Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Trofeu më i rëndësishëm i jetës sime

Trofeu më i rëndësishëm i jetës sime
  • LINDUR: 1967

  • VENDI I LINDJES: FINLANDË

  • TË DHËNA: TENIST PROFESIONIST

E KALUARA IME

 U rrita në rrethinat e qeta e plot gjelbërim të Tamperes, në Finlandë. Familja ime nuk ishte shumë fetare, por e çmonte arsimimin dhe mirësjelljen. Mamaja është nga Gjermania dhe, kur isha i vogël, ndonjëherë qëndroja te gjyshërit që jetonin në Gjermaninë Perëndimore.

 Më pëlqenin sportet që fëmijë. Në fillim luaja çfarëdolloj sporti, por në moshën 14-vjeçare vendosa të përqendrohesha te tenisi. Kur isha 16 vjeç, stërvitesha dy ose tri herë në ditë—bëja dy seanca stërvitore profesionale, pastaj në mbrëmje stërvitesha vetëm. Më mahnitnin aspektet e ndryshme të lojës; tenisi ishte një mënyrë për të sfiduar veten mendërisht dhe fizikisht. Edhe pse më pëlqente të kaloja kohë me shokët dhe me raste të pinim ndonjë birrë, nuk u futa kurrë në telashe për shkak të drogës ose të alkoolit. Tenisi ishte gjithçka për mua, gjëja e parë në jetën time.

 Kur isha 17 vjeç, fillova të luaja në turnetë e SHTP-së a. Pasi fitova disa turne, arrita famë kombëtare. Në moshën 22-vjeçare isha në listën e 50 tenistëve më të mirë në botë.

 Për vite të tëra udhëtova përreth botës duke luajtur tenis profesionist. Pashë vende goxha të bukura, por njëkohësisht u bëra i vetëdijshëm për shumë probleme globale, si krimi, abuzimi me drogën dhe prishja e mjedisit. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara na thanë të mos vizitonim zona të caktuara të disa qyteteve për shkak të shkallës së lartë të kriminalitetit. E gjithë kjo më mërziste. Veç kësaj, edhe pse merresha me diçka që e doja vërtet, në fund të ditës ndihesha bosh.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 E dashura ime, Sana, kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Më bënte pak për të qeshur kjo prirje fetare që kishte, por nuk isha kundër që të studionte. Në vitin 1990 u martuam dhe ajo u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait një vit më vonë. Edhe pse besoja që ka Zot, nuk isha fetar. Më kujtohet që gjyshja në Gjermani e lexonte shumë Biblën dhe madje më mësoi të lutem.

 Një ditë, kur bashkë me Sanën po vizitonim një çift Dëshmitarësh, bashkëshorti, Keri, më tregoi profecinë e Biblës për «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) Më ngeli në mendje, pasi kuptova pse bota ishte katandisur aq keq. Atë ditë nuk folëm më për fenë. Ama, që nga ai moment nisa të bëja biseda rreth Biblës me Kerin, dhe gjithçka që mësoja kishte kuptim. Isha shumë i zënë dhe udhëtoja shpesh prandaj mezi takoheshim, por Keri nuk u dorëzua. Më shkruante letra për t’iu përgjigjur pyetjeve që ngrija gjatë studimit. Në Bibël gjeta përgjigje logjike për pyetjet e rëndësishme të jetës dhe avash-avash kuptova temën e saj kryesore—Mbretëria e Perëndisë do të plotësojë qëllimin e Tij. Kur mësova se emri i Perëndisë është Jehova dhe se çfarë ka bërë ai për ne, u preka thellë. (Psalmi 83:18) Mbi të gjitha më preku shpërblesa, që nuk është thjesht procedurë teknike apo formalitet ligjor, por shprehje e dashurisë së Perëndisë. (Gjoni 3:16) Po ashtu mësova se mund të bëhesha mik i Perëndisë e të jetoja përgjithmonë në një parajsë paqësore. (Jakovi 4:8) Pyesja veten: «Si ta tregoj mirënjohjen?»

 Mendova gjerë e gjatë rreth jetës sime. Nga Bibla po mësoja që ka më shumë lumturi të japësh dhe kisha dëshirë t’u flisja të tjerëve për bindjet e mia. (Veprat 20:35) Si atlet profesionist, gati 200 ditë të vitit isha në turne, larg shtëpisë. Jeta e familjes sime përqendrohej tek unë—te stërvitja, rutina dhe karriera ime. Kuptova se duhej të bëja ndryshime.

 E dija që shumë veta s’do ta kuptonin vendimin për të hequr dorë nga karriera premtuese në sport për arsye fetare. Por mundësia për të njohur më mirë Jehovain dhe për të marrë jetën e përhershme ishte ku e ku më e çmuar se çdo trofe që mund të fitoja në tenis, prandaj ishte e lehtë për mua të merrja një vendim. Isha i vendosur të mos ua vija veshin fjalëve të njerëzve—ky vendim më takonte vetëm mua. Një shkrim që më ka dhënë shumë forcë t’i rezistoj presionit është Psalmi 118:6: «Jehovai është në krahun tim, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?»

 Rreth asaj kohe, disa sponsorë më ofruan një marrëveshje fitimprurëse që do të më lejonte të luaja tenis profesionist edhe për shumë vite të tjera. Megjithatë e kisha ndarë mendjen, prandaj e refuzova ofertën dhe si përfundim nuk luajta më në turnetë e SHTP-së. Vazhdova studimin e Biblës dhe më 2 korrik 1994 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

DOBITË

 Nuk fillova të mendoja për Perëndinë për shkak të ndonjë tragjedie në jetë. As nuk isha në kërkim të së vërtetës. Jeta që bëja më pëlqente, s’kisha çfarë të kërkoja më shumë. Por befas, tamam sikur e vërteta e Biblës të ishte duke pritur që ta gjeja, zbulova se jeta ka kuptim më të thellë. Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë një jetë kaq të mirë! Familja jonë është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë. Jam i lumtur që tre djemtë e mi kanë ecur në gjurmët e mia—jo si sportistë, por si të krishterë.

 Ende kam qejf të luaj tenis. Ndër vite kam siguruar të ardhurat me punë që kanë lidhje me tenisin, për shembull si trajner dhe si menaxher i një qendre tenisi. Por tani sporti nuk është gjithçka për mua. Më përpara, stërvitesha shumë orë çdo javë që të bëhesha tenist sa më i mirë, kampion. Tani, si ungjillëzues në kohë të plotë, jam i lumtur që e përdor kohën për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë dhe të zbatojnë parimet e Biblës që më ndryshuan jetën. Ndjej lumturi të pamasë ngaqë vë në radhë të parë miqësinë me Perëndinë Jehova dhe u flas të tjerëve për një të ardhme plot shpresë.—1 Timoteut 6:19.

a SHTP-ja, Shoqata e Tenistëve Profesionistë, është bordi drejtues i rretheve të tenisit profesionist për meshkuj. Kampionati i SHTP-së përfshin disa turne profesionistësh që u jep fituesve pikë dhe çmime në pará. Totali i pikëve të grumbulluara nëpër turne përcakton klasifikimin e një lojtari në rang botëror.