«Plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë»!
Prezantohet botimi i rishikuar i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re
Më 8 dhjetor 2019, vëlla Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën shqipe. Ky eveniment u mbajt në pallatin e sportit «Asllan Rusi», Tiranë, Shqipëri.
Gjatë këtij programi u prezantuan edhe dy botime të tjera, dy libra që u rishikuan: Çfarë na mëson Bibla? dhe Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta. Në pallatin e sportit në Tiranë ishin të pranishëm 3.056 veta, kurse 3.026 të tjerë e ndoqën programin drejtpërdrejt nga 27 Salla Mbretërie në Shqipëri e Kosovë. Secili nga 6.082 të pranishmit pati kënaqësinë të merrte Biblën e rishikuar në këtë mbledhje speciale.
Dëshmitarët shqipfolës e morën Biblën e parë Përkthimi Bota e Re në gjuhën e tyre në vitin 2005. * Janë shtypur gjithsej 160.956 kopje të saj, që janë përdorur nga rreth 10.000 Dëshmitarë të Jehovait që flasin shqip anekënd botës. Por pse u rishikua ky përkthim i Biblës? Kush e nxori Përkthimin Bota e Re të rishikuar dhe pse mund të jesh i sigurt se është i besueshëm? Dhe cilat veçori të reja të këtij rishikimi do të të ndihmojnë të jesh «krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë»?—2 Timoteut 3:16, 17.
Pse u rishikua përkthimi?
Gjuhët ndryshojnë me kalimin e viteve, ndaj lind nevoja që përkthimet e Biblës të rishikohen. Në këtë mënyrë teksti mbetet i kuptueshëm. Një Bibël me gjuhë të vjetër nuk do të kishte aq shumë vlerë.
Në fillim, Perëndia Jehova u kujdes që çdo libër i Biblës të shkruhej në një gjuhë të kuptueshme për njerëzit e thjeshtë. Duke ndjekur shembullin e tij, në tetor të 2013-s Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re botoi Përkthimin Bota e Re të rishikuar në anglisht. Në parathënie thuhet: «Synimi ynë ishte të nxirrnim një përkthim që nuk është vetëm besnik ndaj teksteve origjinale, por edhe i qartë e i thjeshtë për t’u lexuar.»
Botimi i parë i Përkthimit Bota e Re në shqip bazohej në botimin e vitit 1984 të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, me referime, (anglisht). Kurse ky botim i ri përmban përmirësimet e shumta të Biblës së rishikuar në anglisht dhe përdor një shqipe moderne e të lehtë për t’u lexuar.
Veç kësaj, që kur doli botimi i parë në anglisht, është shtuar njohuria për hebraishten, aramaishten dhe greqishten—gjuhët e lashta në të cilat u shkrua fillimisht Bibla. Janë zbuluar edhe dorëshkrime të Biblës që nuk ishin në dispozicion kur doli botimi i parë Përkthimi Bota e Re. Këto dorëshkrime i ndihmojnë përkthyesit e Biblës të përcaktojnë kuptimin e saktë të tekstit të saj origjinal.
Si rezultat, në disa fragmente janë përfshirë edhe informacione që, sipas studiuesve, e pasqyrojnë më besnikërisht tekstin origjinal. Për shembull, sipas disa dorëshkrimeve, Mateu 7:13 thotë: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë është porta dhe e madhe është rruga që të çon në shkatërrim.» Në botimet e mëparshme të Përkthimit Bota e Re, shprehja «është porta» nuk përfshihej në tekst. Mirëpo, nga studimi i mëtejshëm i dorëshkrimeve arritën në përfundimin se kjo shprehje gjendej në tekstin origjinal të Biblës, ndaj u shtua në botimin e rishikuar. Në këtë botim ka një sërë përmirësimesh të tilla. Megjithatë janë të vogla dhe në thelb asnjëra nuk e ndryshon mesazhin e Fjalës së Perëndisë.
Kërkimet e fundit zbuluan se emri hyjnor, Jehova, shfaqet edhe 6 herë më shumë në tekstin origjinal të Biblës. Ku? Te Gjykatësit 19:18 dhe te 1 Samuelit 2:25; 6:3; 10:26; 23:14, 16. Ja pse tani në Përkthimin Bota e Re emri hyjnor, Jehova, del 7.216 herë, ku përfshihen 237 rastet kur del në Shkrimet e Krishtere Greke.
Kush e boton përkthimin?
Përkthimin Bota e Re e boton Watch Tower Bible and Tract Society, enti ligjor që përfaqëson Dëshmitarët e Jehovait. Për më se 100 vjet Dëshmitarët e Jehovait kanë shpërndarë Bibla në gjithë botën. Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re nxori botimin e parë në anglisht mes viteve 1950 dhe 1960. Ngaqë nuk donin lavdi për vete, anëtarët e këtij komiteti kërkuan që të mbeteshin anonimë, madje edhe pas vdekjes.—1 Korintasve 10:31.
