Kulla e Rojës në grënlandisht lavdërohet në TV
Në janar të vitit 2013 revista Kulla e Rojës bën 40 vjet që botohet në gjuhën grënlandeze. Grënlandishtja është një gjuhë inuite që e flasin vetëm 57.000 njerëz.
Në Grënlandë ka vetëm rreth 150 Dëshmitarë të Jehovait, por Kulla e Rojës në grënlandisht ka një tirazh prej 2.300 revistash. Kjo do të thotë se shumica e lexuesve të Napasuliaq Alapernaarsuiffik, siç quhet në grënlandisht kjo revistë, nuk janë Dëshmitarë.
Në një intervistë televizive mbikëqyrësi i zyrës së përkthimit në Nuuk shpjegoi: «Shumë grënlandezë duan të dinë më tepër për Biblën, prandaj e lexojnë revistën Napasuliaq Alapernaarsuiffik.»
Kur intervistuesi pyeti një prej përkthyeseve grënlandeze se çfarë i pëlqente te Kulla e Rojës, ajo u përgjigj: «Personalisht kam nxjerrë dobi nga leximi i kësaj reviste. Për shembull, më ka mësuar si të bëj një jetë të mirë e të shëndetshme. Më përpara pija shumë duhan, edhe pse e dija sa i dëmshëm ishte. Por, Bibla thotë se, nëse duam të kemi një jetë të shëndetshme, duhet ta mbajmë të pastër trupin.»
Veç të tjerash, në program u përmend edhe se Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë aktivë në Grëndlandë që nga mesi i viteve 50 dhe se kanë botuar libra e broshura në grënlandisht. Përkthimi bëhet nga vullnetarë danezë e grënlandezë. Gjithmonë kanë pasur si qëllim që përkthimi të ishte i natyrshëm e të mos dukej fare si përkthim.
Një Dëshmitar prej shumë vitesh në Grënlandë, tha: «Kam 25 vjet që i predikoj popullit grënlandez dhe kam parë sa rëndësi ka literatura në gjuhën e tyre. Në disa vendbanime të largëta, ku mund të shkojmë vetëm me varkë pak herë në vit, ka njerëz që i pëlqejnë shumë revistat tona. Prandaj gjatë muajve që nuk takohemi dot, u dërgojmë rregullisht letra dhe botime.»
Duke filluar nga janari i vitit 2013, në gjuhën grënlandeze del rregullisht botimi për studim, si edhe botimi për publikun i Kullës së Rojës. Gjithashtu, ato mund të lexohen e të shkarkohen nga siti ynë jw.org, duke zgjedhur te «Botime» gjuhën «grënlandisht» dhe duke klikuar butonin «Kërko».