Thuaju se i do
Ong Li është Dëshmitare e Jehovait dhe jeton në Bullgari. Ajo drejtonte një studim të Biblës me një grua të re të quajtur Zlatka, bashkëshorti i së cilës nuk merrte pjesë në studim. Ong Li thotë: «Kur po flitnim për jetën familjare, theksova sa rëndësi ka t’i themi bashkëshortit dhe fëmijëve se i duam. Zlatka më pa e trishtuar; më tha se kurrë s’i kishte thënë burrit dhe vajzës 9-vjeçare se i donte.»
Zlatka u shpreh: «Jam gati të bëj gjithçka për ta, por s’ua them dot ato fjalë.» Pastaj shtoi: «Mamaja s’më ka thënë kurrë se më do dhe gjyshja kurrë s’ia ka thënë mamasë sime.» Ong Li i shpjegoi nga Bibla Zlatkës se Jezui dëgjoi Jehovain t’i shprehte dashurinë që kishte për të. (Mateu 3:17) E inkurajoi t’i lutej për këtë Jehovait dhe të vinte si synim që t’i thoshte burrit dhe vajzës se i kishte për zemër.
Ong Li pohon: «Dy ditë më vonë, Zlatka më tha gjithë gëzim se i ishte lutur Jehovait për ndihmë. Kur burri i kishte ardhur në shtëpi, i kishte thënë se, gjatë studimit të Biblës, kishte mësuar sa e rëndësishme është që gruaja ta respektojë dhe ta dojë bashkëshortin. Pastaj, pas një pauze, i tha sa shumë e donte! Kur vajza hyri në shtëpi, e përqafoi dhe i tha se e kishte xhan. Zlatka më tha: ‘Tani ndihem shumë e lehtësuar. Gjithë këto vite ndjenjat i kam mbajtur mbyllur brenda vetes, por me ndihmën e Jehovait, më në fund po ua shfaq dashurinë familjarëve të mi.’
Një javë më vonë,—tregon më tej Ong Li,—u takova me burrin e Zlatkës dhe ai u shpreh: ‘Shumë më kanë thënë që Zlatka të mos studiojë Biblën me ty, por jam më se i sigurt që ky studim e ka ndihmuar vërtet familjen tonë. Tani lidhja jonë është shumë më e ngrohtë dhe e lumtur.’»