BIBLA TË NDRYSHON JETËN
«Po ia hapja varrin vetes»
Lindur: 1978
Vendi i lindjes: Salvador
Të dhëna: Anëtar i një bande të dhunshme
E KALUARA IME
«Nëse do vërtet të mësosh për Zotin, mos iu ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.» Ky koment më la pa fjalë. Në atë periudhë s’kisha shumë që po studioja me Dëshmitarët e Jehovait. Por, që të kuptoni pse reagova ashtu, le t’ju flas pak për jetën time.
Linda në Kezaltepeke, qytet i Salvadorit. Isha i gjashti i 15 fëmijëve. Prindërit u përpoqën që të më mësonin të isha i ndershëm e t’u bindesha ligjeve. Veç kësaj, Leonardoja dhe disa Dëshmitarë të tjerë, me raste vinin në shtëpi që të na flitnin rreth Biblës. Por unë nuk ua vura veshin gjërave që më kishin mësuar dhe mora vendime të gabuara njëri pas tjetrit. Në moshën 14-vjeçare, fillova të pija alkool dhe të merrja drogë me shokët e shkollës. Një nga një e lanë shkollën që të futeshin në një bandë, dhe unë shkova pas tyre. E kalonim gjithë ditën rrugëve duke kërcënuar njerëzit për para dhe duke vjedhur për veset tona.
Banda u bë familja ime. Mendoja se ia kisha borxh besnikërinë time. Për shembull, një ditë, një shok bande, nën efektin e drogës, sulmoi një komshiun tim. Gjatë përleshjes, komshiu ia doli ta bllokonte dhe të njoftonte policinë. I tërbuar, nisa të qëlloja makinën e komshiut me një shkop të fortë që ta detyroja të lëshonte shokun tim. Komshiu më lutej të mos gjuaja ndërsa thyeja dritaret njëra pas tjetrës dhe i dëmtoja makinën, por nuk doja t’ia dija.
Kur isha 18 vjeç, banda ime u përlesh me policinë. Sa u bëra gati të hidhja një bombë të bërë në kushte shtëpiake, ajo më shpërtheu në dorë. Nuk e di tamam ç’ndodhi, por kujtoj vetëm që më ishte copëtuar dora dhe pastaj më ra të fikët. Kur u përmenda në spital, mësova se kisha humbur dorën e djathtë, dëgjimin në veshin e djathtë dhe syri i djathtë thuajse më ishte verbuar.
Pavarësisht nga plagët, pasi dola nga spitali shkova drejt e te banda. Megjithatë, pak pas kësaj, policia më arrestoi dhe më futi në burg. Aty forcova më tej lidhjen me shokët e bandës. E kalonim gjithë ditën bashkë, nga mëngjesi, kur pinim cigaren e parë të marihuanës, derisa flinim.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA
Në burg më vizitoi Leonardoja. Ndërsa bisedonim, drejtoi gishtin te njëri nga tatuazhet që kisha në krahun e djathtë dhe më pyeti: «E di ç’nënkuptojnë tri pikat e tatuazhit?» «Patjetër,—i thashë—seks, drogë dhe rock and roll.» Por Leonardoja m’u përgjigj: «Unë do të thosha se nënkuptojnë spital, burg dhe vdekje. Në spital ke qenë, në burg je. E kupton vetë ç’a të pret.»
Shtanga nga fjalët e Leonardos. Kishte të drejtë. Po ia hapja varrin vetes me mënyrën si jetoja. Leonardoja më ftoi të studioja Biblën me të dhe pranova. Mësimet e Biblës me motivuan të ndryshoja jetën. Për shembull, Bibla thotë se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme» ose parimet e shëndosha morale. (1 Korintasve 15:33) Kështu, ndër gjërat e para që duhej të bëja, ishte gjetja e shokëve të rinj. Prandaj nuk shkoja më në takimet e bandës dhe, në vend të tyre, nisa të ndiqja mbledhjet që mbanin Dëshmitarët e Jehovait në burg. Në këto mbledhje takova një të burgosur, Andresin, që ishte pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait në burg. Ai më ftoi të haja mëngjesin me të. Pas kësaj nuk e nisja më ditën duke pirë marihuanë. Përkundrazi, Andresi dhe unë diskutonim rreth një vargu nga Bibla çdo mëngjes.
