BIBLA TË NDRYSHON JETËN
«Kisha temperament shpërthyes»
Lindur: 1975
Vendi i lindjes: Meksikë
Të dhëna: I dhunshëm; i dënuar
E KALUARA IME
Kam lindur në San-Huan-Çankalaito, një qytezë në shtetin e Çiapas, Meksikë. Familja ime i përket komunitetit çol, një grup etnik me prejardhje nga fisi i majave. Prindërit kishin 12 fëmijë dhe unë isha i pesti. Kur isha i vogël, bashkë me motrat e vëllezërit, studiuam Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, por mjerisht nuk ua vura veshin këshillave të saj.
Në moshën 13-vjeçare tashmë kisha filluar të merrja drogë dhe të vidhja. Po në këtë moshë ika nga shtëpia dhe nisa të jetoja sa në një vend në tjetrin. Kur isha 16 vjeç, fillova punë në një plantacion marihuane. Kisha rreth një vit që punoja aty, kur një natë, ndërsa po transportonim me anije një ngarkesë të madhe marihuane, na sulmuan burra të armatosur rëndë nga një kartel droge rival. Për t’u shpëtuar plumbave, u hodha në lumë dhe rrjedha më çoi tutje. Pas kësaj ia mbatha për në Shtetet e Bashkuara.
Edhe atje u përfshiva në trafikun e drogës dhe u zhyta edhe më thellë në telashe. Në moshën 19-vjeçare më arrestuan dhe më burgosën për grabitje dhe për tentativë vrasjeje. Në burg u bashkova me një bandë dhe vazhdova të kryeja akte të dhunshme. Si rezultat, autoritetet më transferuan në një burg të sigurisë së lartë në Luisburg, Pensilvani.
Në burgun e Luisburgut, u bëra edhe më i keq. Meqë kisha tatuazhe të bandës, ishte kollaj të futesha në të njëjtën bandë në burgun e ri. U bëra edhe më i dhunshëm duke u përfshirë sa në një sherr në tjetrin. Në një rast po ziheshim me një bandë tjetër në oborrin e burgut. U zumë keqas duke përdorur shkopa bejzbolli e pesha për stërvitje, ndaj, që të ndalnin sherrin, rojat e burgut hodhën gaz lotsjellës. Pas kësaj, autoritetet e burgut më vunë në një njësi mbikëqyrjeje të veçantë për të burgosurit e rrezikshëm. Kisha temperament shpërthyes dhe flisja ashpër e pa respekt. E kisha shumë të lehtë t’i rrihja të tjerët dhe, të them të drejtën, më pëlqente. Nuk isha fare pishman për sjelljen time.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA
Në njësinë e mbikëqyrjes së veçantë, pjesën më të madhe të ditës isha i detyruar të rrija në qeli. Që të kaloja kohën, nisa të lexoja Biblën. Më vonë një gardiane më dha librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. a Ndërsa lexoja këtë mjet ndihmës për studimin e Biblës, më erdhën ndër mend shumë nga gjërat që kisha mësuar që fëmijë kur studioja Biblën me Dëshmitarët. Më pas fillova të mendoja thellë sa poshtë kisha rënë për shkak të personalitetit tim të dhunshëm. Më shkoi mendja edhe te familja. Meqë dy nga motrat e mia ishin bërë Dëshmitare të Jehovait, më lindi mendimi: «Ato do të jetojnë përgjithmonë. Pse të mos jetoj dhe unë?» Kjo ishte një pikë kthese në jetën time.
Megjithatë e dija se kisha nevojë për ndihmë që të ndryshoja. Kështu që, si fillim, iu luta Perëndisë Jehova dhe iu përgjërova të më ndihmonte. Pastaj i shkrova zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara dhe kërkova një studim biblik. Zyra e degës mori masa që të vihesha në kontakt me një kongregacion aty pranë. Në atë kohë vetëm familjarët mund të më vizitonin në burg, ndaj, një Dëshmitar nga ky kongregacion filloi të më dërgonte me postë letra zemërdhënëse dhe botime biblike, të cilat më ushqyen më tej dëshirën për të ndryshuar.
Një hap i madh ishte kur vendosa të lija bandën ku kisha bërë pjesë për shumë vjet. Edhe kreu i bandës ishte në njësinë e mbikëqyrjes së veçantë, prandaj një herë, gjatë kohës së lirë, iu afrova dhe i thashë se doja të bëhesha Dëshmitar i Jehovait. Për habinë time ma ktheu: «Nëse e ke seriozisht, vazhdo. S’mund të ndërhyj në punët e Zotit. Por, nëse është justifikim për të lënë bandën, ti e di ç’të pret.»
Gjatë dy viteve që pasuan, personelit të burgut i ra në sy se po ndryshoja për mirë. Ja pse tregoheshin më mirëdashës me mua. Për shembull, rojat nuk m’i vinin më prangat kur më shoqëronin nga qelia te vendi ku laheshim. Madje, një herë një prej tyre m’u afrua dhe më dha zemër që të vazhdoja të bëja ndryshime. Në fakt, vitin e fundit të dënimit autoritetet e burgut më transferuan në një kamp burgu federal të sigurisë së ulët pranë burgut kryesor. Më 2004, pas dhjetë viteve burg, më liruan dhe më deportuan në Meksikë me një autobus burgu.
Pak pasi mbërrita në Meksikë, gjeta një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. Në mbledhjen e parë shkova me uniformën e burgut—të vetmet rroba për së mbari që kisha. Megjithatë, pavarësisht nga paraqitja, Dëshmitarët më mirëpritën ngrohtësisht. Kur pashë sa zemërmirë ishin, e ndjeva se isha mes të krishterëve të vërtetë. (Gjoni 13:35) Në po atë mbledhje pleqtë e kongregacionit morën masa që të bëja një studim biblik të rregullt. Dhe një vit më vonë, më 3 shtator 2005, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.
Në janar të 2007-s nisa të shërbeja si predikues në kohë të plotë dhe kaloja 70 orë çdo muaj duke u mësuar të tjerëve Biblën. Në vitin 2011 mora pjesë në Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë (tani quhet Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë). Kjo shkollë më ndihmoi jashtë mase që të përmbushja përgjegjësitë në kongregacion.
Më 2013 u martova me gruan time të shtrenjtë, Pilarin. Ajo thotë me shaka se i duket e pabesueshme e kaluara ime. Nuk u jam kthyer kurrë gjërave të mëparshme. Bashkë me gruan besojmë se njeriu që jam sot është dëshmi e gjallë e fuqisë transformuese të Biblës.—Romakëve 12:2.
DOBITË
Mendoj se fjalët e Jezuit te Luka 19:10 zbatohen tamam për mua. Ai tha: ‘Unë erdha të kërkoj dhe të shpëtoj atë që kishte humbur.’ Tani nuk ndihem më i humbur në jetë. Dhe as u bëj më keq të tjerëve. Falë Biblës, gëzoj qëllimin më fisnik në jetë, marrëdhënie paqësore me të tjerët dhe, ç’është më e rëndësishmja, një marrëdhënie të mirë me Krijuesin tim, Jehovain.
[SHËNIM]
a Ky libër është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por nuk shtypet më. Tani mjeti kryesor që përdorin për studimin e Biblës është libri Gëzoje jetën përgjithmonë.