Kalo te përmbajtja

Lutem në pemën e lisit

Lutem në pemën e lisit

 Rakela, e cila tani jeton në Republikën Domenikane, shprehet: «Linda në një familje që i shërbente Jehovait. Mjerisht, kur isha 7 vjeçe babai filloi të mos shoqërohej më me popullin e Jehovait dhe u bë kundërshtar i flaktë i së vërtetës. Ma bënte shumë të vështirë t’i shërbeja Jehovait. Për shembull, më ofroi një celular, një udhëtim në Diznejlend dhe një kartë krediti, me kusht që të hiqja dorë nga e vërteta. Madje, disa herë më rrahu me grushte që ta braktisja Jehovain. Ai mendonte se po të mos isha në gjendje të flisja a të ecja, nuk do të shkoja në mbledhje. Por kjo nuk funksionoi kurrë. Gjithmonë kam qëndruar e vendosur të shkoj në mbledhje.

 Babai nuk më godiste kurrë në prani të mamasë. Ai më kërcënonte se po t’i tregoja, do ta rrihte edhe atë. Mamasë i thoshte se të nxirat i kisha ngaqë po më mësonte artet marciale pa dëshirën time.

 Isha e vogël dhe kisha shumë frikë t’i tregoja mamasë se çfarë po më ndodhte. Prandaj i lutesha Jehovait. Bëja ecje të gjata në pyllin që gjendej pranë shtëpisë sonë në Merilend, SHBA. Atje ngjitesha te një pemë e bukur lisi, gjeja një degë të rehatshme dhe i lutesha Jehovait. I shprehja si ndihesha dhe se çfarë doja të bëja për të kur të rritesha. Lutesha me zjarr që të më ndihmonte t’i mbijetoja kësaj situate. Gjithashtu i tregoja se çfarë doja të bëja në botën e re, se ç’lloj familjeje doja të kisha dhe sa shumë dëshiroja të kisha paqe e gëzim, pa dhembje e pa frikë.

 Sa herë që babai përpiqej të më pengonte t’i shërbeja Perëndisë, duke më rrahur ose duke më ofruar gjëra materiale, ndieja dorën e Jehovait që më jepte forcë dhe ngushëllim. Perëndia më ndihmoi të qëndroja besnike dhe e fortë.

 U pagëzova kur isha 10 vjeçe dhe pas dy vjetësh nisa të shërbeja si pioniere. Në fillim babai nuk dinte asgjë. Por kur e mori vesh, më goditi aq fort, sa më doli nofulla vendit.

 Disa më këshilluan të mos bëhesha pioniere sepse isha shumë e re dhe kishin merak se nuk e kuptoja sa serioz ishte ai vendim. Në fakt, ca kohë më vonë vura re se disa të rinj Dëshmitarë në zonën time nuk po përqendroheshin shumë te shërbimi ndaj Jehovait. Ata i gjeje shpesh nëpër festa e duke bërë qejf. Dukej sikur kënaqeshin shumë, ndaj ndonjëherë tundohesha të bëja të njëjtën gjë. Pyesja veten: ‘Po sikur ta ndërpres shërbimin dhe të bëj qejf, njësoj si të rinjtë e moshës sime?’ Sa herë që ndihesha kështu, i lutesha Jehovait.

 Kur isha rreth 15 vjeçe, më kontaktoi një agjenci modelingu prestigjoze. Më ofruan një kontratë të majme që të punoja në zyrat e tyre në Milano, Itali. U ndjeva mirë kur më thanë se do të bëhesha modele, se do të dilja në revista dhe se do të vishesha me rroba të shtrenjta nëpër shfaqje mode. Kisha tre vjet që shërbeja si pioniere, ndaj mendova: ‘Me paratë që do të fitoj nga kjo punë mund ta vazhdoj shërbimin si pioniere për një kohë të gjatë.’ Babai na kishte braktisur, ndaj arsyetova se këto para do ta ndihmonin goxha mamanë me shpenzimet.

 U luta për këtë çështje. Fola me mamanë, e cila kishte shërbyer për shumë vjet si pioniere, dhe me një plak kongregacioni shumë të dashur e të matur. Gjithashtu shkova si gjithmonë te pema e lisit dhe u luta. Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia me anë të një shkrimi që më lexoi plaku i kongregacionit. Ishte shkrimi tek Eklisiastiu 5:4, që thotë: ‘Sa herë të marrësh një zotim para Perëndisë, mos vono ta mbash. Zotimin që merr, mbaje.’ I kisha premtuar Jehovait se do t’i shërbeja me gjithë zemër dhe kuptova se kjo ofertë pune mund ta dëmtonte miqësinë time me të. Prandaj vendosa ta refuzoja ofertën.

 Pavarësisht se çfarë kalova kur isha e vogël, ia dola mbanë. Tani jam e lumtur me bashkëshortin tim, Xhaserin, dhe me djalin tonë, Konorin, i cili është nëntë vjeç. Xhaseri shërben si plak kongregacioni, kurse Konori është lajmëtar i papagëzuar. Unë vazhdoj të shërbej si pioniere prej rreth 27 vjetësh.

 I kujtoj shpesh bisedat e gjata me Jehovain te pema e lisit në pyllin afër shtëpisë. I jam përgjëruar Jehovait të më ndihmojë dhe ai e ka bërë këtë në një mënyrë të mrekullueshme. Më ka dhënë drejtim, forcë dhe ngushëllim. Gjatë gjithë jetës sime, Jehovai ka treguar vazhdimisht se çfarë Ati i mrekullueshëm është. Jam shumë e lumtur që zgjodha t’i shërbeja me gjithë zemër. Ky është vendimi më i mençur që kam marrë ndonjëherë.»