. Hyri në sitin jw.org me celular, ku lexoi ca artikuj dhe shkarkoi disa video. Pak ditë më vonë, takoi burrin e Estelës dhe i kërkoi ta falënderonte të shoqen për fletushkën. Ai tha: «Artikujt që lexova kur kisha ngelur në lumë, më qetësuan derisa erdhi një barkë që më shpëtoi. Fëmijët e mi vdesin për videot e Danielit. Do të vazhdoj të vizitoj sitin jw.org.»