Marrin përgjigje lutjet e një gruaje të verbër
Janmei, një Dëshmitare në Azi, i ofroi ndihmë një gruaje të verbër që quhet Mingxhi të kalonte rrugën. a Mingxhi i tha: «Faleminderit. Zoti të bekoftë!» Pas kësaj Janmei i tha nëse kishte dëshirë të studionin Biblën bashkë. Mingxhi i tha se ishte lutur çdo ditë që të gjente kongregacionin e vërtetë të Perëndisë. Pse ishte lutur për këtë?
Mingxhi i shpjegoi se në vitin 2008 kishte pranuar ftesën e një shoqeje të verbër për të shkuar në kishën për personat me aftësi të kufizuara. Në fund të predikimit, Mingxhi kishte pyetur priftin nga cili libër lexoi gjatë predikimit. Ai i tha se kishte lexuar nga Bibla, Fjala e Perëndisë, që është e vërtetë. Mingxhi ndjeu një dëshirë të fortë për ta lexuar Biblën. Kështu mori një Bibël në gjuhën kineze brail dhe i lexoi të 32 vëllimet në rreth gjashtë muaj. Ndërsa vazhdonte të lexonte Biblën, Mingxhi kuptoi se doktrina e trinitetit, që mësonte kisha ku shkonte, është e rreme dhe se Zoti ka një emër, Jehova.
Me kalimin e kohës, Mingxhi u zhgënjye gjithnjë e më shumë nga sjellja e anëtarëve të kishës. Kuptoi se ata nuk jetonin në përputhje me atë që po lexonte vetë në Bibël. Për shembull, të verbërve u jepnin ushqimet e mbetura, ndërsa gjithë të tjerët merrnin ushqim të freskët. Këto padrejtësi e lëndonin shumë, prandaj filloi të kërkonte për kisha të tjera në zonën ku banonte. Kjo ishte arsyeja pse Mingxhi po lutej për kongregacionin e vërtetë të krishterë.
E prekur nga gjesti i dashur i Janmeit, Mingxhi pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Pastaj shkoi për herë të parë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Mingxhi tregon: «Nuk do ta harroj kurrë mbledhjen time të parë. Të gjithë vëllezërit dhe motrat më përshëndetën ngrohtësisht. Kjo gjë më preku shumë. Edhe pse nuk shoh, e ndjeva se të gjithë pa dallim më donin.»
Mingxhi bëri përparim të shpejtë dhe filloi të ndiqte mbledhjet rregullisht. Në veçanti i pëlqente të këndonte këngët e Mbretërisë, por e kishte të vështirë, pasi libri i këngëve nuk ishte në brail. Kështu, me ndihmën e kongregacionit, Mingxhi bëri për vete një libër këngësh në brail. Iu deshën 22 orë për të transkriptuar të 151 këngët! Në prill të vitit 2018, Mingxhi filloi të dilte në shërbim, e që nga ajo kohë kalon rreth 30 orë në muaj duke predikuar.
Që të ndihmonte Mingxhin të kualifikohej për pagëzim, Janmei bëri një regjistrim audio të pyetjeve dhe të vargjeve të Biblës që gjenden në librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait. Mingxhi u pagëzua në korrik të 2018-s. Ajo thotë: «Dashuria e vëllezërve dhe e motrave në atë kongres më la mbresa. Qava nga gëzimi, sepse më në fund isha pjesë e kongregacionit të vërtetë të Perëndisë.» (Gjoni 13:34, 35) Tani Mingxhi, e vendosur që t’u japë të tjerëve të njëjtën dashuri që mori, shërben si ungjillëzuese në kohë të plotë.
a Emrat janë ndryshuar.