Kulla e Rojës e thjeshtuar
Duke filluar nga numri i korrikut 2011, filloi të dilte për një periudhë prove njëvjeçare botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës në anglisht. Tani periudha e provës mbaroi dhe është vendosur që versioni i thjeshtuar të botohet në vazhdimësi.
Duke filluar nga janari 2013, botimi i thjeshtuar do të jetë në dispozicion edhe në frëngjisht, portugalisht dhe spanjisht.
Ky botim u përgatit për të ndihmuar ata që frekuentojnë mbledhjet e kongregacioneve anglishtfolëse në Sallat e Mbretërisë, por që nuk e kanë anglishten gjuhën e tyre amtare.
Që në numrin e parë vërshuan një lumë letrash vlerësimi. Një erdhi nga Rebeka 64-vjeçare që jeton në Liberi dhe që nuk ka qenë kurrë në shkollë. Ajo shkroi: «Po mësoj të lexoj. Ndonjëherë e lexoja Kullën e Rojës, por nuk e kuptoja. Më pëlqen shumë botimi i thjeshtuar. Arrij ta kuptoj.
»
Shumë prindër po e përdorin këtë botim për të ndihmuar fëmijët të përgatiten për Studimin e Kullës së Rojës, një nga mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.
Rozmaria që po rrit tri mbesa, shkruan: «Të studioje Kullën e Rojës me vajzat ka qenë gjithnjë një sfidë. Na duhej të hapnim fjalorin për të parë kuptimin e shumë fjalëve. Për disa artikuj harxhonim aq shumë kohë vetëm për të kuptuar fjalët, sa shpesh fëmijët nuk e kapnin pikën. Tani e përdorim kohën për shkrimet dhe se si lidhen ato me mësimin.
»
Le të shohim një shembull që tregon ndryshimin ndërmjet tekstit standard dhe tekstit të thjeshtuar. Për të përshkruar një mbledhje të apostujve të Krishtit në kapitullin 15 të Veprave, botimi standard thotë: «Ajo çka vijoi nuk ishte një debat teologjik bajat për hollësi teknike, por një diskutim i gjallë doktrinal.
» Kurse botimi i thjeshtuar në anglisht thotë: «Mbledhja e tyre nuk ishte një debat i mërzitshëm fetar për hollësi të parëndësishme, por një diskutim i gjallë rreth mësimeve biblike.
»