Kalo te përmbajtja

Në Venezuelë i shërbejnë Jehovait në kohë të vështira

Në Venezuelë i shërbejnë Jehovait në kohë të vështira

 Vitet e fundit, në Venezuelë ka pasur probleme ekonomike dhe sociale si kurrë më parë. Një Dëshmitar që quhet Edgar, tha: «Standardi i jetesës është ulur kaq ndjeshëm vetëm brenda pak vitesh, saqë na duket sikur jemi transferuar në një shtet tjetër, por pa ndryshuar shtëpi.»

 Si po ia del Edgari? Ai komenton: «Bashkë me time shoqe, Karmenin, menduam për shembullin e misionarëve që janë transferuar në vende me më pak të ardhura dhe mësuan të jetonin edhe pa gjërat bazë. Kjo na nxiti të thjeshtonim jetën dhe të eksperimentonim me gjëra të reja, si për shembull, të mbillnim vetë ca perime.»

Karmeni dhe Edgari

 Edgari dhe Karmeni nuk u mjaftuan me kaq. Vunë synim t’u jepnin zemër bashkëbesimtarëve, edhe atyre që ndiheshin fare përtokë. (1 Selanikasve 5:11) Edgari shprehet: «Nuk donim vetëm t’i ngushëllonim, por t’i inkurajonim të provonin gëzimin që vjen kur ndihmon të tjerë që kanë nevojë.»—Veprat 20:35.

Shpërblehen përpjekjet në shërbim

 Kur nisi pandemia COVID-19, Argenisi vendosi t’u dëshmonte të afërmve. Disa prej tyre pranuan të studionin Biblën nëpërmjet telefonit.

Argenisi

 Ai donte edhe që të afërmit që nuk kanë internet, të nxirrnin dobi nga kongresi rajonal i vitit 2020. Një Dëshmitar nga një qytet afër u dha atyre programin e regjistruar. Pastaj të afërmit e Argenisit morën borxh një televizor me ekran të madh dhe me bokse. Argenisi i mori në telefon para se të shihnin programin që të bënte një lutje për ta. Përpjekjet me gjithë shpirt të Argenisit u shpërblyen, sepse programin e ndoqën 4 të afërm të tij dhe 15 të tjerë.

Të motivuar nga besimi dhe dashuria

 Bashkëshortët Hairo dhe Joana janë të vetmit që kanë makinë në kongregacionin e tyre, ndaj e kanë përdorur pa u kursyer për të ndihmuar të tjerët. Mirëpo, në Venezuelë është jashtë mase e vështirë të gjesh karburant. Hairo komenton: «Që të furnizohemi me karburant, presim në radhë për orë të tëra, ndonjëherë gjithë natën.»

Joana dhe Hairo

 Ai mendon se përpjekjet për të ndihmuar të tjerët ia kanë vlejtur, sepse thotë: «Kur u çojmë furnizime vëllezërve, mbushemi me gëzim, se shohim sa mirënjohës janë sidomos ndaj Jehovait, që i siguron popullit të tij gjithë sa i nevojitet.»—2 Korintasve 9:11, 14.

Gjithkush mund të japë një dorë

 Noriani, një motër në fund të të 20-ve, mendonte se mund ta konsideronin tepër të re për të ndihmuar të tjerët. Pastaj lexoi 1 Timoteut 4:12: «Mos lejo askënd ta përbuzë rininë tënde. Përkundrazi, bëhu shembull për besnikët.»

Noriani

 Ai shkrim e nxiti të shoqërohej më shumë me të moshuarit në kongregacion, duke i ndihmuar të shkruanin letra në shërbim dhe duke i ftuar kur studionte Biblën me personat e interesuar. Gjithashtu u telefononte dhe u dërgonte mesazhe zemërdhënëse. Noriani thotë: «Jehovai më ka treguar se edhe unë mund të bëj goxha për të tjerët.»

 Vëllezërit e motrat në Venezuelë po hasin sfida të shumta gjatë kësaj periudhe të vështirë. Prapëseprapë, ata vazhdojnë shërbimin me zell dhe janë «burim i madh ngushëllimi» për njëri-tjetrin.—Kolosianëve 4:11; 2 Timoteut 4:2.