Në Gjermani, stendat e lëvizshme «shkojnë me pushime»
Në qytetet e mëdha përreth botës, kalimtarët janë mësuar të shohin stenda të lëvizshme me literaturë biblike, që botohen nga Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, në Gjermani, Dëshmitarët kanë vendosur stenda me literaturë në Berlin, Këln, Hamburg, Mynih dhe në qytete të tjera plot gjallëri.
Por, a do të kishin të njëjtin sukses këto stenda tërheqëse në qytezat ku gjermanët kalojnë pushimet? Si do të priteshin në qytezat e pushimit në veri të vendit? Po në komunitetet që jetojnë në bregdet dhe në ishujt e detit Baltik e të detit të Veriut? Për të zbuluar përgjigjet, më 2016, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait për Evropën Qendrore ndërmori një nismë të veçantë. Nga maji deri në tetor, rreth 800 Dëshmitarë që marrin pjesë në dëshminë me stenda në zonat metropolitane—përfshirë këtu disa që erdhën nga Vjena e largët, Austri—dolën vullnetarë të predikonin me stenda në rreth 60 zona të Gjermanisë Veriore.
«Pjesë të qytezës»
Dëshmitarët u mirëpritën përzemërsisht. Një vullnetar tregon: «Njerëzit shfaqën interes. Ishin miqësorë, kureshtarë dhe të gatshëm të bisedonin.» Hajdi, e cila shkoi në qytezën Plön, tha: «Pas ca ditësh, njerëzit na shihnin si pjesë të qytezës. Kur na shikonin, disa që na njihnin, na përshëndetnin me dorë.» Një burrë që nuk dëgjon, u tha në gjuhën e shenjave: «Ju jeni kudo!» Ai po kthehej bashkë me shokët nga një aktivitet për personat që nuk dëgjojnë, në juglindje të Gjermanisë, ku gjithashtu kishte takuar Dëshmitarë të Jehovait.
Madje, disa vendës u ofruan t’i ndihmonin Dëshmitarët. Në ishullin Wangerooge, një polic iu afrua Dëshmitarëve dhe u sugjeroi me mirësjellje si mund të takonin më shumë njerëz. Në Waren an der Müritz, kapiteni i një anijeje të vogël turistike po u tregonte pasagjerëve disa vende interesante. Pastaj, duke drejtuar gishtin te një stendë me literaturë në zonën e portit, u tha: «Kurse atje mund të mësoni diçka për Zotin.» Disa pushues u afruan dhe lexuan posterat e stendave.
Si turistët, edhe vendësit shfaqën interes për këto tri broshura:
A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? Një turiste tha: «Ka shumë kohë që ia bëj vetes këtë pyetje. Më në fund, tani që jam me pushime, do të mund të marr përgjigjen.»
Një lajm i mirë nga Perëndia. Një i moshuar i tha një çifti Dëshmitarësh se ishte i zhgënjyer nga feja. Ata e ndihmuan të kuptonte se, përveç Zotit, asnjë njeri nuk mund të na i zgjidhë hallet. Burri e pranoi me kënaqësi broshurën dhe premtoi se do ta lexonte.
Mësimet e para nga Bibla. Një baba e lejoi vajzën e tij të vogël të merrte broshurën, e cila është bërë posaçërisht për fëmijët e vegjël. Kurse ai vetë mori botimin Libri im i tregimeve biblike dhe u shpreh: «Ky libër do t’i duhet familjes sime.»
Kalimtarët morën më tepër se 3.600 botime. Disa kërkuan që Dëshmitarët t’i takonin sërish dhe të vazhdonin bisedën.
Dëshmitarët që morën pjesë në këtë nismë, u kënaqën shumë nga kjo eksperiencë. Jërgi bashkë me të shoqen, Marinën, udhëtuan në një zonë pranë detit Baltik. Ata u shprehën: «Ishte një dhuratë e veçantë. Mundëm të shijonim krijimin e Perëndisë dhe në të njëjtën kohë t’u flitnim të tjerëve për Të.» Lukasi 17-vjeçar thotë: «Ishte fantastike! Jo vetëm u kënaqa vetë, por edhe u dhashë diçka me vlerë të tjerëve.»