Kalo te përmbajtja

«Ua kalonte edhe filmave»

«Ua kalonte edhe filmave»

Çdo vit Dëshmitarët e Jehovait prodhojnë video të ndryshme që shfaqen në kongreset e tyre. Meqë pjesa më e madhe e videove bëhen në anglisht, si i kuptojnë pjesëmarrësit në kongreset që mbahen në qindra gjuhë të tjera? Videot dublohen në shumë prej këtyre gjuhëve, pra, zëri i personazheve regjistrohet prapë në gjuhën përkatëse dhe i bashkëngjitet videos. Po, si ndikojnë videot e dubluara te të pranishmit?

Përshtypje për videot e dubluara

Shiko si u shprehën disa që nuk janë Dëshmitarë, të pranishëm në kongreset në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore:

  • «Jo vetëm që e kuptova filmin, por m’u duk vetja pjesë e tij. Më depërtoi drejt e në zemër.»​—I pranishëm në kongresin e gjuhës popoluka në shtetin e Verakruzit, Meksikë.

  • «M’u duk sikur isha në vendin tim e po bëja muhabet me një shok të ngushtë. Ua kalonte edhe filmave, pasi kuptova gjithçka.»​—I pranishëm në kongresin e gjuhës nahuatle në Nuevo-Leon, Meksikë.

  • «Kur pashë videot në gjuhën time, u ndieva sikur personazhet po flisnin drejtpërdrejt me mua.»​—E pranishme në kongresin e gjuhës çole në Tabasko, Meksikë.

  • «Kjo organizatë merakoset vërtet që t’i ndihmojë njerëzit të mësojnë në gjuhën e tyre. S’ka organizatë të ngjashme me të!»​—I pranishëm në kongresin e gjuhës kakçikele në Sololë, Guatemalë.

Dëshmitarët e Jehovait nuk punësojnë teknikë të trajnuar apo aktorë të mirëfilltë për zërat dhe shpesh regjistrimet i bëjnë në vende të largëta e të pazhvilluara. Ndaj, si ka mundësi që prodhojnë regjistrime kaq cilësore?

«Puna më shpërblyese»

Në një prej viteve të fundit, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Amerikën Qendrore koordinoi punën për dublimin e videove të kongresit në spanjisht dhe në 38 gjuhë indigjene. Për këtë punë ndihmuan rreth 2.500 vullnetarë. Teknikët dhe skuadrat vendëse të përkthimit regjistruan zërat në zyrën e degës, në zyra rajonale përkthimi ose në vende të tjera ku ishin ngritur studio të përkohshme. Në total, skuadrat regjistruan në mbi 20 vende në Belize, Guatemalë, Honduras, Meksikë dhe Panama.

Duke regjistruar në zyrën e degës të Amerikës Qendrore

Për ngritjen e studiove të përkohshme, u desh punë e palodhur e shkathtësi. Që të izoloheshin dhomat e regjistrimit, u përdorën mjete rrethanore, si batanije dhe dyshekë.

Shumë prej aktorëve që bënë zërat për gjuhët indigjene, nuk ishin edhe aq në gjendje nga ana ekonomike dhe bënë sakrifica të jashtëzakonshme për të shkuar në studion më të afërt të regjistrimit. Disa udhëtuan 14 orë! Në një rast, një baba bashkë me djalin ecën për thuajse tetë orë që të shkonin në studio.

Teksa rritej, Naomi ndihmonte familjen që të ndërtonin studio regjistrimi të përkohshme. Ajo kujton: «Gjithmonë e prisnim me padurim javën kur bëheshin regjistrimet. Im atë punonte me mish e me shpirt për të koordinuar gjërat. Kurse mamaja kishte raste që gatuante për 30 vullnetarë.» Tani Naomi shërben si vullnetare në një zyrë përkthimi në Meksikë. Ajo thotë: «Jam jashtëzakonisht e lumtur që mund të jap nga koha ime për të ndihmuar njerëzit të dëgjojnë mesazhin e Biblës në gjuhën amtare. Është puna më shpërblyese që mund të imagjinoj.»

Në mbarë botën Dëshmitarët e Jehovait mbajnë kongrese të përvitshme, të hapura për publikun. Për më shumë informacion, shih faqen KONGRESET.