Më 2008 Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait caktoi një grup tjetër vëllezërish si Komitet të Përkthimit të Biblës Bota e Re. Komiteti filloi menjëherë punën për të rishikuar tekstin në anglisht, duke marrë parasysh sa shumë ka ndryshuar gjuha angleze që nga botimi i parë. Ata u kushtuan vëmendje të veçantë edhe mbi 70.000 pyetjeve të përkthyesve që kishin punuar për Përkthimin Bota e Re në më se 120 gjuhë.
Si u krye puna për botimin e rishikuar në shqip?
Në fillim u formua një skuadër përkthimi me të krishterë të kushtuar. Përvoja ka treguar se, kur përkthyesit punojnë së bashku si një skuadër në vend se veç e veç, përkthimi është më cilësor e më i ekuilibruar. (Proverbat 11:14) Zakonisht, pjesëtarët e skuadrës kanë përvojë si përkthyes të botimeve të Dëshmitarëve të Jehovait. Pastaj morën stërvitje të specializuar për parimet bazë të përkthimit të Biblës dhe për të përdorur programet kompjuterike enkas për këtë projekt.
Përkthyesit përdorën një metodë që kombinon shqyrtimin e fjalëve që gjenden në Bibël me programet kompjuterike. Reparti Shërbimet e Përkthimit që ndodhet në Nju-Jork, SHBA, ndihmoi përkthyesit. Nëpërmjet Komitetit të Shkrimit, Trupi Udhëheqës e ndoqi nga afër punën e përkthimit të Biblës. Por si kryhet puna konkretisht?
Skuadrës së përkthimit i jepen udhëzime si të nxjerrë një Bibël (1) të saktë por që kuptohet kollaj nga njerëzit në përgjithësi, (2) koherente dhe (3) të përkthyer fjalë për fjalë kur e lejon gjuha. Si u arritën këto synime? Të ndalemi pak te ky botim i rishikuar. Në fillim skuadra e përkthimit rishqyrtoi terma dhe shprehje nga botimi i mëparshëm në shqip Përkthimi Bota e Re. Sistemi kompjuterik i Përkthimit Watchtower përmban fjalë nga Bibla që janë sinonime ose të lidhura me njëra-tjetrën. Veç kësaj, ai tregon fjalët në greqishten ose hebraishten origjinale që përkthyesit të shohin si janë përkthyer në kontekste të tjera. Kjo i ndihmoi të zgjidhnin fjalët e duhura në shqip. Gjithashtu, skuadra e përkthimit shqyrtoi vargjet një më një dhe u përpoq të gjejë shprehje e terma të natyrshëm dhe të lehtë për t’u kuptuar.
Pra, kuptohet që të përkthesh, nuk do të thotë thjesht të zëvendësosh një grup fjalësh me një tjetër. Përkthyesit përpiqen fort të zgjedhin terma që përcjellin mendimin e saktë nga Shkrimet në çdo kontekst. Puna e palodhur për këtë projekt flet vetë. Botimi në shqip i Përkthimit Bota e Re e përcjell Fjalën e Perëndisë në mënyrë të qartë e të lehtë për t’u lexuar, dhe njëkohësisht u qëndron besnik teksteve origjinale.
Të ftojmë t’i lexosh vetë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Mund t’i lexosh online, në aplikacionin JW Library ose mund të kërkosh një Bibël të shtypur në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tënde. Ndërsa e lexon, ji plotësisht i sigurt se fjalët e vetë Perëndisë janë përcjellë saktësisht në gjuhën tënde.
Veçori të botimit të rishikuar Përkthimi Bota e Re
Njihu me Fjalën e Perëndisë: Përmban shkrime nga Bibla që u përgjigjen 20 pyetjeve për mësimet e saj kryesore
Përmbajtja: Jep një përmbledhje në fillim të çdo libri të Biblës që të gjesh kollaj tregimet e saj. Kjo veçori zëvendëson frazat në krye të faqeve në botimin e mëparshëm
Referimet: Tani jepen vetëm referimet që na ndihmojnë më shumë për shërbimin
Shënimet: Tregojnë përkthime alternative, përkthime fjalë për fjalë dhe informacione të tjera të dobishme
Renditja e fjalëve të Biblës: Tani përfshin vetëm fjalët ose vargjet që përdoren më shpesh në predikim dhe mësimdhënie
Fjalorthi: Tregon përkufizime të shkurtra për qindra fjalë që përdoren në Bibël
Shtojca A: Përshkruan veçori të botimit të rishikuar, të tilla si ndryshime në stil dhe fjalor, si edhe përkthimin e emrit hyjnor
Shtojca B: Përmban 15 pjesë me harta e diagrame me ngjyra
^ par. 5 Shkrimet e Krishtere Greke në shqip dolën në vitin 2000.