Ajo qëndron e fortë dhe pozitive, pavarësisht nga tragjedia
Virxhinia, që është Dëshmitare e Jehovait, vuan nga një sëmundje që quhet sindromi locked-in. Trupin e ka të paralizuar. Edhe pse mund të shohë e të dëgjojë, të hapë e të mbyllë sytë dhe të lëvizë pak kokën, ajo nuk mund të flasë e as të hajë. Dikur gëzonte shëndet të mirë dhe ishte plot energji. Por një mëngjes të vitit 1997, ndjeu një dhembje therëse prapa kokës që s’i pushonte. I shoqi e dërgoi në spital dhe po atë mbrëmje Virxhinia ra në gjendje kome. Dy javë më vonë kur u zgjua, ishte në terapi intensive, e paralizuar dhe e lidhur me një respirator. Për disa ditë, nuk kujtonte dot asgjë, madje as kush ishte.
Virxhinia shpjegon çfarë ndodhi më tej. «Dalëngadalë m’u kthyen kujtimet. Lutesha pa pushim. Nuk doja të vdisja dhe nuk doja që djali im të rritej pa nënë. Që t’i jepja vetes forcë, u përpoqa të kujtoja nga Bibla sa më shumë vargje të mundesha.
Më vonë, mjekët më nxorën nga terapia intensive. Pas gjashtë muajsh nëpër spitale të ndryshme dhe në një qendër rehabilitimi, më çuan në shtëpi. Isha ende plotësisht e paralizuar dhe më duhej ndihmë për çdo gjë. Ndihesha përtokë, komplet e padobishme për të tjerët dhe për Jehovain. Më brente meraku edhe për djalin.
Fillova të lexoja përvoja të Dëshmitarëve të tjerë që vuanin nga sëmundje të ngjashme dhe mahnitesha kur shihja çfarë arrinin të bënin për Jehovain. Prandaj u përpoqa të zhvilloja një qëndrim pozitiv duke u përqendruar tek ajo që mund të bëja. Para se të sëmuresha, nuk kisha shumë kohë për aktivitetet teokratike. Kurse tani kisha kohë çdo ditë, madje gjithë ditën. Kështu, në vend që të zhytesha në dëshpërim, synimi im ishte si t’i përkushtohesha edhe më shumë Jehovait.
Kam mësuar të përdor kompjuterin. Arrij të shkruaj falë një programi që reagon kur lëviz kokën. Është shumë e lodhshme, por falë teknologjisë mund të studioj Biblën dhe të flas për shpresën time me të tjerët nëpërmjet letrave dhe email-eve. Që të komunikoj me njerëzit, përdor një tabelë me shkronjat e alfabetit. Personi që dëshiron të flasë me mua, vë gishtin te çdo shkronjë një e nga një. Kur ai zgjedh shkronjën e gabuar, unë hap sytë; kurse kur zgjedh shkronjën e duhur, unë mbyll sytë. Përsëritim të njëjtat veprime për të formuar fjalë e fjali. Motrat që kalojnë shumë kohë me mua, janë bërë eksperte për të më lexuar mendjen. Por ndonjëherë gabojnë, dhe kur kjo ndodh, thjesht e marrim me të qeshur.
Më pëlqen jashtë mase të përfshihem në aktivitetet e kongregacionit. Gjithmonë jam lidhur me telefon për të ndjekur mbledhjet, kurse tani lidhem me anë të videokonferencave. Komentet e mia arrij t’i shkruaj vetë, pastaj dikush i lexon gjatë pjesëve me pyetje dhe përgjigje. Gjithashtu lidhem me grupin e shërbimit për të ndjekur programet mujore në JW Broadcasting. a
Kam 23 vjet që vuaj nga sindromi locked-in. Ndonjëherë ndihem e trishtuar. Ama, këto momente i kapërcej duke u lutur, duke u shoqëruar me vëllezërit e motrat dhe duke u marrë me aktivitete teokratike. Në fakt, falë ndihmës së kongregacionit kam pasur mundësinë të shërbej si pioniere ndihmëse për më shumë se gjashtë vjet. Kam bërë çmos të jem një shembull i mirë për djalin tim, Alesandron, që tani është plak kongregacioni dhe, bashkë me të shoqen, shërbejnë si pionierë të rregullt.
Meditoj shpesh për atë që do të bëj në të ardhmen në parajsë. Gjëja e parë që dua, është të flas për Jehovain me zërin tim. Pastaj dua të bëj një shëtitje në fshat përgjatë një përroi dhe të shijoj peizazhin e mrekullueshëm. Dhe, meqë për rreth dy dekada jam ushqyer me lëngje, mezi pres të këpus një mollë nga pema e ta kafshoj. Veç kësaj, si italiane që jam, pres me padurim të ha ushqimet e mia të preferuara italiane, për shembull, pica.
‘Shpresa e shpëtimit’ më ka mbrojtur mendjen. (1 Selanikasve 5:8) Kur e përfytyroj veten në botën e re, mbushem me gëzim, pavarësisht nga kufizimet e shëndetit, që jam e sigurt se do të marrin fund së shpejti. Po, mezi pres të shijoj ‘jetën e vërtetë’ që Jehovai ka premtuar të na e japë nëpërmjet Mbretërisë së tij.»—1 Timoteut 6:19; Mateu 6:9, 10.
a Te siti jw.org ka një link që të çon te JW Broadcasting.