BIBLA TË NDRYSHON JETËN
«Nuk jam më skllav i dhunës»
Lindur: 1956
Vendi i lindjes: Kanada
Të dhëna: I zhgënjyer nga jeta, imoral dhe i dhunshëm
E KALUARA IME
Linda në qytetin e Kalgarit në Albertë, Kanada. Prindërit u divorcuan kur isha foshnjë. Prandaj, mamaja më mori me vete dhe shkuam të jetonim te gjyshërit. Ata na donin shumë dhe isha jashtë mase i lumtur atje. Sot e kësaj dite i kujtoj me mall ato vite të qeta të fëmijërisë.
Në moshën 7-vjeçare jeta ime mori të tatëpjetën kur mamaja u rimartua me babanë dhe u transferuam në Sent-Luis, Misuri, në Shtetet e Bashkuara. Shpejt vura re se im atë ishte tepër i lig. Për shembull, më kujtohet dita e parë në shkollën e re. Kur u ktheva, i tregova babit se më kishin rrahur keq, por nuk kisha reaguar. Ai u xhindos dhe më rrahu edhe më fort. Kështu mësova si t’ua ktheja të tjerëve me të njëjtën monedhë dhe për herë të parë u zura me disa kalamaj kur isha vetëm shtatë vjeç.
Babai ishte shumë i hidhur me mamanë dhe ishte e zakonshme që mes tyre të plaste sherri. Kur isha 11 vjeç, nisa të abuzoja me drogën dhe me alkoolin. U bëra gjithnjë e më i dhunshëm dhe shpesh zihesha me njerëzit nëpër rrugë. Aty nga fundi i gjimnazit isha bërë totalisht i dhunshëm.
Në moshën 18-vjeçare u regjistrova në Korpusin e Marinsave të Shteteve të Bashkuara. Përveçse i dhunshëm, u stërvita edhe që të vrisja njerëz. Pas pesë vjetësh e lashë ushtrinë që të studioja psikologji me shpresën që të bëja karrierë në Byronë Federale të Hetimeve (FBI). Nisa universitetin në Shtetet e Bashkuara dhe, kur u transferova në Kanada, i vazhdova atje studimet.
Në universitet u zhgënjeva jashtë mase nga njerëzit dhe nga shoqëria njerëzore në përgjithësi. Ishin kaq egoistë. Çdo gjë në botë dukej fare bosh. Mendoja se s’kishte zgjidhje për problemet e njerëzimit. S’kisha fije shprese se njerëzit mund ta bënin botën një vend më të mirë.
Meqë s’kisha ndonjë qëllim në jetë, doja vetëm të pija alkool, të drogohesha, të kisha para dhe të bëja seks. Shkoja nga një klub në tjetrin dhe nga një femër te tjetra. Isha brumosur aq shumë nga ushtria, saqë zihesha edhe më shpesh me të tjerët. Kisha ndjenjën time të drejtësisë dhe kapesha me këdo që mendoja se u hante hakun të tjerëve. Por, në të vërtetë, isha bërë skllav i dhunës.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA
Një ditë, bashkë me një shok po drogoheshim në bodrumin e shtëpisë sime dhe po bënim gati një ngarkesë të paligjshme marihuane që ta shitnim. Ai më pyeti nëse besoja te Zoti. Ia ktheva: «Nëse Zoti është përgjegjës për vuajtjet në botë, s’dua të kem të bëj fare me të!» Të nesërmen, ditën e parë në punën e re, më pyeti një koleg Dëshmitar i Jehovait: «A mendon se Perëndia është përgjegjës për vuajtjet në botë?» S’po u besoja dot veshëve që po dëgjoja këtë pyetje dhe u bëra kurioz. Gjashtë muajt e ardhshëm diskutuam goxha. Ai më tregoi nga Bibla përgjigjet e disa pyetjeve për jetën, që për mua ishin shumë të rëndësishme.
Jetoja me të fejuarën, e cila nuk kishte qejf t’i dëgjonte gjërat që po mësoja. Një të diel i thashë se kisha ftuar Dëshmitarët, që të studionin Biblën me ne. Të nesërmen, kur u ktheva nga puna, nuk e gjeta në shtëpi. Kishte marrë gjithçka dhe kishte ikur. Dola jashtë, ia plasa të qarit dhe iu luta Zotit. Iu përgjërova për ndihmë. Për herë të parë në jetën time përdora emrin e tij, Jehova, kur u luta.—Psalmi 83:18.