Shokëve të bandës u ra menjëherë në sy që po ndryshoja. Si rrjedhojë, njëri nga krerët e bandës më tha se donte të fliste me mua. Më hyri frika në palcë. S’e dija çfarë do të më bënte kur të merrte vesh planet e mia, sepse është gati e pamundur të dalësh nga një bandë. Ai më tha: «Kemi parë që nuk vjen më në takimet tona, por shkon te mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë ke ndër mend të bësh?» Iu përgjigja se doja të vazhdoja studimin e Biblës dhe të bëja ndryshime në jetë. Për habinë time, u shpreh se banda do të respektonte vendimin tim me kusht që të provoja se doja me gjithë mend të bëhesha Dëshmitar i Jehovait. Pastaj shtoi: «Nëse do vërtet të mësosh për Zotin, mos iu ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Nuk duam më gjëra të këqija prej teje. Bravo të qoftë! Je në rrugën e duhur. Dëshmitarët mund të të ndihmojnë vërtet. Kam studiuar me ta në Shtetet e Bashkuara dhe kam ca familjarë Dëshmitarë të Jehovait. Mos ki frikë. Vazhdo kështu.» Isha ende i frikësuar, por edhe fluturoja nga gëzimi. E falënderova nga zemra Jehovain. Isha si një zog që e kishin liruar nga kafazi. Kuptova domethënien e fjalëve të Jezuit: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:32.
Gjithsesi disa shokë të dikurshëm më vinin në provë duke më ofruar drogë. Duhet të pranoj që ndonjëherë iu dorëzova tundimit. Por, me kalimin e kohës dhe pas shumë lutjesh të zjarrta, më në fund ia dola të fitoja mbi veset.—Psalmi 51:10, 11.
Pasi dola nga burgu, shumë veta mendonin se do t’i rikthehesha stilit të mëparshëm të jetës, por nuk e bëra. Në vend të kësaj, në burg shkoja shpesh që t’u flitja të burgosurve për gjërat që kisha mësuar nga Bibla. Në fund fare, shokët e dikurshëm u bindën se kisha ndryshuar. Mjerisht, kjo nuk vlente për armiqtë e dikurshëm.
Një ditë, kur isha në shërbim, mua dhe shokun e shërbimit na rrethuan befas anëtarë të armatosur të një bande që dikur e kisha rivale, të cilët donin të më vritnin. Vëllai që ishte me mua, me mirësjellje, por edhe me guxim, u shpjegoi që isha larguar nga banda. Ndërkohë unë u përpoqa të ruaja qetësinë. Pasi më rrahën dhe më paralajmëruan të mos shkelja më në atë zonë, ulën armët dhe na lanë të iknim. Bibla më kishte ndryshuar vërtet. Në të kaluarën do të gjeja një mënyrë për t’u hakmarrë. Por tani i vë veshin këshillës që gjendet te 1 Selanikasve 5:15: «Kini kujdes që asnjë nga ju të mos ia kthejë kurrkujt të keqen me të keqe, por ndiqni gjithmonë atë që është e mirë ndaj njëri-tjetrit dhe gjithë të tjerëve.»
Që kur jam bërë Dëshmitar i Jehovait, kam bërë çmos të jetoj me ndershmëri. Kjo s’ka qenë e lehtë, ama, falë ndihmës së Jehovait, këshillave të Biblës dhe mbështetjes së miqve të rinj, ia kam dalë mbanë. Nuk dua të kthehem kurrë te veprat e mëparshme.—2 Pjetrit 2:22.
DOBITË
Dikur isha njeri i dhunshëm që vloja nga zemërimi. Jam i sigurt se s’do të isha gjallë po të kisha ecur në atë rrugë të ligë. Mësimet e Biblës më kanë ndryshuar. Lashë veset. Mësova të jem paqësor me armiqtë e dikurshëm. (Luka 6:27) Gëzoj miqësi që më ndihmojnë të zhvilloj cilësi të mira. (Proverbat 13:20) Bëj një jetë të lumtur e më qëllim, teksa i shërbej një Perëndie që ka qenë gati të më falë gjithë të zezat që kam bërë.—Isaia 1:18.
Në vitin 2006, mora pjesë në një shkollë të veçantë për të krishterët beqarë. Disa vite më vonë u martova me gruan time të dashur dhe po rritim vajzën tonë. Tani, shumicën e kohës u mësoj të tjerëve ato parime të Biblës që më ndihmuan mua. Gjithashtu, shërbej si plak në një kongregacion vendës dhe përpiqem të ndihmoj të rinjtë të shmangin gabimet që bëra unë në moshën e tyre. Në vend që t’i hap varrin vetes, tani po ndërtoj për të ardhmen e përhershme që premton Perëndia në Bibël.