Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«S’kam më turp nga vetja»

«S’kam më turp nga vetja»
  • Lindur: 1963

  • Vendi i lindjes: Meksikë

  • Të dhëna: I pastrehë; kishte ndjenja pavlefshmërie

E KALUARA IME

 Linda në Siudad-Obregon të Meksikës Veriore dhe isha i pesti i nëntë fëmijëve. Jetonim në periferi të qytetit, ku babai merrej me fermën tonë të vogël. Ishte një vend i bukur për të jetuar, dhe si familje gëzonim unitet e lumturi. Mjerisht, kur isha vetëm 5 vjeç, një uragan na e shkatërroi fermën, prandaj u transferuam në një qytet tjetër.

 Babai filloi të kishte të ardhura të mira, por në të njëjtën kohë u bë i alkoolizuar. Kjo pati pasoja në martesën e tij dhe te ne fëmijët. Nisëm të pinim duhan, të cilin ia vidhnim babait. U deha për herë të parë, kur isha vetëm gjashtë vjeç. Jo shumë kohë më vonë prindërit u ndanë, dhe veset e mia u përkeqësuan.

 Mamaja na mori edhe ne, kur shkoi të jetonte me një burrë tjetër. Ai nuk i jepte para, dhe ishte e pamundur të jetonim vetëm me të ardhurat që siguronte mamaja. Kështu që, bashkë me vëllezërit dhe motrat, bënim çdo lloj pune që mundeshim, por prapë nuk arrinim të fitonim aq para sa të blinim gjërat bazë. Punoja si lustraxhi dhe shisja bukë, gazeta, çamçakëza dhe gjëra të tjera. Gjithashtu endesha nëpër qytet duke kërkuar ushqim në koshat e plehrave të të pasurve.

 Në moshën 10-vjeçare, një burrë më dha mundësinë të punoja me të në vendgrumbullimin e plehrave të qytetit. E pranova ofertën, lashë shkollën dhe u largova nga shtëpia. Ai më paguante më pak se një dollar në ditë dhe më jepte ushqime të mbledhura nga plehrat. Jetoja në një kasolle që e ndërtova me materiale të gjetura në plehra. Njerëzit që më rrethonin, përdornin fjalë të ndyra dhe bënin jetë imorale. Shumë ishin të varur ndaj drogës dhe të alkoolizuar. Ishte periudha më errët e jetës sime dhe qaja çdo natë duke u dridhur nga frika. Ngaqë isha i varfër dhe kisha pak arsim, më vinte turp nga vetja. Te vendgrumbullimi i plehrave jetova për rreth tre vjet, derisa shkova në një shtet tjetër të Meksikës. Atje punova në bujqësi duke mbledhur lule, pambuk, kallamsheqeri dhe patate.

Për tre vjet kam jetuar në një vendgrumbullim plehrash, si ky këtu

 Pas katër vjetësh, u ktheva në Siudad-Obregon. Një nga hallat e mia, që merrej me magji, më la të përdorja njërën dhomë të shtëpisë së saj. Aty nisa të kisha makthe në gjumë dhe u dëshpërova aq shumë sa mendoja të vrisja veten. Një natë iu luta Perëndisë: «O Zot, nëse ekziston, dua të të njoh dhe pastaj të të shërbej përgjithmonë. Nëse ka një fe të vërtetë, dua ta gjej.»

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Gjithmonë kam dashur të mësoj për Perëndinë. Që fëmijë, shkoja në kishat e feve të ndryshme, por më zhgënjenin të gjitha. Asnjëra prej tyre nuk fliste shumë për Biblën dhe nuk e plotësonte nevojën time për të njohur Perëndinë. Disa kisha u jepnin tepër rëndësi parave, ndërsa anëtarë të kishave të tjera kryenin imoralitet seksual.

 Kur isha 19 vjeç, njëri kunat më tha se Dëshmitarët i kishin treguar pikëpamjen e Biblës rreth përdorimit të shëmbëlltyrave. Ai më lexoi Daljen 20:4, 5. Vargjet tregojnë se nuk duhet të bëjmë shëmbëlltyra të gdhendura. Te vargu 5 thuhet: «Mos u përkul para tyre dhe mos u shërbe, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.» Pastaj kunati më pyeti: «Nëse Zoti i përdor shëmbëlltyrat për të bërë mrekulli ose do që t’i përdorim në adhurim, pse atëherë do t’i ndalonte?!» Kjo më futi në mendime. Pas kësaj, diskutuam argumente të ndryshme nga Bibla. Aq shumë kënaqesha me këto biseda, sa dukej sikur koha fluturonte.

 Më vonë, ai më çoi në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Më bëri shumë përshtypje çdo gjë që pashë dhe dëgjova. Edhe fëmijët përfshiheshin në program duke folur rrjedhshëm nga podiumi. Thashë me vete: «Si u arsimokan njerëzit këtu!» Pavarësisht flokëve të gjatë dhe paraqitjes sime të çrregullt, Dëshmitarët më mirëpritën me ngrohtësi. Madje, pas mbledhjes, një familje më ftoi në shtëpi për darkë.

 Nga studimi i Biblës që bëra me Dëshmitarët, mësova se Perëndia Jehova është Atë i dashur që kujdeset për ne pavarësisht pozitës ekonomike, shoqërore, racës dhe arsimit. Ai është vërtet i paanshëm. (Veprat 10:34, 35) Më në fund nevoja ime për të mësuar për Perëndinë, u plotësua. Nuk ndihesha më bosh.

DOBITË

 Jeta ime ndryshoi kryekëput. Lashë duhanin, nuk abuzoja më me alkoolin dhe nuk përdorja më fjalë të ndyra. Mllefi i mbledhur që në vogëli, filloi të më fashitej, po njësoj edhe makthet e tmerrshme. Dhe nuk mendoj më se jam i pavlerë. Këtë mendim e kam pasur si pasojë e traumave emocionale të fëmijërisë dhe si pasojë e faktit që kam pak klasë shkollë.

 Kam një grua të mrekullueshme që e do Jehovain dhe që më mbështet tej mase. Tani shërbej si mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait, pra vizitoj kongregacionet për të inkurajuar dhe për të mësuar bashkadhuruesit që i kam si vëllezër e motra. Falë ndikimit shërues të Biblës dhe arsimimit të shkëlqyer nga Perëndia, s’kam më turp nga vetja.

Unë dhe gruaja kënaqemi ndërsa ndihmojmë të tjerët, siç më kanë ndihmuar mua