BIBLA TË NDRYSHON JETËN
«Dukej sikur kisha arritur gjithçka»
LINDUR: 1962
VENDI I LINDJES: Kanada
TË DHËNA: Bënte jetë imorale
E KALUARA IME
Linda në Monreal, qyteti më i madh në provincën e Kuebekut, në Kanada. Bashkë me motrën dhe dy vëllezërit u rritëm nga prindër të dashur në lagjen e këndshme të Rosemontit. Bënim jetë të qetë e paqësore.
Kur isha i vogël, më pëlqente Bibla. Më kujtohet se në moshën 12-vjeçare lexoja me shumë qejf në Dhiatën e Re për jetën e Jezuit. Më prekte dashuria dhe dhembshuria që tregonte për të tjerët, prandaj doja të bëhesha si ai. Mjerisht, kjo dëshirë m’u venit teksa rritesha dhe fillova të kisha shoqëri jo të mira.
Babai ishte saksofonist. Jo vetëm që më dhuroi saksofonin, por më futi në gjak edhe dashurinë e fortë për muzikën, e cila u bë qendra e jetës sime. Ngaqë muzika më pëlqente jashtë mase, s’kaloi shumë dhe mësova t’i bija kitarës. Më vonë formova një grup rroku me ca shokë dhe dhamë disa shfaqje. Disa producentëve muzikorë të njohur u ra në sy talenti im dhe më bënë një ofertë. Si rezultat nënshkrova kontratë me një shtëpi diskografike të madhe. Muzika ime nisi të pëlqehej në masë dhe luhej rregullisht në radio në Kuebek.
Dukej sikur kisha arritur gjithçka. Isha i ri, i famshëm dhe fitoja goxha, thjesht duke bërë diçka që më pëlqente shumë. Ditën shkoja në palestër, jepja intervista, autografe dhe dilja në televizion. Kurse natën jepja shfaqje dhe shkoja nëpër festa. Që në moshë të re fillova alkoolin e më pas drogën, si një mënyrë për të përballuar presionin që provoja për shkak të fansave të shumtë. Gjithashtu isha kokëkrisur dhe imoral.
Disa e kishin zili jetën që bëja, sepse në pamje të parë, dukesha i lumtur. Por, thellë-thellë më pushtonte një ndjenjë zbrazëtie, sidomos kur isha vetëm. Ndihesha i dëshpëruar dhe në ankth. Mjerisht, kur isha në kulmin e suksesit, dy nga producentët e mi vdiqën nga SIDA. U shokova. E doja muzikën, por ndieja neveri për jetën që bëja si muzikant.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA
Ndonëse isha i suksesshëm, e kuptoja se në botë kishte diçka që s’shkonte fare. Pse kishte kaq shumë padrejtësi? Pyesja veten pse Zoti nuk vinte dorë? Faktikisht i lutesha shpesh Perëndisë që të merrja përgjigje. Gjatë një pushimi nga turnetë, fillova ta lexoja sërish Biblën. Edhe pse pjesën më të madhe të asaj që lexoja, s’e kuptoja, nxora përfundimin se fundi i kësaj bote duhej të ishte afër.
Gjatë leximit të Biblës, vura re se në një rast Jezui kishte agjëruar në shkretëtirë për 40 ditë. (Mateu 4:1, 2) Mendova se po të veproja njësoj, Perëndia do të më bëhej i njohur në ndonjë mënyrë, prandaj caktova një datë. Dy javë para se të filloja të agjëroja, më trokitën në derë dy Dëshmitarë të Jehovait dhe i ftova menjëherë brenda. Njërin prej tyre, që quhej Zhak, e pashë drejt e në sy dhe e pyeta: «Si mund ta dimë nëse po jetojmë në ditët e fundit të kësaj bote?» Ai u përgjigj duke lexuar nga Bibla 2 Timoteut 3:1-5. I bombardova që të dy me pyetje të tjera dhe më bënë përshtypje përgjigjet e tyre logjike dhe bindëse, të cilat i bazonin gjithmonë në Shkrime. Pas disa vizitave, e kuptova se nuk ishte e nevojshme të agjëroja.
Nisa ta studioja Biblën rregullisht me Dëshmitarët. Pas njëfarë kohe i preva flokët e gjatë dhe nisa të ndiqja të gjitha mbledhjet në Sallën e Mbretërisë aty pranë. Në këto mbledhje më mikpritën ngrohtësisht dhe kjo më bindi më tej se më në fund kisha gjetur të vërtetën.
Sigurisht, duhej të bëja ndryshime të mëdha që të zbatoja atë që mësoja gjatë studimit biblik. Për shembull, duhej të lija drogën dhe të hiqja dorë nga jeta imorale. Gjithashtu duhej të tregoja më tepër merak për të tjerët dhe jo të isha unë qendra e universit. Si prind i vetëm, duhej të mësoja të kujdesesha për anën emocionale të dy fëmijëve të mi dhe t’i ndihmoja të bëheshin miq me Perëndinë. Prandaj e lashë karrierën në muzikë dhe nisa një punë me pagë të ulët në një fabrikë.
Gjithë këto ndryshime nuk ishin të lehta. Teksa përpiqesha të lija drogën, luftova me simptomat e lënies së saj, dhe, në disa raste iu ktheva sërish. (Romakëve 7:19, 21-24) Një sfidë e vërtetë ishte të hiqja dorë nga jeta imorale. Përveç të tjerave, puna e re ishte rraskapitëse, ndërsa rroga e vogël m’i priste krahët. Paratë që fitoja këtu për tre muaj, kur isha muzikant, i fitoja vetëm për dy orë.
Lutja më ndihmoi të ngulmoja që t’i bëja këto ndryshime të vështira. Kuptova edhe se leximi i rregullt i Biblës ishte thelbësor. Disa vargje biblike më nxitën jashtë mase. Njëri ishte 2 Korintasve 7:1, i cili i nxit të krishterët ‘të pastrohen nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës’. Një shkrim tjetër që më siguroi se mund të çlirohesha nga vargonjtë e veseve të këqija, ishte Filipianëve 4:13, ku thuhet: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» Perëndia Jehova iu përgjigj lutjeve të mia dhe më ndihmoi që, më në fund, ta kuptoja dhe ta zbatoja të vërtetën biblike. Kjo më nxiti t’ia kushtoja jetën atij. (1 Pjetrit 4:1, 2) Në vitin 1997 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.
DOBITË
Jam i bindur se po të mos kisha hequr dorë nga jeta e mëparshme, s’do të isha gjallë sot. Përkundrazi, tani gëzoj një jetë vërtet të lumtur. Një bekim i madh në jetë ka qenë edhe gruaja ime e mrekullueshme, Elvi. Së bashku kënaqemi duke u mësuar Biblën të tjerëve teksa predikojmë në kohë të plotë. Kjo më mbush me gëzim e kënaqësi të madhe. I jam vërtet mirënjohës Jehovait që më tërhoqi drejt vetes!—Gjoni 6:44.