Pas dy ditësh nisa të studioja Biblën me një çift Dëshmitarësh. Me t’u larguar ata, fillova të lexoja librin me të cilin po studioja Biblën Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, dhe e mbarova po atë natë. a U preka thellë nga ajo që mësova për Perëndinë Jehova dhe për të Birin, Jezu Krishtin. Mësova se Jehovai është i dhembshur dhe vuan kur ne vuajmë. (Isaia 63:9) U preka veçanërisht kur kuptova që Perëndia më do dhe që Biri i tij ka dhënë jetën për mua. (1 Gjonit 4:10) Arrita në përfundimin se Jehovai ishte treguar shumë i duruar me mua, «sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen». (2 Pjetrit 3:9) Jehovai donte të më kishte mik.—Gjoni 6:44.
Po atë javë fillova të shkoja në mbledhjet e kongregacionit. Kisha flokë të gjatë, vathë dhe një fytyrë që të shtinte frikën, mirëpo Dëshmitarët më trajtuan si një të afërm që s’e kishin parë prej kohësh. Ata u sollën si të krishterë të vërtetë. U ndieva sikur isha me gjyshërit, por në një ambient edhe më të mrekullueshëm.
Shpejt gjërat që po mësoja nga Bibla, po më transformonin jetën. Preva flokët, hoqa dorë nga çdo formë imoraliteti, nga droga e nga alkooli. (1 Korintasve 6:9, 10; 11:14) Doja t’i pëlqeja Jehovait. Prandaj, kur mësoja se ai nuk e miratonte diçka, nuk e justifikoja kurrë sjelljen time të keqe. Përkundrazi, shpesh ndieja një si thikë në zemër. I thosha vetes: «S’ka më kuptim të sillem si dikur.» Dhe pa hezituar, përpiqesha të ndryshoja mendimet dhe veprimet. Si rezultat, nuk kaloi gjatë dhe fillova të ndieja dobitë që vijnë kur i bën gjërat siç i pëlqen Jehovait. Më 29 korrik 1989, gjashtë muaj pasi nisa të studioja Biblën, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.
DOBITË
Bibla më ka ndihmuar të ndryshoj për mirë. Shpesh në të kaluarën bëhesha i dhunshëm kur përballesha me njerëz armiqësorë. Ndërsa tani përpiqem fort ‘të jem paqësor me të gjithë’. (Romakëve 12:18) Nuk është aspak merita ime, ndaj falënderoj Jehovain që më transformoi me anë të Fjalës së tij dhe të frymës së shenjtë.—Galatasve 5:22, 23; Hebrenjve 4:12.
Tani nuk jam më skllav i drogës, i dhunës dhe i dëshirave imorale, por bëj çmos të kënaq Perëndinë Jehova dhe t’i jap më të mirën. Kjo përfshin edhe që të ndihmoj të tjerët që ta njohin. Pak vite pas pagëzimit u transferova në një vend tjetër. Doja t’u flitja për Biblën njerëzve që jetonin në zona ku kishte një nevojë të madhe për predikues. Përgjatë viteve kam pasur kënaqësinë të ndihmoja shumë veta të mësonin për Biblën dhe kam parë si ua ka përmirësuar jetën. Përveç kësaj, jam tepër i lumtur që mamaja u bë Dëshmitare e Jehovait. Mendoj se deri diku ka ndikuar edhe sjellja ime.
Në vitin 1999, në Salvador u diplomova në shkollën që tani quhet Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Kjo shkollë më stërviti dhe më pajisi të bëhesha predikues e mësues i mirë dhe të kujdesesha për kongregacionin. Po atë vit u martova me gruan time të shtrenjtë, Eugjeninë. Tani shërbejmë në kohë të plotë si predikues në Guatemalë.
Sot nuk jam aspak i zhgënjyer me jetën, përkundrazi jam tej mase i lumtur. Mësimet e Biblës më kanë çliruar nga imoraliteti e dhuna si dhe ma kanë mbushur jetën plot me dashuri e paqe të vërtetë.
a Tani Dëshmitarët e Jehovait përdorin si mjet për studimin e Biblës librin Gëzoje jetën përgjithmonë.