Bibla 2-metërshe
Para se të porositësh një Bibël në gjuhën braile nga Dëshmitarët e Jehovait, sigurohu që të kesh mjaft vend. Përkthimi Bota e Re i plotë, botuar në gjuhën braile në anglisht, spanjisht dhe italisht, ka 18 deri në 28 vëllime dhe kërkon të paktën 2 metra vend në bibliotekë.
Formatet e tjera kërkojnë më pak vend se Bibla e shtypur në letër me reliev. Pajisjet për mbajtjen e shënimeve në braile i ndihmojnë të verbrit të mbajnë shënime dhe të gjejnë informacione elektronike me anë të një pajisjeje portative, e cila përmes gjilpërave që ulen e ngrihen, krijon simbolet në braile. Gjithashtu, të verbrit mund t’i gjejnë e t’i dëgjojnë botimet me ndihmën e një pajisjeje (screen reader) që e kthen tekstin e shkruar në gjuhë të folur.
Veç këtyre, Dëshmitarët kanë zhvilluar një program kompjuterik në gjendje që të transkriptojë tekstin në gjuhë të ndryshme braile. Pasi përgatitet tabela e konvertimit, e cila përmban shkronjat e një gjuhe të caktuar dhe ato të gjuhës braile, programi mund ta kthejë gjithë tekstin në braile. Gjithashtu, ky program e kthen botimin në një format që ia bën të lehtë të verbrit ta lexojë. Kjo formë automatike do të bëjë të mundur të prodhohen botime në gjuhën braile, përfshirë edhe Biblën, në pothuaj çdo gjuhë që ka alfabetin në braile, madje edhe ato që nuk përdorin germa latine.
Për më shumë se 100 vjet, Dëshmitarët kanë nxjerrë botime biblike për të verbrit, të cilat tani janë në dispozicion në 19 gjuhë. Edhe pse të verbrit e interesuar mund t’i marrin ato pa pagesë, shumica e tyre kontribuojnë me dëshirë.
Më parë, kur dilte një botim i ri në kongreset e Dëshmitarëve, njoftohej se botimet në braile mund të porositeshin më vonë. Vjet, zyra e degës në Shtetet e Bashkuara anketoi kongregacionet për t’u informuar se në cilin kongres planifikonin të merrnin pjesë të verbrit dhe cilin format (letër me reliev, pajisje elektronike për mbajtjen e shënimeve ose për leximin) parapëlqenin.
Kopje të shtypura në letër me reliev u dërguan nëpër kongreset ku ishin të pranishëm persona të verbër dhe kjo bëri të mundur që ata t’i merrnin botimet e reja njëkohësisht me të tjerët. Formatet elektronike iu dërguan me postë elektronike secilit një javë pas kongresit.
Një Dëshmitar i verbër tha: «Ishte një privilegj i mrekullueshëm që e mora literaturën njëherazi me gjithë të tjerët. Psalmi 37:4 thotë se Jehovai do të na japë çfarë të na dojë zemra. Kështu bëri këtë fundjavë!
» Një tjetri iu mbushën sytë me lot dhe tha: «Kanë menduar për mua. Faleminderit Jehovait që kujdeset kaq mirë për ne.
»