Ngushëllon të tjerët, pavarësisht nga problemet e saj shëndetësore
Klodina, një Dëshmitare e Jehovait që jeton në Afrikën e Jugut, u shtrua në spital për një operacion të vështirë. Meqë situata e saj shëndetësore ishte e komplikuar, i duhej të zgjidhte midis disa trajtimeve. Si para edhe pas operacionit ndihej e lodhur, e stresuar dhe kishte dhembje. Thuajse 10 javë pasi kishte dalë nga spitali, akoma nuk rrinte dot ulur. Përveç kësaj, për shkak të pandemisë COVID-19, nuk i vinte dot njeri në shtëpi.
Por Klodina ishte e vendosur të mos mëshironte veten, prandaj iu lut Perëndisë t’i jepte forcë që të ngushëllonte të tjerët. Sapo e mori pak veten, kontaktoi me motrën e fqinjës së saj, e cila dikur kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët. Klodina i tregoi një mendim inkurajues nga Fjala e Perëndisë dhe kjo e nxiti vajzën të rifillonte studimin. Gjithashtu i shpjegoi dobitë e mbledhjeve të krishtere dhe e ndihmoi të lidhej me kongregacionin vendës nëpërmjet videokonferencës. Vajza e ndoqi mbledhjen dhe madje komentoi gjatë një pjese me pyetje-përgjigje.
Pastaj Klodina foli me motrën e vogël të studentes, e cila po ashtu kishte shumë qejf të studionte Biblën. Madje i tha Klodinës se kishte edhe të tjerë që do t’u pëlqente të studionin. Rezultati? Motra jonë filloi studim me 4 gra të tjera. Por historia s’mbaron këtu.
Ngaqë Klodina interesohej sinqerisht për të tjerët, filloi studim edhe me 10 gra të tjera, e gjithë kjo gjatë pandemisë. Pra, në total po drejtonte 16 studime! Disa po i ndjekin rregullisht mbledhjet nëpërmjet videokonferencës. Ngaqë Klodina është e zënë duke ndihmuar të tjerët, nuk e mban mendjen te situata e saj. Gjithashtu mendon se ngushëllimi që i dha Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi», ndërsa ajo po haste sprova, e ndihmoi që edhe ajo të ngushëllonte të tjerët.—2 Korintasve 1:3, 4.
Si ndihen studentet e Klodinës për gjërat që kanë mësuar? Njëra thotë: «Studimi më ka ndihmuar në shumë mënyra. Por bekimi më i madh ishte të mësoja emrin e Perëndisë. Ja pse tani ndihem më afër Jehovait.» Ndërkohë vajza e parë që kontaktoi Klodina, tani mezi pret të pagëzohet. Këto eksperienca ia kanë mbushur zemrën plot gëzim Klodinës. Dhe tani e ka marrë veten plotësisht nga operacioni.